1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiproja ka nevojë për kredi - Troika hulumton situatën

Christoph Hasselbach / Pandeli Pani21 Dhjetor 2012

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga evropianët një falje të borxhit prej kreditorëve privatë, ndryshe FMN-ja nuk do të marrë pjesë në paketën e shpëtimit për Qipron.

Fotografi: AP

Qiproja është një nga vendet më të vegjël të BE-së. Megjithatë shpëtimi i ishullit që po përballet me falimentimin kombëtar mund të jetë i komplikuar dhe politikisht brizant. Kjo ka të bëjë me shumat e parave. Ministri qipriot i Financave Vasso Shiarly llogarit që vendi ka të nevojshme kredi prej më shumë se 17 miliardë euro. Në terma absolutë, kjo është shumë pak në krahasim me ndihmat për Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën. Por duke gjykuar nga ecuria ekonomike e Qipros 17 miliardë janë një shumë e madhe: sepse kaq është produkti i përgjithshëm vjetor kombëtar. Asnjëherë më parë BE-ja nuk ka dalë dorëzanë për një përqindje kaq të lartë. Por duket se në pah do të dalë një problem ndoshta edhe më i madh. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkon sipas një raporti të "Süddeutsche Zeitung" (2012/12/20) nga evropianët një falje të borxhit prej kreditorëve privatë. Përndryshe Qiproja nuk do të jetë në gjendje ta shlyejë detyrimin e saj të borxhit megjithë përpjekjet për kursim dhe reformat. Pa ristrukturimin e borxhit, shkruan "Süddeutsche Zeitung", FMN-ja nuk do të marrë pjesë në paketën e shpëtimit për Qipron.

Fotografi: dapd

Rasti i borxhit grek duhet të mbetej një rast individual

Falje borxhesh deri tani ka pasur vetëm një herë, në fillim të vitit, për Greqinë. Dhe kjo u bë vetëm pas negociatash shumë të gjata dhe të vështira me bankat. Qeveritë e BE-së nuk u lodhën asokohe duke theksuar se Greqia është një rast veçanërisht i vështirë dhe individual. Kjo u bë që të mos trembeshin investitorët. Por tani ky premtim u thye dhe kreditorëve do t'u duhet sërish të falin borxhe. Besimi tek bashkimi monetar ka humbur përsëri. Investitorët duhet të kenë frikë se ndoshta edhe për vende të tjera më të mëdha si Spanja, duhet të heqin dorë nga borxhet. Por përfshirja e FMN-së është tepër e rëndësishme, sidomos për vende të tilla me orientim kah stabiliteti si Gjermania dhe Hollanda. Ata besojnë se FMN-ja me kriteret e veta strikte të aplikuara në gjithë botën do të sigurojë më shumë disiplinë, ndërsa evropianët duken se shumë herë nuk shikojnë me aq vëmendje, kur është fjala për të ndihmuar njëri-tjetrin. Vetëm kërcënimi i një dalje të FMN-së mund të rriste në Qipro ndjeshëm presionin, për të zgjidhur problemet që kanë çuar në vështirësi.

Fotografi: Getty Images/AFP

Jo çdo vend i BE-së reagon dashamirës ndaj Qipros

Deri sa Qiproja të marrë para ndihma do të kalojnë disa javë, edhe pse gjendja sipas Ministrisë së Financave është serioze. Tani për tani trojka e Komisionit të BE, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN po hulumtojnë situatën në Qipro. Nga fundi i janarit, ministrat e Financave të grupit të euros do të marrin një pozicionin ndaj kërkesës. Por nuk është aspak e sigurt nëse ata pajtohen me paketën e ndihmave. Në radtin e Qipros ka dhe një vështirësi politike, sepse Qiproja ngriti me taksa shumë të ulta një sektor të madh bankar, i cili më pas pati probleme për shkak të krizës financiare dhe borxheve. Po ashtu ndaj Qipros ka shumë ankesa për pastrim parash. Shpëtimi i bankave qipriote do të thotë për vendet huadhënëse që të mbajnë konkurrencën me paratë e taksapaguesve. Në rast se bankat qipriote shkatërrohen ka rrezik që ishulli do të humbasë shtyllën e vet më të rëndësishme ekonomike. Kjo do të pasohet nga papunësia dhe recesioni. Si do që të vendosë BE-ja e lehtë nuk do të jetë.