Raprezaljet temë në takimin e parlamentarëve gjermanë dhe rus
18 Prill 2007
Përdorimi i përsëritur, masiv i dhunës nga forcat e sigurisë nuk është i denjë për një shtet të angazhuar ndaj vlerave evropiane, tha për shembull koordinatori i qeverisë gjermane për marrëdhëniet gjermano-ruse, Andreas Schockenhoff. Por kritikë nuk u shpreh vetëm nga distanca, ngjarjet u trajtuar edhe drejtpërdrejt në një takim ruso-gjerman deputetësh.
Në fakt sjellja e udhëheqjes shtetërore ruse me opozitën nuk qëndronte në rendin e ditës të takimit gjermano-rus të deputetëve në Moskë dhe Uljanovsk. Por pasi forcat speciale të ndërhyrjes rrahën dhe arrestuan të shtunën në Moskë dhe të dielën në Shën Petërburg demonstrues dhe gazetarë perëndimorë, tema vështirë se mund të lihej anash.
Profesor Gert Weisskirchen, zëdhënës për politikën e jashtme i fraksionit parlamentar socialdemokrat dhe drejtues i grupit të deputetëve gjermanë: "Ne diskutuam hapur për çështjen dhe besoj që në palën ruse po rritet mirëkuptimi se imazhi i krijuar në medie dëmton vetë Rusinë. Shpresoj mjaft që në të ardhmen ngjarje të tilla të trajtohen më arsyeshëm sesa ndodhi këto ditë."
Drejtuesi i grupit të deputetëve rusë, Valeri Jasev, kryetar i komisionit të Dumës për energjetikën, paralajmëron për dënime të nxituara. "Vetëm hetimi zyrtar mund të konstatojë nëse organet e mbrojtjes së ligjit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Hë për hë nuk duhet pretenduar se ato i kanë shkelur rregullat. Njeriu nuk duhet të goditet detyrimisht nga shkopi i gomës."
Korrespondeti i televizionit gjerman ARD në Moskë Stefan Stuchlik jo vetëm që u godit me shkop gome, por u sulmua nga pas dhe u qëllua me grusht në tëmth, sepse me sa duket për syrin e goditësit nuk po largohej aq shpejt sa duhej.
Bernhard Kaster, sekretar i fraksionit konservator CDU/CSU në parlament, kritikoi joproporcionalitetin në ndërhyrjen e policisë dhe të forcave speciale të ministrisë së brendshme.
"Ne themi shpesh se duam të jemi një bashkësi vlerash dhe pjesë e saj është moskrijimi këtu i një klime frike, i një klime ku gazetarët duhet të shqetësohen për raportimin e tyre - krejt ndërhyrja ishte joproporcionale."
Rusia ankohet vazhdimisht për paraqitjen e vendit dhe të politikës jashtë, reagon shumë ndjeshëm ndaj kritikës prej Perëndimit, veçanërisht prej SHBA, dhe e konsideron atë përzierje në punët e brendshme. Nga ana tjetër Rusia është krenare për statusin e rifituar të fuqisë botërore. Në këtë sfond e vlerëson politikën ruse
Marie Luise Beck e të gjelbërve.
"Është mbajtja e ekuilibrit midis të ndjerit e fyer dhe të ndjerit shumë i madh. Në qendër të debatit janë gjithnjë SHBA dhe tema është ajo e një fuqie botërore që ka fituar dhe e një fuqie tjetër, një pjesë e së cilës është shpërbërë."
Megjithë diskutimin mbi ngjarjet aktuale rendi i ditës nuk u ndryshua krejtësisht. Tema e energjisë luajti një rol të madh. Kryetari i komisionit të Dumës për politikën energjetike Jasev lavdëroi bashkëpunimin gjermano-rus në fushën e energjisë, ndërthurjet ekonomike, projektet e planifikuara si për shembull naftësjellësin e Detit të Veriut. Ai deklaroi se Rusia ka nevojë për teknologji gjermane në fushën e gazit dhe të ndërtimit të turbinave. Kristiandemokrati Bernhard Kaster kërkoi nga Rusia përpjekje më të mëdha në kursimin e energjisë dhe përfshirjen e më shumë sipërmarrjeve të vogla e të mesme në tregtinë e jashtme.