1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quo vadis Turqi - shkallëzohet kriza në politikën e brendshme

Baha Güngör4 Korrik 2008

Në Gjermani në politikën e brendshme po bien sërish këmbanat e alarmit. Partia konservatore në pushtet AKP kërcënohet të ndalohet nga Gjykata Kushtetuese.

Partia konservatore në pushtet AKP, ka dhënë ndërkohë urdhër për një valë të re arrestimesh kundër kritikëve të qeverisë dhe i akuzon ata se kanë planifikuar atentate dhe puç. Kjo e tensionon gjendjen skajshëm.

Me ankth e hedhin evropianët këto ditë vështrimin drejt Turqisë. Një zgjidhje e krizës së vazhdueshme midis qeverisë fetare-konservatore në pushtet AKP dhe laicistëve nuk duket në horizont. Asnjëra nga palët nuk lëviz as një hap nga pozicioni i saj.

Sfondi është ky: ndoshta brenda këtij muaji, gjykata kushtetuese e vendit do të vendosë nëse do të ndalohet AKP-ja. Dhe nëse do t'i ndalohet kryeministrit Rexhep Taip Erdogan dhe 40 politikanëve të tjerë që të merren edhe më tej me politikë. Argumentimi për vendimet mund të ishte se AKP-ja është kthyer në "qendër të aktiviteteve fondamentaliste kundër rendit bazë laicist të republikës". Me këtë argumentim janë ndaluar tashmë katër parti islamiste- të gjitha nën kryesinë e frymëzuesit të Erdoganit, ish-kryeministrit dhe drejtuesit islamist, Nexhmedin Erbakan.

Qeveria ka nisur ndërkohë arrestimin e disa dyzinave personash, të dyshuar si anëtarë të një organizate ilegale me emrin "Ergenekon". Ky emër përshkruan atdheun e parë mitik të popujve turq, në të cilin, sipas legjendës, ata u tërhoqën si një grup i vogël pas humbjeve të rënda kundër armiqve të tyre. Atje ata u shtuan pastaj brez pas brezi derisa, nën drejtimin e një ujku gri, e gjetën rrugën për në botën e madhe.

Simbolika flet vetë. Kritikët e regjimit dhe nxitësit e një ndarjeje të rreptë midis shtetit dhe politikës, sic e kuptonte atë themeluesi i republikës, Atatürk, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar janë margjinalizuar politikisht. AKP-ja, me një shumicë të rehatshme në parlament mund të bëjë që atëherë ç'të dojë. Atë mund ta pengojë vetëm Gjykata Kushtetuese, së cilës opozita dhe besnikët ndaj Ataturkut i janë drejtuar disa herë me shumë sukses.

Me erërat e mbara nga Evropa, Erdogani bëri gabimin që filloi ta konsiderojë të pagabueshëm veten. Premtime bujare në fushatën elektorale, si lejimi i shamisë së kokës për gratë në universitete dhe në burokraci, e shoqëruar me hapa të islamizimit të mëtejshëm të vendit duheshin realizuar, për të qetësuar bazën. Këtë Erdogani e bëri pa u druajtur për humbje dhe u përpoq t'i arrinte synimet e tij pjesërisht me metoda të forta. Ai nuk bëri kompromise dhe provokoi prova force me kundërshtarët e tij politikë.

Para fundit të luftës për pushtet nuk pritet të marrë fund kriza e brendshme politike. Pala fitimtare do të jetë përgjegjëse për ta nxjerrë Turqinë sërish në shinat në drejtim të Evropës. Perëndimit nuk do t'i duhet as një republikë turke e orientuar me teprim në vlerat islamike, as një republikë e orientuar në vlera të kapërcyera nacionaliste.