1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qielli shqiptar i bashkohet atij evropian

Aida Cama16 Maj 2006

Në 5 maj 2006 u nënshkrua marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për disa aspekte të caktuara të shërbimeve ajrore. Çfarë sjell kjo marrëveshje për tregun shqiptar të fluturimeve?

Germanwings ka interes për tregun ajror shqiptar
Germanwings ka interes për tregun ajror shqiptarFotografi: AP


Në vitin 2007 qytetarët shqiptarë do të kenë të drejta të njëjta me ata europianë, të paktën në ajër. Këtë mundësi e jep marrëveshja e firmosur javën e kaluar në Salzburg.

"Në 5 maj 2006 u nënshkrua në Salzburg të Austrisë marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për disa aspekte të caktuara të shërbimeve ajrore, e quajtur ndryshe edhe marrëveshja horizontale," tregon Agron Nushaj drejtor i politikave të transportit ajror në ministrinë shqiptare të punëve publike transportit dhe telekomunikacionit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Komisioni Europian dhe ministrat e transportit të Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi, Rumanisë, Bullgarisë si dhe administratës kalimtare të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ajo synon lidhjen kontraktore për krijimin e hapësirës së përbashkët europiane të 35 vendeve me 500 milionë banorë, qëllim që Bashkimi Europian ia ka venë vetes për ta realizuar deri më 2007.

Çfarë do të ndryshojë marrëveshja në fluturimet e të ardhmes? "Ndryshimet janë tepër thelbësore sepse kanë të bëjnë e para me përcaktimin e linjave ajrore nga një shtet anëtarë. Pra, përcaktimi bëhet tani sipas kondicioneve që janë të përcaktuara nga Komuniteti Europian, me të drejtat dhe rregullat e dhëna të një licence të operatorit, të vlefshme kjo në përputhje me ligjin e Komunitetit Europian, me kontrollin e rregullt efektiv të transportuesit ajror si një kondicion për tu futur në tregun ajror dhe natyrisht me posedimin e pronësisë direkte."

Marrëveshja pritet të shoqërohet nga një tjetër marrëveshje e cila do të nënshkruhet në muajin qershor për plotësimin e të gjithë kuadrit ligjor në një periudhë të caktuar kohe, pra për njehsimin plotësisht të legjislacioni shqiptar me legjislacionin europian dhe për të ballancuar plotësisht tregun shqiptar.

Liberalizimi i tregut të fluturimeve në Europë ka krijuar mundësi që qytetarët europianë të fluturojnë me bileta çmimi i të cilave fillon në 0.1 euro. Niveli i çmimit përcaktohet nga tregu, por në tregje të mbyllura si ato lindore çmimi është përcaktuar deri tani nga monopoli në treg. Të fluturosh sot nga Berlin në Tiranë duhet të paguash një biletë që kushton rreth 400 euro.

"Unë gjykoj se kjo vlerë çmimi është e lartë. Natyrisht nuk futem në alanizat e kostos reale por nga intensionet e brendshme dhe të pasagjerit shqiptar, nisur edhe nga aftësia paguese që ka pasagjeri shqiptar çmimet janë të larta," vlerëson Nushaj.

Ajo që do i interesonte çdo shqiptari është a do të sjellë kjo marrëveshje ulje të çmimit të biletave?

"Kjo i takon së ardhmes. Natyrisht duke hapur tregun shqiptar krijohet mundësia e hyrjes pa diskriminim dhe me kondita të barabarta konkurence të shoqërive ajrore respektive të Shqipërië dhe të Bashkimit Europian në tregun e përbashkët të këtyre vendeve, pra edhe në tregun ajror shqiptar i cili ka kapacitete të rritjes së trafikut të pasagjerëve. Vetëm vitin e kaluar patëm një rritje të trafikut të pasagjerëve me 21 për qind. Kjo do të bëjë që transportuesit ajrorë europianë t`i afrohen tregut shqiptar. Ne shikojmë që ka një kërkesë për operim në tregun ajror shqiptar," thotë Nushaj.

Në 27 mars në tregun shqiptar filloi operimin "British airways", njëkohësisht kanë shfaqur kërkesat e tyre një shoqëri hungareze, germanwings, një shoqëri skandinave etj.

Një fluks kërkesash të tilla, në tregun shqiptar i cili është i liberalizuar por që i përgjigjur edhe të gjitha kërkesave të standarteve europiane të operimit është me interes për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve edhe kundrejt çmimit.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW