1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

QUINT kritikon qeverinë e Kosovës për shpronësimet në veri

7 Qershor 2024

Qeveria e Kosovës hedh poshtë kritikat e QUINT-it, BE-së e OSBE-së ndaj një vendimi të saj për shpronësimet në veri. Sipas qeverisë në Prishtinë bëhet një vlerësim ligjor i pabazuar në argumente.

Pamje nga mbledhje e qeverisë së Kosovës
Fotografi: Office of the Government of Kosovo

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara, të njohur si QUINT në Kosovë, kreu i zyrës së BE-së dhe misioni i OSBE-së janë shprehur me shqetësim për disa shpronësime të tokave që po bën qeveria e Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe. Sipas një deklarate të përbashkët, QUINT "qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”. Më tej në deklaratë QUINT e sheh si thelbësore "që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin”. "Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet ndër të tjera në një deklaratë.

Tokat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut

Qeveria e Kosovës në janar të vitit 2023 filloi procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut. Disa toka atje ajo i ka shpallur "pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik, të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”. Sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar më herët ishte  104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok. Qytetarë serbë nga veriu kishin paditur qeverinë e Kosovës duke kërkuar që të "vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”.

Zubin PotokFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Qeveria e Kosovës reagon

Menjëherë pas deklaratës së ambasadorëve, qeveria e Kosovës hodhi poshtë kritikat e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së ndaj vendimit të saj për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Në reagimin e qeverisë thuhet se deklarata e  përbashkët e këtyre përfaqësuesve ndërkombëtar, "konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”. Sipas qeverisë, "paditësit kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë”.

"Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave, të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Fotografi: Vjosa Çerkini/DW

Në një vendim përfundimtar të Qeverisë së Kosovës të një jave më parë, thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë, pra disa hektar më pak. Por vendet e QUINT-tit, BE-ja dhe misioni i OSBE-së kanë qëndrim tjetër.  "Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim përfundimtar. Është thelbësore që Qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin”, thuhet në qëndrimin e QUINT të shprehur në deklaratën e fundit.

Vendet e QUINT kujtojnë, se edhe më parë ia kanë shprehur shqetësimin qeverisë, se "projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Marti Ahtisarit dhe e kanë inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat para se ta miratojë atë”.

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë