Qipro së shpejti me një federatë futbolli?
21 Janar 2013Mund të jetë fillimi i "Ribashkimit të futbollit" në vendin e ndarë: përfaqësues të Federatës së futbollit të Qipros (KOP) dhe të Federatës turko-qipriote, janë takuar dy herë brenda katër javëve të kaluara, për të diskutuar mundësitë e bashkimit. Të dy takimet janë zhvilluar në kryeqytetin e ishullit, Nikozia.
Pas raundit të dytë të këmbimit të mendimeve, presidenti i KOP-it, Kostas Koutsokoumnis, u shpreh mjaft optimist në bisedë me gazetarët: "Dita historike është tani shumë pranë", deklaroi ai. Sipas informacioneve të së përditshmes qipriote "Politis", kryetarët e dy federatave do të takohen në mars për një raund të ri negociatash, ndoshta vendimtar. Në takim do të marrin pjesë edhe funksionarë drejtues të UEFA-s.
Kampionat mbarëkombëtar në Qipron e ndarë?
Përpjekjet e para për afrim u bënë në dhjetor 2012. Atëherë Koutsokoumnis pati deklaruar: "Komuniteti i futbollit në Qipro dëshiron të gjejë një zgjidhje dhe kemi konstatuar se ka terren të përbashkët". Edhe më qartë u shpreh homologu i tij turko-qipriot Hassan Sertoglou: "Ishulli ynë ka vuajtur për shkak të politikës. Ne sidoqoftë nuk interesohemi për politikën, ne duam të merremi vetëm me futbollin."
Sipas informacioneve të gazetës athinase "Kathimerini" të dy federatat janë të interesuara në krijimin e një lige futbolli mbarëkombëtare. Ajo do të funksiononte ngjashëm si liga boshnjake e futbollit, në të cilën marrin pjesë ndërkohë edhe ekipe të kroatëve dhe serbëve të Bosnjës. Nëse planifikohet edhe ngritja e një ekipi të përbashkët kombëtar, është ende e paqartë.
Ekipet turko-qipriote të futbollit janë të izoluar në plan ndërkombëtar pasi nuk njihen nga UEFA. Kjo nuk ka qenë gjithnjë kështu: në vitin 1934 klubi sportiv turk Nikosia ishte një nga anëtarët themelues të ligës qipriote. Në 1951, kur ishulli ishte ende koloni britanie, ekipi turko-qipriot Çetinkaya u bë madje kampion. Por që prej vitit 1995 klubet turko-qipriote nuk kanë marrë më pjesë në kampionatet zyrtare qipriote të ishullit.
Kritika nga klubet dhe tifozët
Që prej puçit grek dhe pushtimit turk në verën e 1974-s, Qipro është e ndarë dhe kjo vlen edhe për kryeqytetin Nikozia. Republika turke e Qipros së Veriut, në veri të ishullit, njihet vetëm nga Turqia. Që përpjekjet për afrim mes dy federatave nuk janë plotësisht të lira nga ndikimet politike, këtë e ndjeu edhe kryetari i federatës greko-qipriote Kostas Koutsokoumnis, pas takimit të parë me fuksionarë turko-qipriotë: kampioni i shumfishtë qipriot APOEL Nikosia deklaroi se Koutsokoumnis duhej të përqendrohej tek problemet e futbollit qipriot dhe "të mos merrej me marrëdhënie me publikun kundrejt turqve". Kundërshtim u shpreh edhe nga tifozët e ekipit qipriot me traditë, Anorthosis Famagusta: "Si mundet që në qytetin tonë të lindjes, i pushtuar që prej 38 vjetësh nga turqit, ne të paraqitemi si ekip i ftuar?", protestoi klubi i tifozëve të Anorthosis.
Për një kohë të gjatë nga futbolli greko-qipriot nuk dëgjohej asgjë në Evropë, por duket se kjo po ndryshon: me APOEL Nikosia në nëntor 2011 për herë të parë një ekip nga Qipro arriti çerekfinalet e Champions League. Që në vitin 2008 Anorthosis Famagusta, pati arritur si i pari ekip i Qipros fazën e grupeve në Champions League, pas dy fitoresh të papritura kundër kampionit grek Olympiakos Pireus.
Autor: Janis Papadimitriou/ Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi