Qeveria greke përgënjështroi kthimin te drahmia
8 Qershor 2010Megjithëse spekulimet financiare kësaj rradhe lidheshin me Hungarinë, haraçin më të madh të tyre e pagoi përsëri Greqia. Përkundër humbjeve të vogla të bursave evropiane në mesin e një klime pasigurie për ecurinë e euros, Bursa e Athinës shënoi rënie të madhe prej 5.45 %, duke u kthyer në nivelin e 12 viteve më parë. Me bursën në rënie të lirë dhe ekonominë në recesion të thellë u ricikluan skenarët e falimentimit të vendit dhe kthimit të tij te drahmia. “Përgënjeshtrojmë në mënyrë kategorike gjithë këto skenare fantaziste, cilido qoftë burimi i tyre”, deklaroi nga ana e tij zëdhenësi i qeverisë, Jorgos Petallotis, për të shtuar se “nuk bëhet fjalë për falimentim dhe kthim të drahmia”. Zëdhenësi grek foli për “ulje të defiçitit dhe shtim të ardhurash” dhe vlerësoi zbatimin e programit si “alternativën e sigurt për daljen nga kriza”. Javën e kaluar kreu i Komisionit Monetar Ndërkombëtar të FMN-së Zoussef Boutros-Ghali kishte shprehur dyshimin në aftësinë e Greqisë për zbatimin e reformave në shkëmbim të ndihmës së ofruar prej 110 miliardë euro.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi:Angjelina Verbica