1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova më në fund me qeveri të re

Bekim Shehu
9 Shtator 2017

Tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, Kosova ka qeverinë e saj. Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj, mori shumicën e thjeshtë me 61 vota, përballë saj një opozitë e fortë e 58 deputetëve nga Vetëvendosja dhe LDK.

Kosovo Parlamentswahlen Ramush Haradinaj
Fotografi: Reuters/A. Beqiri

Me 61 vota pro, asnjë kundër, një abstenim, pa prezencën e opozitës në sallë, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re të Kosovës me kryeministër, Ramush Haradinajn. Votimit të qeverisë Haradinaj i parapriu një situatë jo e këndshme, vonesa e deputetëve të Listës Serbe, të cilët nuk gjendeshin në Kosovë, por në Serbi në takim me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Kjo bëri që dy subjektet politike, lëvizja Vetëvendosja dhe LDK, të shpërthejnë me akuza kundër koalicionit qeveritar, i cili sipas tyre "qeverisjen në Kosovë e var nga disponimi i Beogradit”. Megjithatë, pa zhvillim debati, dhe vetëm me betimin e kabinetit qeveritar, kuvendi votoi qeverinë Haradinaj.

Haradinaj premton zhvillim dhe anëtarësim në NATO

Kryeministri tashmë i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paradeputetëve shpalosi në pika të shkurtra disa vija programore, duke premtuar se më vonë në muajt në vazhdim do të shpalosë në detaje planin e tij qeverisës, katër vjeçar.  "Në planin e brendshëm dhe të jashtëm gjendja e përgjithshme në Kosovë është e keqe, me një korrupsion endemik gjithandej, dhe një situatë tepër të ndjeshme në besimin në institucione të Kosovës. Prandaj do të punojmë që ta zhdukim korrupsionin dhe ta kthejmë besimin në institucione”, tha Haradinaj, duke bërë thirrje për zbatim të rendit dhe ligjit. "Kosova do të ndihet e sigurt vetëm si anëtare e NATO-s. Do të punojmë në kohë rekord për zbatimin e MSA-së në mënyrë që ta fitojmë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Fotografi: Reuters/H. Reka

Ndërprerja e seancës

Dialogun me Serbinë, duhet ta zhvillojmë, sepse Serbinë e kemi fqinjë. Duhet edhe një dialog i brendshëm me serbët e Kosovës në mënyrë që ata ta ndjejnë veten qytetar të Kosovës”, u shpreh Ramush Haradinaj duke iu dejtuar serbëve të Kosovës për disa momente në gjuhën e tyre.

Për disa orë rresht, Kuvendi i Kosovës ndërpreu seancën në pritje të deputetëve serb, të cilët ishin rrugës së kthimit nga Beogradi në Prishtinë. Deputetët e listës "Srpska”, para se ta votonin qeverinë Haradinaj, ishin në Beograd ku takuan Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që "ta merrnin përkrahjen e tij për ta votuar ose jo qeverinë Haradinaj”. Mediet serbe citojnë Presidentin Vuçiq të ketë thënë se "deputetët serb të Kosovës vet vendosin ta mbështesin ose jo zotin Haradinaj”, ndërkaq, nuk u durua pa thënë se "më mirë më Ramush Haradinajn sesa me Albin Kurtin, i cili pretendon Shqipërinë e madhe”, citojnë mediet serbe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kritika të ashpra nga opozita

Prezantimi i kabinetit qeveritar i kryesuar nga Ramush Haradinaj, u kritikua ashpër nga dy subjektet politike që tashmë me 58 deputet do ta bëjnë opozitën në Kosovë, lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kreu i LDK-së Isa Mustafa, u shpreh se "ajo çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës është e tmerrshme”. "Zgjidhja e vetme është në shumicën shqiptare në Kuvend, prandaj sot do të duhej të tërhiqet apo të rrëzohet ky koalicion dhe të themelohet koalicioni i madh pa PDK-në dhe pa ndikim të Listës Serbe. Nuk duhet të lejojmë këtë masakër të Serbisë në institucionet shtetërore të Kosovës”, u shpreh Isa Mustafa.

Fotografi: Reuter/A. Beqiri

"Mendoj se varësia e vërtetë është nga Lista Serbe. Për gjithçka tash e tutje do të presim kështu, Qeveria jonë me kokën e kthyer nga Beogradi. Do të varemi tërësisht nga Gjuriqi e Vuçiqi”, tha nga ana tjetër shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Qeveria e Kosovës e cila me shumicën e thjeshtë u votua në kuvendin e Kosovës ka mandat katër vjeçar dhe është qeveria e katërt pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dy mandate jo të plota qeverisëse, ku kryeministër ishte, Hashim Thaçi, aktualisht President i Kosovës. Një mandat të lënë përgjysmë pas një mosbesimi në parlament, ku kryeministër ishte, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ndërsa tani në krye të qeverisë së Kosovës është Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ramush Haradinaj, 49 vjeçar në vitin 2005 ishte për tre muaj kryeministër i Kosovës. Ai në atë kohë dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Në dy procese gjyqësore në Hagë, Haradinaj u shpall i pafajshëm. Pas 12 vjetësh, ish-komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, bëhet sërish kryeministër i Kosovës. Edhe dy figura tjera të larta të ish-UÇK-së, tashmë janë në postet më të larta drejtuese të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, President i Kosovës dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Përbërja e qeverisë së Kosovës

Kabineti qeveritar me kryeministër Ramush Haradinaj, ka 21 ministri dhe pesë zëvëndës-kryeministra, qeveri kjo që analistët politik e quajnë "megaqeveri”, në një vend të vogël siç është Kosova me 1.8 milion banorë.

Kryeministër: Ramush Haradinaj

Zëvendëskryeministra:

Enver Hoxhaj

Fatmir Limaj

Behgjet Pacolli

Dalibor Jevtiq

Dardan Gashi

Ministrat:

Ministria e Financave: Bedri Hamza

Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë: Besim Beqaj

Ministria e Drejtësisë : Abelard Tahiri

Ministria e Shëndetësisë: Uran Ismajli

Ministria e Integrimeve Evropiane: Dhurata Hoxha

Ministria e Kulturës: Kujtim Gashi

Ministria e Infrastrukturës: Pal Lekaj

Ministra e FSK-së: Rrustem Berisha

Ministria e Arsimit: Shyqeri Bytyqi

Ministria e Tregtisë: Bajram Hasani

Ministër i Punës: Skender Recica

Ministër i Punëve të Jashtme: Behgjet Pacolli

Ministria e Mjedisit: Albena Reshitaj

Ministria e Punëve të Brendshme: Flamur Sefaj

Ministria e Zhvillimit Ekonomik: Valdrin Lluka

Ministria e Diasporës: Dardan Gashi

Ministria e Pushtetit Lokal: Ivan Todosijeviq

Ministria për Kthim: Dalibor Jevtiq

Ministria e Bujqësisë: Nenad Rikalo

Ministria e Administratës Publike: Mahir Jagcilar

Ministria e Zhvillimit Rural: Rasim Demiri