1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rűttershoff: Për zgjedhje të lira, të ndershme në Shqipëri

5 Qershor 2020

Tobias Rűttershoff, drejtues i zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman KAS”, për DW: Jam optimist që në kohën e duhur, do të kemi një marrëveshje midis maxhorancës socialiste dhe opozitës për reformën zgjedhore...

Albanien Tirana | KAS Director | Tobias Rűttershoff
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Z. Rűttershoff, përfundimi i reformës zgjedhore vazhdon të jetë  një çështje e rëndësishme dite në jetën politike të Tiranës dhe angazhimin e faktorit ndërkombëtar. Ka kaluar një javë nga skadimit i afatit të dakortësuar nga palët për ta përfunduar. Por kjo reformë po mbetet e bllokuar. Cilat janë sipas mendimit tuaj për arsyet kryesore të bllokimit?

Tobias Rűttershoff: Diskutimet për reformën zgjedhore po vazhdojnë prej disa kohësh. Në fakt, ato janë ndërprerë dhe kanë rifilluar gjatë dy viteve të fundit. Mendoj se është e mundur të kapërcehet polemika për çështjen e përbërjes së komisioneve zgjedhore. Në këndvështrimin tim, gjëja më e rëndësishme në reformën zgjedhore është që fokusi kryesor të jetë saktësia dhe jo shpejtësia. Përndryshe, kjo mund të rezultojë një reformë e dështuar, që përbën rrezik për përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Bundestagu gjerman dhe Këshilli i Bashkimit Evropian. Na duhet një zgjidhje ligjore, e shëndetshme që  të jetë e pranueshme për të gjitha palët e përfshira.

DW: Çfarë garancishë mund t'i jepen nga qeveria, opozitës jashtë parlamentare, të kryesuar prej Partisë Dremokratike, (PD)  që ajo të besojë që zgjedhjet parlamentare 2021 do të jenë të lira dhe të ndershme?

Tobias Rűttershoff: Tri ꞔështje kanë qenë, ndër të tjera, veçanërisht në fokus në zgjedhjet e fundit në Shqipëri: blerja e votës, manipulimi i votës përmes mbushjes së kutive të votimit dhe presioni ndaj punonjësve të administratës publike gjatë procesit zgjedhor. Raporti i ODIHR-it për vitin 2019, për shembull, deklaron shprehimisht: "Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin masa maksimale për të eleminuar problemin afatgjatë të keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë dhe midis zgjedhjeve.” Hapa të mëtejshme duhen ndërmarrë për të arritur depolitizimin e shërbimit civil dhe siguruar që nuk ushtrohet presion mbi votuesit që ata të ndjekin ngjarjet e fushatës zgjedhore apo të votojnë në një mënyrë të caktuar. Prandaj, besoj se për këto probleme kemi nevojë për zgjidhje të forta dhe të zbatueshme për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme.

DW: Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga rekomandimet kryesore të OSBE / ODIHR-it. Si e shikoni kërkesën e PD, dhe në përgjithësi të opozitës jo parlamentare, për të pasur dy komisionerë në përbërjen e komisioneve zgjedhore, të caktuar nga partitë politike?

Tobias Rűttershoff: Mendoj se diskutimi për komisionerë nga partitë politike errëson, lë në hije çështjen reale që po diskutohet, që do të thotë  politizimin e qenësishëm të administratës publike dhe presionin që ushtrohet mbi anëtarët e komisioneve zgjedhore. Kjo jo vetëm që është vërejtur në rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, por këtë e kemi vërejtur edhe në studimet e kryera nga Fondacioni ynë,”Konrad Adenauer”.  Prandaj, është thelbësore të zvogëlohet ky ndikim politik në procesin e zgjedhjeve me anë të administratës publike.

DW: A është nënshkrimi i pritshëm nga PD i marrëveshjes me qeverinë / maxhorancën socialiste, për reformën zgjedhore,  e vetmja  rrugë, që kjo parti dhe opozita jo parlamentare, -në fakt opozita reale në garë përballë PS - të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, pra të rifutet në sistemin politik prej nga doli në shkurt 2019 ?

Tobias Rűttershoff:  Jam optimist që në kohën e duhur, do të kemi një marrëveshje midis maxhorancës socialiste dhe opozitës për reformën zgjedhore, që do t'i hapë rrugën zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme dhe ku do të marrin pjesë të gjitha forcat politike. Shumë e rëndësishme është që pasi të nënshkruhet marrëveshja, të ketë transparencë të plotë dhe sqarime për publikun shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar lidhur  me çështjet e diskutuara dhe sesi është menduar që ato të zgjidhen. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e presionit ndaj administratës publike, por edhe me gjëra të tilla si blerja e votave apo financimi i partive. Palët duhet të zgjidhin gjithashtu përmbushjen, në mënyrë  të mjaftueshme, të kushteve të Bundestagut gjerman dhe Këshillit të BE-së për fillimin e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë në BE.

DW:  A mund të jetë bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare 2021 një mundësi hipotetike për PD dhe opozitën jo parlamentare nëse kërkesat e saj, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme -përveꞔ plotësimit të rekomandimve të OSBE / ODIHR-it- mund të mos përmbushen?

Tobias Rűttershoff: Për mua as që mund të bëhet fjalë për një mundësi të tillë hipotetike. Siç theksova më lart, pas marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe transparente për zgjedhjet, duhet të kemi bazën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

DW:  A jeni optimist që aktorët politikë do të arrijnë të vendosin interesin e vendit mbi interesat e partisë dhe të përfundojnë reformën zgjedhore, që sikurse e theksuat edhe ju, është një kusht i Brukselit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë?

Tobias Rűttershoff: Reforma zgjedhore është vetëm një nga kushtet e përcaktuara nga Bundestagu gjerman dhe Këshilli i BE që Shqipëria të hapë negociatat për hyrjen në BE. Këto kushte u mirëpritën nga të gjitha partitë politike në Shqipëri. Pres dhe shpresoj që të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces t'i përmbahen, t'i plotësojnë këto kushte dhe t'i tejkalojnë vështirësitë që paraqet plotësimi i tyre. Është një rrugë e gjatë dhe është në natyrën e negociatave që të gjitha palët do të duhet të bëjnë kompromise. Gjithsesi, të gjitha palët ia kanë borxh këtë publikut shqiptar, që dëshiron kaq shumë hyrjen në BE dhe një të ardhme më të mirë për vendin.

 

Tobias Rűttershoff drejton zyrën në Tiranë të Fondacionit gjerman " Konrad Adenauer”