200711 Griechenland EU-Fördermittel
20 Korrik 2011
Ata e quajnë Silicon Valley të Greqisë. Pak me ironi, por pa dyshim me vetëbesim: Corallia quhet qendra teknologjike në veri të Athinës. Si në një varg koralesh duhet të punojnë këtu firma të reja nga fusha e mikroelektronikës. Efstratios Kehayas para një gjysmëviti vendosi që pas universitetit të vijë drejtpërdrejt këtu:
"Kur hymë për herë të parë në godinë, e ndiemë veten menjëherë në shtëpi. Aty pamë njerëz, me të cilët mund të flisnim, që e dinin menjëherë se për se bëhej fjalë. Që arritëm t'i mbledhim të gjithë këtu, ky është me të vërtetë një sukses për t'u mbajtur mend i firmës sonë."
Së bashku me një shokun e tij të studimeve, inxhinieri elektrik themeloi firmën Constelex, e cila prodhon përforcues shumë cilësorë për dritat nga fibrat optike. Ky është vetëm një shembull, midis shumë shembujve. Që prej themelimit pesë vjet më parë, projekti në fjalë, që mbështetet me para të Bashkimit Evropian është rritur gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, firmat jo vetëm zhvillojnë këtu produkte, po edhe prodhimi është zhvendosur gjithnjë e më shumë në Greqi, thotë drejtori i Corallias Jorge Sanchez Papaspiliu:
"Kjo ndodh, sepse ne e kemi arritur masën kritike. Ekziston logjistika dhe shpenzime më të vogla. Prandaj këtu bëhen gjithnjë e më shumë prodhime, prodhimi nuk shkon në botën e jashtme."
Një shkëndijë shprese në mes të depresionit, Greqia arrin suksese në eksport në fusha dytësore ekonomike. Ekonomia klasike është përtokë dhe ka nevojë urgjente për ndihmë, mendon Konstatin Megalos, president i Dhomës greke të Industrisë dhe Tregtisë. Bankat greke nuk japin më thuajse fare kredi, as për investime me vend. Prandaj paratë nga fondet strukturore evropiane duhen përdorur me fantazi.
"Qeveria greke duhet të ushtrojë presion tek autoritetet evropiane, të cilat paguajnë para, të përcaktuara gjithsesi për Greqinë. Në mënyrë që këto para të mund të përdoren si për investime publike, ashtu edhe që ato të investohen përmes bankave tek sipërmarrjet", thotë Megalos.
Për shumë sipërmarrje të mesme ndërkohë në lojë është vetë ekzistenca. Por paralelisht me këtë duhet edhe të krijohet baza për industri të reja, kërkojnë sipërmarrësit. Qendra e mikroteknologjisë Corallia mund të jetë një shembull si mund të sigurohet në plan afatgjatë punësimi edhe në degë të tjera të ekonomisë.
Autor: Wolfgang Landmesser / Auron Dodi
Redaktoi: Elert Ajazaj