1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rëndohen marrëdhëniet Serbi-Kroaci

29 Gusht 2011

Raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë ftohur dukshëm kohët e fundit, për shkak të vizitës së kryeministres kroate Jadranka Kosor në Kosovë dhe qëndrimeve të saj ndaj të kaluarës në Kroaci.

Ivo Josipovic dhe Boris Tadic në Kroaci
Ivo Josipovic dhe Boris Tadic në KroaciFotografi: AP

Deklarata në Prishtinë e kryeministres kroate Jadranka Kosor, se Kroacia është mikja më e ngushtë e Kosovës në Ballkan, ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi. Presidenti i Serbisë Boris Tadiq ka refuzuar për shkak të kësaj deklarate dhe mbështetjes së pavarësisë së Kosovës ftesën e homologut të tij kroat Ivo Josipoviq për pjesëmarrje në një takim në Kroaci. Tadiq ka kritikuar edhe qëndrimet e kryeministres Kosor ndaj Ante Gotovinës dhe Millorad Markaçit, të cilët ajo i ka përshkruar si heronj të çlirimit të Kroacisë.

Tension në mes dy vendeve

Kryeministrja e Kroacisë Jadranka KosorFotografi: Alen Legovic

Josipoviq u përgjigj se Kroacia e ka njohur Kosovën dhe po sillet në harmoni me këtë qëndrim. Ndërkohë që përgjigja e kryeministres Kosor ishte shumë më e ashpër. "Ne nuk do të pyesim Beogradin se në çfarë projektesh duhet të punojë Kroacia", tha ajo. Ndërsa sa i përket akuzave të Tadiqit, se Kosor nuk po sillet mbi bazat e vlerave demokratike dhe nuk i ka dënuar si duhet krimet e luftës në vendin e saj, kryeministrja kroate u shpreh se "Tadiqi këtë vit ka folur për konfliktet e armatosura në Kroaci, por duke manipuluar me faktet historike. Në Kroaci nuk ka pasur konflitke të armatosura, por ajo ishte viktimë e agresionit serbomadh të Millosheviqit. Tanket serbe ishin ato, që kanë shkuar nga Beogradi për të shkatërruar Vukovarin.  Ndërkohë që Tadiqi ka heshtur, ndonëse një ministër i kabinetit të tij qeveritar ka vendosur lule mbi varrin e Millosheviqit, tiranit dhe gjakpirësit, që është përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe shumë krime të tjera Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë", deklaroi Kosor. 

Ftohja e dukshme e raporteve mes Kroacisë dhe Serbisë në Beograd shihet edhe nga prizmi i luftës së brendshme politike, që po zhvillohet në këto vende. Por ka dhe analistë, të cilët mendojnë se Kroacia po përpiqet të shfrytëzojë "momentin, kur Serbia është e dobët në skenën ndërkombëtare.“

Disa shkaqe për ftohjen e marrëdhënieve

Jadranka Kosor dhe Hashim Thaci në konferencë për shtyp në KroaciFotografi: DW

Analisti Nikola Jovanoviq thotë se janë disa shkaqe, që kanë ftohur raportet mes këtyre vendeve. Shkaku i parë është që kryeministrja Jadranka Kosor po përpiqet të sigurojë mbështetje sa më të madhe në prag të  zgjedhjeve të ardhshme. Shkaku i dytë është problemi me Kosovën, sepse Kroacia po përpiqet të shfrytëzojë vakuumin e tanishëm në tregti mes Serbisë dhe Kosovës për përfitime ekonomike. Dhe shkaku i tretë ka të  bëjë me afrimin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian: "Nënshkrimi i marrëveshjes për anëtarësim favorizon forcimin e elementit nacionalist. Ka pasur edhe shumë analistë kroatë, që kanë parashikuar që ky element do të forcohet pas vendimit për anëtarësim", thotë Jovanoviq.

Ftohja dhe ngrohja e raporteve mes vendeve në rajon nuk është asgjë e re për Ballkanin, mendon nënkryetari i Inciativës për Serbinë Igman, Aleksandar Popov. Serbia aktualisht është në një moment shumë delikat, kur duhet të vendoset për afrim me Bashkimin Evropian, ndërkohë që përpiqet të ruajë pozicionet e veta edhe lidhur me Kosovën. Por një element shumë i rëndësishëm është edhe afrimi i zgjedhjeve parlamentare në këto dy vende, thotë Popov: „Tani kemi një situatë, kur zgjedhjet në Kroaci duhet të zhvillohen deri në fund të vitit, ndërsa në Serbi zhvillohen vitin e ardhshëm. Prandaj është shumë e mundur që ky trend i fjalëve të ashpra të vazhdojë, deri sa nuk përfundojnë zgjedhjet në Kroaci. Por edhe politikanët në Serbi do të kenë kujdes për elektoratin e vet dhe do të flasin gjëra, të cilat elektorati ka dëshirë t'i dëgjojë", thotë ai.

A do të ketë përmirësim marrëdhëniesh pas një farë kohe?

Boris Tadic duke folur për arrestimin e Goran HaxhiçitFotografi: dapd

Ndërsa Jovanoviq është i mendimit se vendet e rajonit ndajnë një fat të njëjtë, pavarësisht faktit që Kroacia së shpejti do të bëhet anëtare e BE-së. „Në shtigje afatgjata këto vende duhet të bashkëpunojnë mes vete. Shpresoj se raportet serbo-kroate, të cilat së bashku me raportet shqiptaro-serbe janë vendimtare për rajon, sërish do të kthehen në rrugën e përmirësimit“, pohon Jovanoviq.

Sidoqoftë në Serbi është rritur nervoziteti pas vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe kërkesës së saj për normalizim raportesh me Kosovën. Normalizimi i raporteve mes vendeve të rajonit është një prej parakushteve kryesore për anëtarësim në BE.

Autor: Ivica Petrovic/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica