1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quo Vadis libri për fëmijë!

Silke Bartlik1 Prill 2006

Në ditën ndërkombëtare të librit për të rinj dhe fëmijë

Autori me famë botërore i përrallave, Hans Christian Andersen
Autori me famë botërore i përrallave, Hans Christian AndersenFotografi: AP

Më 2 prill 1805 lindi shkrimtari për fëmijë Hans Christian Andersen i cili me përrallat e tij "Shitësja e vogël e shkrepseve" dhe "Rrobat e reja të mbretit" fitoi famë botërore. Datëlindjen e autorit danez UNESCO e ka shpallur për këtë arsye "Ditën botërore të librit për fëmijë dhe të rinj". Ajo festohet në mbarë botën me seanca leximi, ekspozita libri dhe aktivitete të tjera letrare. Por në ditë të tilla bëhen më të fortë edhe zërat kritikë. Kështu është e vërtetë që është rritur xhiroja e shitjes në sektorin e librit për fëmijë por cilësia letrare lë shumë për të dëshiruar. Specialistët debatojnë tani se çfarë lexojnë ose duan të lëxojnë sot fëmijët dhe të rinjtë.

Libra ka shumë, por të mirët nuk janë më të shumtë. Kjo me sa duket prek veçanërisht tregun e librave për fëmijë dhe të rinj. Kështu juria e kritikëve e grupit të punës 'Letërsia për Fëmijë dhe të Rinj' nominoi më pak tituj për çmimin e 50-të gjerman për letërsinë për të rinj sesa do të ishte e mundur sipas statutit të vet. Arsyetimi ishte ky: cilësia e botimeve të reja në fushat: libër i ilustruar, libër për fëmijë dhe libër me këshilla linin për të dëshiruar, titujt që spikasin mungojnë. E gjitha kjo në një kohë që titujt e rinj janë më shumë se 5.000 në vit.
„Një prirje dallohet këtu: seria, cikli, masa blihen sot më shumë në treg sesa libri që ia vlen të rekomandohet, ai i vështirë dhe i vlefshëm. Seri të tëra krijohen në shtëpi botuese si Thienemann, por edhe Carlsen e Arena. Nëse kjo është e mirë apo e dëmshme do të shihet më vonë. Një pohim njihet si i saktë: librat e mirë ndiqen nga leximi i librave të tjerë, të dobtit nuk blihen; përsëri është humbur një lexues si i tillë“, thotë Eckhard Müller, drejtor marketingu i shtëpisë botuese Beltz & Gelberg, një adrese që i kushton me këmbëngulje rëndësi cilësisë, kujdesit për autorët dhe lidhjes me lexuesit. Tituj që mbijetojnë vetëm një muaj do të gjesh po aq pak në programin e shtëpisë botuese Beltz sa edhe në ata të Bloomsbury-t dhe Hanser. Kjo sepse këto shtëpi botuese me filozofinë e tyre u kundërvihen prirjeve afatshkurtra, të orientuara parësisht nga përfitimi, dhe botojnë letërsi për fëmijë dhe të rinj me vlerë të lartë, që të nxit të mendohesh e plot karaktere të punuar imtësisht. Përpiqem të vendos kritere të ngjashme me ato të programeve për të rritur, thotë Elisabeth Ruge, drejtuese e shtëpisë botuese Bloomsbury: „Nuk jam për atë që fëmijët të lexojnë gjithnjë gjërat e përgatitura thjesht për ta. Mendoj se kërkesat e tyre janë më të mëdha sesa mund të mendojnë disa njerëz. Besoj po ashtu se mund të merren përsipër rreziqe duke u paraqitur ndonjëherë fëmijëve edhe diçka të ndërlikuar, një sfidë; e zakonisht rezultati i kësaj është mjaft i mirë.“
Elisabeth Ruge boton libra në traditën e letërsisë klasike angleze për fëmijë. Këtyre u janë shtuar tituj që trajtojnë historinë; sepse ajo ka vënë re që interesi i të rinjve për historinë botërore është shtuar.