1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190909 USA Überwachung

19 Shtator 2009

Që prej 11 shtatorit 2001 shumë gjëra kanë ndryshuar për qytetarët amerikanë. Kontrollet strikte në aeroporte janë vetëm shembulli i dukshëm i masave të marra për kontrollin dhe vëzhgimin që bëhet.

Sy, simbol i vëzhgimit.
Aktivistë të të drejtave të njeriut, kanë vënë alarmin për shkeljen e të drejtave në emër të sigurisë.Fotografi: AP

Barack Obama pati premtuar në fushatën elektorale që ta fusë Amerikën sërish në rrugë të drejtë. Por asgjë nuk po duket nga kjo. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, SHBA-ja ka dalë nga kursi i politikës së të drejtave të njeriut, deklaroi presidenti amerikan Barack Obama në maj, në një fjalim në arkivin shtetëror në Uashington.„Në vend që të shfrytëzojmë me strategji vlerat tona, ne kemi lënë mënjanë shumë shpesh principet tona duke i parë ato si lluks që nuk mund ta kemi më."

Centralja e kontrollit në Melille.Fotografi: DW

Por kjo do të ndryshojë, premtoi presidenti në një vend ku ruhen fondamentet ligjore të SHBA-së, Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetura me shtesat e saj, që i garantojnë qytetarëve të drejtat e tyre themelore. Këto dokumenta duhet t`i mbrojnë ndër të tjera amerikanët edhe nga vëzhgimi pa baza i shtetit. Por nën presidentin George W. Bush ky princip ligjor u kthye përmbys, deklaron Michael German, këshilltar ligjor i shoqatës qytetare me emër ACLU: „Para se të mbledhë të dhënat e amerikanëve dhe të huajve, qeverisë nuk i duhet më tani dyshimi për ndonjë aktivitet kriminal."

Vëzhgimi i të huajve bëhej më parë nën kushte shumë më të forta, por tani ky ndryshim nuk ekziston më. Dhe ajo çka rregullohej më parë me Kodin Penal, u bë papritur çështje e sigurisë kombëtare. Me ligje të reja si për shembull „Patriot Act“, mund të përgjohen pa leje ligjore lidhje telefonike ose interneti dhe mund të merren lidhjet bankare. Sa amerikanë janë spiunuar në këtë kuadër, nuk është bërë saktësisht e ditur. Sepse mbajtja sekret, edhe ndaj vetë Kongresit, është një nga karakteristikat e mënyrës së re te të sjellurit.

Ajo çka rregullohej më parë me Kodin Penal, u bë papritur çështje e sigurisë kombëtare.Fotografi: picture-alliance/dpa

German thotë se numri i kërkesave për kontroll është rritur nga një mijë në vit më parë në dyfishin tani. Dhe rreth 50 mijë herë në vit janë marrë të dhënat për telefonata dhe konto bankare. Në gjysmën e rasteve të përgjuarit kanë qenë qytetarë me banim në SHBA. Të gjitha këto ligje janë ende në fuqi, cka nuk e cudit German-in.„Për një qeveri është gjithnjë e vështirë të dorëzojë pushtetin, që ka fituar qeveria e mëparshme."

Kështu Presidenti Obama ka refuzuar disa herë dhënien e informacioneve. Megjithëse në fjalimin e tij në maj ai pati premtuar: “Unë nuk do të fsheh të vërtetën asnjëherë, sado e pakëndshme që të jetë. Unë do e shoh Kongresin dhe Gjykatën si dy dhuna të barabarta qeverisëse. Unë do u them amerikanëve çfarë di dhe çfarë nuk di dhe kur të publikoj diçka ose ta mbaj sekret, do u them pse.“

Kështu në një nga rastet më spektakolare Obama tha se publikimi do të rrezikonte sigurinë e ushtarëve amerikanë. Kur bëhej fjalë për publikimin e fotografive që tregonin të burgosur që torturoheshin nga ushtarë amerikanë. Edhe listën e personave të cilësuar si të rrezikshëm, qeveria e Obamës nuk do që ta publikojë. Ata që ndodhen në këtë listë, kontrollohen shumë në kufi, ose dëbohen. Por duke e mbajtur listën sekret qytetarë që ndodhen pa të drejtë në të e kanë të vështirë të mbrohen.

Çdo gjë nën kontroll. Kamerat tregojnë pika të ndryshme të kufirit Nogales, Mexico, dhe Nogales, Arizona, në SHBA.Fotografi: AP

400.000 persona ndodhen në listë, sipas të dhënave të autoriteteve më pak se pesë përqind janë qytetarë amerikanë. Por aktivistët e të drejtave të njeriut janë duke arritur sukseset e para. Kështu qeverisë iu desh të ajroste pak praktikat e autoriteteve hetimore të FBI-së, shpjegon Germani. Kështu janë marrë shumë informacione për shpërdorim të forcës. „FBI nuk e ka përdorur pushtetin e vet për të identifikuar njerëz të fajshëm, por për të bërë që njerëzit të bëjnë faj. Kjo është botë e mbrapshtë. Para hetimeve nuk ekziston dyshimi, sepse ne hetojmë për të vërtetuar se nuk kemi dyshime.“

Një sukses tjetër është që qeveria e re e cila nuk i ka zënë ende të gjitha postet, do të punësojë 50 avokatë më shumë në ministrinë e drejtësisë për tu kujdesur për të drejtat e njeriut në vend. Pra, aktivistët e të drejtave të njeriut janë duke pritur. Edhe një herë Michael German:„Tre pikave të ligjit Patriot Act u kalon afati në fund të këtij viti. Ne shpresojmë që Kongresi dhe qeveria ta shfrytëzojnë këtë rast për të vlerësuar si përdoren kompetencat dhe cila të drejta kemi sakrifikuar në përpjekjet tona për të spiunuar sa më shumë njerëz.“

Autor : Christina Bergman / Aida Cama

Redaktoi : Bahri Cani