1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rasmussen Ausblick

31 Korrik 2009

Të shtunën (01.08.) danezi Rasmusen (Rasmussen) mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Atë e presin detyra të mëdha: para së gjithash angazhimi i NATO-s në Afganistan, i cili nuk po shkon si duhet.

Sekretari i Ri i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen. Ne foto: Rasmusen flet ne takimin e Natos ne Strasburg, prill 2009
Sekretari i Ri i Përgjithshëm i NATO-s, RasmusenFotografi: AP

Në radhë të parë Rasmusenit i duhet të fitojë besimin e kolegëve nga Turqia

Ai nuk mundi ta përmbante lumturinë, kur më në fund mori lajmin:

"Ndihem shumë i nderuar për emërimin si Sekretari i ri i Përgjithëm i NATO-s dhe do të bëj gjithçka për të justifikuar besimin e kolegëve të mi." Kështu u shpreh Rasmuseni në fillim të prillit, gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Strasburg dhe Kehl.

Në radhë të parë Rasmusenit i duhet të fitojë besimin e kolegëve nga Turqia. Kryeministri turk Erdogan iu kundërvu gjatë dhe me vendosmëri kandidaturës së Rasmusenit - dhe ndërroi qëndrim vetëm në minutën e fundit, duke i dhënë danezit bekimin e tij.

Në krye të listës së detyrave të Rasmusenit: angazhimi i NATO-s në Afganistan.

Rasmuseni konsiderohet si shamia e kuqe ndaj demave në botën islamike. Shkak për këtë janë karikaturat e Muhametit, të botuara para disa vjetësh në gazetat daneze. Asokohe Rasmuseni ishte kryeministër i Danimarkës.

Por në fund ai ia doli mbanë – sidomos me mbështetjen e Obamas, Merkelit dhe Sarkozisë.

Por problemet e vërteta vijnë pas marrjes së postit: sepse detyrat që e presin Rasmusenin nuk janë të lehta.

Në krye të listës: angazhimi i NATO-s në Afganistan.

"Ne nuk mund të pranojmë që Afganistani të bëhet sërish një strehë për terrorizmin ndërkombëtar", një fjali kjo që është më e lehtë të thuhet se të kryhet.

Cilat vende duhet të bëhen anëtare të rinj të NATO-s?

Jap de Hof Skefer lë pas një NATO përgjithësisht të bashkuarFotografi: AP

Që prej vitit të kaluar gjendja e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar ndieshëm - edhe në zonën veriore të vendit që dikur ishte e qetë, dhe ku është stacionuar ushtria gjermane gjendja po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. NATO-ja s'mund t'ia lejojë vetes të dështojë në Afganistan, presioni është i jashtëzakonshëm – edhe Rasmuseni e di këtë.

Veç Afganistanit përpara NATO-s shtrohen edhe shumë pyetje të tjera: Çfarë synon NATO-ja? A do të jetë apo jo police e botës? Cilat vende duhet të bëhen anëtare të tjera të saj?

Për këtë pyetje sekretari i deritanishëm i NATO-s, Jap de Hop Skefer (Jaap de Hoop Scheffer) nuk ka gjetur përgjigje. Megjithatë, në momentin kur de Hop Skeferi u bë shef i NATO-s, aleanca qe e përçarë thellë sa u përket qëndrimeve, për shkak të luftës në Irak të amerikanëve. Kurse angazhimi i NATO-s në Afganistan ishte në fillimet e tij.

Jaap de Hop Skeferi nuk arriti të vinte thekse të vetat

De Hop Skeferi i dorëzon pasardhësit të tij një NATO në përgjithësi të bashkuar, por Jap de Hop Skeferi nuk arriti të vinte thekse të vetat. Nëse Rasmuseni, djali i një fshatari danez nga Jytlanda do t'ia dalë mbanë të vërë thekset e veta, me stilin e tij të thjeshtë, të ftohtë dhe të tërhequr, kjo pritet të shihet.

Autor: Mihael Gëçenberg/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë