1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
SportRumani

Racizmi në futbollin rumun

Cristian Stefanescu
10 Dhjetor 2020

Pas akuzës për racizëm ndaj një gjyqtari rumun u anulua të martën një lojë e Champions League. Në futbollin rumun ka shumë intolerancë po kjo duket se nuk shqetëson askënd.

Frankreich Fußball Champions League Paris Saint Germain - Istanbul Basaksehir
Fotografi: Francois Mori/AP Photo/picture alliance

Arbitri rumun, Sebastian Colțescu, në ndeshjen midis Paris Saint Germain dhe Basaksehir e Stambollit, akuzohet për përdorimin e një fjale raciste raciste. Skuadra turke u tërhoq nga fusha të martën në mbrëmje, e ndjekur nga skuadra francezë. Pas diskutimeve të një shtabi krize të UEFA-s, loja u shty për të nesërmen. Vetë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërkoi nga UEFA të marrë "masat e nevojshme" për t'iu përgjigjur deklaratave raciste kundër ndihmëstrajnerit të ekipit turk që është nga Kameruni.

Arbitri rumun, Sebastian Colțescu dhe ndihmëstrajnerit të ekipit turk nga KameruniFotografi: Charles Platiau/REUTERS

Sidoqoftë është e vështirë të thuhet nëse gjyqtari rumun kishte vërtet qëllime raciste, sepse fjala "negru" me të cilin ai iu drejtua kamerunasit Pierre Webó, nuk është përkthimi i fjalës ofenduese në gjuhën angleze për të cilën në rumanisht ka një fjalë tjetër. "Negru" në rumanisht do të thotë "i zi/e zezë" dhe është një emërtim neutral i ngjashëm me termin që përdor edhe lëvizja anti-raciste "Black Lives Matter".

Sipas autoriteteve rumune Colțescu nuk ka qenë i përgatitur sa duhet lidhur me rregullat e qarta kundër racizimit që kanë UEFA, FIFA dhe FRF. Ministri rumun i Sportit Ionut Stroe tha se çështja Colțescu është "një rast i izoluar që nuk është përfaqësues për sportin rumun".

Stadiume plot urrejtje

Pas incidentit në Paris Federata Rumune e Futbollit deklaroi se " distancohet nga çdo akt ose deklaratë me tendencë raciste ose ksenofobe". Presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Răzvan Burleanu, theksoi: '"Në futbollin rumun ka mjaft probleme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themi se tifozët tanë janë racistë."

Gjithësesi një deklaratë e tillë nuk është e vërtetë, sepse racizmi dhe ksenofobia janë ende të pranishme në stadiumet rumune. Prej dekadash këngët e tifozëve kundër pakicave etnike janë një praktikë e zakonshme sikurse dëshmojnë vargjet "Ne gjithmonë kemi pasur dhe do të kemi neveri ndaj ciganëve" apo "Zhdukuni nga vendi o hungarezë!"

Gigi BecaliFotografi: picture alliance/AP Photo

Sulme verbale raciste dëgjohen jo vetëm nga tifozët, por edhe nga zyrtarët më të lartë të futbollit. Kështu Gigi Becali, pronari i klubit më të shquar të futbollit të Rumanisë Steaua Bukuresht, nuk ka rënë në sy vetëm me deklaratat e tij kundër ciganëve. Ai e ka ndaluar që në stadiumin e klubit të tij të luhet kënga e grupit Queen "We will rock you" për shkak se këngëtari kryesor i grupit Freddie Mercury ishte homoseksual. Atij i pëlqen t'i quajë gratë si "skllave të meshkujve". Përveç kësaj Becali nuk e fsheh se për përzgjedhjen e lojtarëve ai bazohet tek feja dhe tek ngjyra e lëkurës.

Nga stadiumet në parlament

Shpesh në stadiume dëgjohen parrulla raciste dhe ksenofobike. Madje për shkak të tyre në tetor 2019 ekipi kombëtar rumun u dënua dhe në ndeshjen kundër Norvegjisë të zhvilluar në Rumani nuk u lejuan të ishin të pranishëm tifozë.

Themeluesit e partisë ekstremiste të djathtë Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), e cila tani ka hyrë për herë të parë në parlamentin rumun, George Simion dhe Cristian David, kanë qenë drejtues të grupeve të tifozëve ultra të djathtë. Këto grupe kanë tërhequr shpesh vëmendjen përmes banderolave me mesazhe politike islamofobe dhe kundër refugjatëve.