1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria shqiptare investon në tekstet e infrastrukturën shkollore për minoritetin grek

Odise Kote/ Gjirokastër28 Gusht 2008

Qeveria shqiptare ka investuar në shkollat e minoritetit grek në Shqipëri, sipas standarteve më të larta të Këshillit të Europës. Për vitin 2008-2009 u zgjidhi plotësisht problemi i teksteve e infrastrukturës shkollore.

Këshilli i Evropës në Strasburg, ku Shqipëria ka nënshkruar Kartën Kuadër për Liritë e Të Drejtat e njeriut
Këshilli i Evropës në Strasburg, ku Shqipëria ka nënshkruar Kartën Kuadër për Liritë e Të Drejtat e njeriutFotografi: picture-alliance/ dpa

Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Arsimit e Shkencës ka zgjidhur përfundimisht problemet e teksteve dhe të infrastrukturës shkollore, duke siguruar një nivel të lartë të arsimimit të këtij minoriteti në gjuhën greke. Monitorimet e vëzhguesve flasin për standarte dhe arritje të shënuara në këtë lëmi. Megjithatë, nga organizata minoritetit grek Omonia ka zëra skeptikë për këto arritje. Ish-deputeti i Omonias, Kosta Makarjadhi, me profesion pedagog thotë se

"Unë mendoj se ekziston një boshllëk ligjor edhe i karakterit ekzekutiv për vendin tonë".

Por drejtori rajonal i arsimit në Gjirokastër, Vasil Muka pohon se politikat e qeverisë shqiptare për arsimin e minoriteteve në gjuhën e tyre amtare janë në standartet më të larta të Kartës Kuadër të Këshillit të Europës për liritë e të drejtat e njeriut. Ai shpjegon se nga kjo politikë arsimore:

"...ne jemi të detyruar të mbajmë shkolla edhe me një nxënës. Kështu në Sopik kemi vetëm një nxënës në klasë të dytë dhe ne kemi emëruar një mësues, në Catistë kemi katër nxënës dhe kemi shkollë të hapur, në Pogon që është një zonë e thellë kemi 11 nxënës dhe kemi tre mësues etj".

Një problem i trashëguar ka qënë edhe pajisja me tekste në gjuhën amtare të nxënësve të minoritetit. Kryetari i shoqatës së arsimtarëve minoritarë Dhimitër Qiqi formulon ende me shqetësim problemin e teksteve në gjuhën greke

"Jo të gjithë mësuesit mund ta përkthejnë tekstin, problem është që dhe tirazhi është shumë i vogël, 20 tekste duhen për një klasë."

Drejtori rajonal i arsimit në Gjirokastër, Vasil Muka, e hedh poshtë këtë shqetësim, kur thotë se falë investimit të qeverisë shqiptare:

"...themi me bindje se ai është zgjidhur. Përfitoj nga rasti të falenderoj për bashkëpunimin me qeverinë greke, e cila ka marrë përsipër shtypjen e teksteve. Tashmë janë përkthyer 14 tituj nga shtëpia botuese Omiros dhe shtëpia botuese e librit shkollor. Ato po shtypen në Greqi dhe në masën 95% tekstet do të jenë të siguruara."

Muka thotë më tej se infrastruktura shkollore në shkollat e minoritetit është në standartet më të larta.

"Ato kanë tashmë nga një laborator informatike, prej 11 kompjuterash, kanë mjete fotokopjimi etj, për të bërë mësimin më cilësor. Me investimet e kryera në këtë lëmi, Shqipëria renditet ndër vendet pararojë në respektimin e Kartës Kuadër të Këshillit të Europës për arsimimin e minoriteteve."