Radiot nga Kosova triumfojnë në Tuzlla
3 Korrik 2008
Tuzlla, një qytet i bukur në veri të Bosnjë Hercegovinës, e pasur me arkitekturën e periudhës së sundimit otoman dhe austrohungarez, ishte mikpritësi i Festivalit Rajonal të Radiove, “Tingulli është vizion-Tuzlla 2008”.
Mon Zhubi, gazetar shumëvjeçar dhe pjesëtar i jurisë, thotë se ndër kriteret kryesore për pjesëmarrësit në festival është “zgjedhja e bukur e temës, qasja e gjithanshme dhe shumëllojshmëria e burimeve, radiofonia si dhe ajo më e rëndësishmja, gjuha e gazetarit“.
Në festivalin radiofonik të Tuzllës, u konkurua në pesë kategori me 160 punime të rreth 50 radiostacioneve të rajonit si dhe pesë fakulteteve dhe shkollave të gazetarisë. “Dhe, mund të them lirisht se tani po triumfojnë radiot nga Kosova. Kësaj radhe u dëshmua se në një konkurencë të fortë, në Kosovë erdhën dy çmimet më të rëndësishme të festivalit, Çmimi per siglën më të mirë si dhe Çmimi i Parë i Festivalit”- thotë Suada Axhanel, koordinatore e Shoqatës së Radiostacioneve Lokale të Evropës Juglindore, “Alter Media“ dhe njëra ndër organizatoret e festivalit.
“Jeta eshte libër. Në çdo faqe shkruan: “Radio Dukagjini!” -janë vargjet e siglit identifikues të Radio Dukagjinit, autor i te cilit ishte mjeshtri i zërit, Eroll Grapci.
“Kjo është një shtytje më shumë për Radio-Dukagjinin, për Radio Kosovën dhe Kosovën në përgjithësi dhe jam i bindur se ne do të vazhdojmë me këtë ritëm”-thotë Erolli. Ndërkohë që, sipas redaktores se Radio Kosovës, Dhurata Kaba-Mustafa, pjesëmarrëse dhe njëra ndër themelueset e këtij festivali: ”Për të qënë njeriu i suksesshëm, në çdo aktivitet duhet ta angazhojë mëndjen, zemrën dhe shpirtin. Dhe, të kesh vlerë dhe të dish ta tregosh atë, do të thotë, të kesh vlerë të dyfishtë. Sepse, fshehtësia e suksesit në jetë nuk lidhet me atë që njeriu të bëjë atë që do-por ta dojë atë që bën”.
Ermal Panduri me reportazhin “Prerja ilegale e pyjeve”, i solli Radio Dukagjinit, Çmimin e Dytë të festivalit në kategorinë e reportazhit radiofonik:
“Në trekëndëshin kufitar Kosovë-Mal i Zi-Shqipëri, gjenden vargmalet e ashtuquajtura Alpet Shqiptare apo Bjeshkët e Nemura. Me një lartësi mbidetare mbi 2000 metra, ato kanë bukuri të shumta natyrore dhe pasuri te rralla nga flora dhe fauna. Këto male ndryshe vlerësohen edhe si mushkëritë e Kosovës apo të rajonit. Përderisa për mushkeritë, duhani është përgjegjësi kryesor i kancerit, për këto male, kancer po bëhen njerëzit!”(Reportazhi I Radio Dukagjinit).
Ndërsa, juria profesionale e përbërë nga Snjezhana Mulic, nga Sarajeva, Rade Veljanovski, nga Beogradi dhe Nail Kurtiç, nga Tuzlla, Çmimin e Parë për reportazhin më të mirë të Festivalit Rajonal të Radiove “Tingulli është vizion-Tuzlla 2008”, vendosi t´ia ndajë Radio Kosovës për reportazhin “Jeta në natyrë”, të autores Ajete Beqirajt”.
“Nuk e prisja marrjen e Çmimit të Parë, duke marrë parasysh konkurencën e fortë dhe numerike nga radio, fakultete e shkolla gazetarie të rajonit. Por, ndoshta, më lejohej ta shpresoja, duke marrë parasysh përvojat e mira që kam marrë nga kolegët e mi të nderuar në Radio Tirana, Dojçe Vele dhe në Radio Kosova. Ndoshta, merita për këtë ju takon më së tepërmi redaktorëve të mi”-thotë Ajete Beqiraj, e cila aktualisht punon edhe si korrespondente e Dojçe Veles ne shqip.
“…Tashmë, dielli është rrokullisur prapa Bjeshkëve të Nemura e muzgu pranveror po hap krahët mbi folenë që frymon në gji të natyrës. E teksa mali, lugina dhe çdo gjë e gjallë prehet në qetësinë e bjeshkës, Lumbardhi rrugëton edhe natën me rrëmbim, për t´u derdhur nëpër fushat pjellore të Dukagjinit...(Reportazhi I Radio Kosoves”).