1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qindra të vrarë në luftime në Sudanin e Jugut

nis/sti (afp, ap, rtr) / Esat Ahmeti18 Dhjetor 2013

Situata në Sudanin e Jugut është përkeqësuar. Në luftimet e fundit thuhet se janë vrarë qindra njerëz ndërsa mijëra të tjerë janë në arrati, raporton OKB. A po kërcënohet Sudani i Jugut nga një luftë qytetare?

Fotografi: picture-alliance/AA

Në kryeqytetin e Sudanit të Jugut Juba, situata mbetet e tensionuar dhe e rrezikshme: Në spitale janë pranuar 400 deri 500 trupa, tha kreu i OKB-së për misione paqësore, Herve Ladsous, para diplomatëve në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork. Rreth 800 njerëz janë plagosur nga luftimet mes fraksioneve rivale brenda ushtrisë sudaneze jugore. Shifrat janë të bazuara në deklaratat e personelit të OKB-së të stacionuar në këtë në vend dhe ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Sudanezët e Jugut në arrati

Presidenti Salva Kiir sqaroi se qeveria ka "tërsisht nën kontroll" gjendjen e sigurisë në Juba. Megjithatë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, vlerësohet se më shumë se 10000 civilë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Ata janë mbledhur të gjithë në kompleksin e OKB-së në Juba, tha përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së, Hilde Johnson. Edhe Unioni Afrikan u shpreh "thellësisht i shqetësuar" dhe paralajmëroi një përshkallëzim të situatës.

Pamje nga Juba (17.12.)Fotografi: Reuters

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr tërë personelin e saj të ambasadës dhe këshillojnë qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë për në Sudanin e Jugut. Po ashtu edhe Ministria e Jashtme në Berlin ka publikuar një paralajmërim të rreptë për udhëtimet për në vendin afrikan. "Shtetasit gjermanë të cilët aktualisht ndodhen në këtë vend janë këshilluar që të largohen nga atje sa më parë", thuhet në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme gjermane.

Sudani i Jugut i cili fitoi pavarësinë e tij duke u shkëputur nga Sudani në vitin 2011, konsiderohet shumë jostabil dhe i pazhvilluar, por ka rezerva të mëdha të naftës. Në një luftë civile, e cila zgjati nga viti 1983 deri në vitin 2005 jetën humbën rreth dy milionë njerëz.

Presidenti Kiir është i diskutueshëm. Në javët e fundit, anëtarë drejtues të ish grupit rebel dhe tani Lëvizjes Popullore Çlirimtare (SPLM) në pushtet, e akuzuan atë publikisht për sjellje "diktatoriale".