1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qipro: Ndërrim pushteti në kohë krize

Jannis Papadimitriou / Angelina Verbica25 Shkurt 2013

Ndryshim politik në Qipro: Shefi i konservatorëve Nikos Anastasiadis do të jetë presidenti i ri i republikës ishull. Ai zëvendëson komunistin Demetris Kristofias

epa03597850 Cypriot presidential candidate Nicos Anastasiades waves as he leaves a polling station after voting for Cyprus' presidential elections in Limassol, Cyprus, 24 February 2013. Greek Cypriots voted to elect a new president today in in a campaign dominated by an economic crisis engulfing the tiny island nation now in line for an international bailout. EPA/KATIA CHRISTODOULOU +++(c) dpa - Bildfunk+++
Fotografi: picture-alliance/dpa

Politikani konservator Nikos Anastasiadis i fitoi, ashtu siç pritej, zgjedhjet presidenciale në Qipro. Sipas rezultateve paraprake zyrtare 66-vjeçari fitoi në balotazh 57,5 përqind të votave. Kundërshtari i tij, politikani i majtë Stavros Malas, arriti të marrë 42.5 për qind të votave. Detyra më e vështirë e Anastasiadis do të jetë të shpëtojë vendin nga falimentimi dhe të bjerë dakord për detajet e paketës së shpëtimit me donatërët ndërkombëtarë.

Tetë muaj rresht ka negociuar presidenti në largim Christofias me BE, FMN dhe BQE dhe me trojkën për një paketë ndihme në vlerë prej 17,5 miliardë eurosh. Thuhet se në parim është rënë dakord, por çështje të rëndësishme, sidomos shitja e pasurisë shtetërore, mbeten ende të hapura. Në fushatë Anastassiadis premtoi reforma dhe ristrukturimin e buxhetit, por planet e tij për privatizimin mbetën të paqarta. Në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjes kryetari i partisë konservatore u përpoq të përhapë optimizëm. "Së bashku me të gjitha forcat politike dhe me popullin tonë ne luftojmë për unitet, që të kapërcejmë krizën dhe të kthehemi tek rruga e zhvillimit të ekonomisë. Ne duam modernizimin e shtetit dhe zbatimin e reformave themelore, siç thuhet në programin tonë zgjedhor", deklaroi presidenti i sapozgjedhur i republikës ishull.

Rreziku për falimentimin e shtetit

Eshtë interesante, se fjalimin pas fitores zgjedhore ai nuk e mbajti para përkrahësve të tij, por në selinë e partisë social-liberale, DHKO. Me sa duket në gjest mirënjohjeje për partnerin e ardhshëm në koalicion, i cili në muajt e fundit bëri një kthesë të madhe nga e djathta, duke e ndihmuar Anastassiadis të arrinte fitoren.

Deziluzionim shkaktoi natën e zgjedhjeve politikani konservator europian, Ioannis Kassoulidis, për të cilin diskutohet se do të jetë ministri i ri i jashtëm. Në televizionin qipriot pragmatiku Kassoulidis porositi popullin të shpejtojë, me qëllim që falimentimi shtetëror të evitohet sa më parë. "Ne duhet të arrijmë sa më parë një marrëveshje me BE-në dhe të luftojmë për një rezultat sa më të mirë në negociata", tha Kassoulidis. Koha nuk pret, meqenëse kjo paketë kursimesh nuk do të miratohet vetëm nga ministrat e financave të eurozonës, por edhe nga të gjitha parlementet e vendeve anëtare. Kjo do të kishte si pasojë, që së paku deri në qershor në Qipro të mos vijnë para, dhe qeveria do të ishte e detyruar të merrte një kredi për këtë periudhë, paralajmëron politikani konservator.

Nga takimi Merkel Anastasiades në Limasol më 11 janar 2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Për të siguruar paketën e ndihmës, presidenti i sapozgjedhur do të shfrytëzojë lidhjet e tij me të pushtetshmit në Evropë, në radhë të parë me Angela Merkelin. Kjo atij i sjell miq jo vetëm në Qipro: Pak para zgjedhjeve të balotazhit sekretari i përgjithshëm i partisë së Majtë, Andros Kyprianou, e akuzoi shefin e konservatorëve për lidhjet e tij të mira me Berlinin, duke aluduar qartë, se Anastasiadis që nga ky moment mund të presë rezistencë të fortë nga opozita e majtë. "Zoti Anastassiadis është i zgjedhuri i zonjës Merkel" , thotë politikani komunist. Ai është gjithashtu edhe i zgjedhuri i Bankës Gjermane, i Wall Street Journal dhe i Financial Times. Ata të gjithë e kuptojnë fitoren e tij si shansin e vetëm për të ndjekur politikën e tyre në Qipro, një politikë, që e ka çuar jo vetëm Europën, por të gjithë botën në krizën aktuale", mendon Kyprianou.

Konflikti i Qipros ende prezent

Për shkak të krizës ka dalë në plan të dytë konflikti i Qipros. Por ai nuk ka humbur asgjë nga forca shpërthyese dhe emocionaliteti i vet dhe mund të bëhet një sprovë për qeverinë e Nikos Anastassiadis. Sa për të kujtuar: Para dhjetë vjetësh partnerët e koalicionit të sotëm patën konflikte të mëdha në lidhje me "planin Annan" për zgjidhjen e çështjes së Qipros, të emërtuar sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Si asnjë politikan tjetër Anastassiadis bëri fushatë për planin e paqes, ndërsa presidenti i atëhershëm dhe kryetar i DHKO, Tassos Papadopoulos, e kundërshtonte atë me forcë.

Për të fituar përkrahjen e kundërshtarit të tij të dikushëm, Anastassiadis-it iu desh të bënte shumë punë bindëse dhe t'u premtonte social-liberalëve, se do të distancohej nga plani Annan", apo nga propozimet e ngjashme të OKB-së për ndërmjetësim. Në një deklaratë për shtyp të dielën (22.02.2013)në mbrëmje ai donte të largonte përshtypjen, se bllokon zgjidhjen e çështjes së Qipros. "Në këtë moment u drejtohem bashkëatdhetarëve tanë turko-qipriotë, për t'u transmetuar një mesazh paqeje dhe miqësie", deklaroi presidenti i zgjedhur. Dhe ai shtoi: "Eshtë qëllimi ynë i ndershëm, për të arritur një zgjidhje, me qëllim që të mund të jetojmë një një atdhe të përbashkët evropian, që respekton të drejtat tona humane dhe u mundëson të gjithë qytetarëve mirëqënie dhe përparim."

Para pesë vjetësh Dimitris Christofias nisi me shumë shpresa punën për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Pas takimit me udhëheqësin e atëhershëm të qipriotëve turq, Mehmet Ali Talat, ai pa arsye për optimizëm. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon foli madje për një zgjidhje të afërt. Por çështje të rëndësishme, si të drejtat e përfaqësimit politik të komunitetit turk dhe të drejtat e pronësisë të qipriotëve grekë, kanë mbetur deri sot të paqarta. Nëse ndërrimi i pushtetit në Nikosia do të ndryshojë gjë, mbetet të shihet.