1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rasti i adoleshentit gjerman dëshmon se ç´imazh të keq gëzon Turqia në Gjermani

S.H27 Qershor 2007

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek rasti i 17-vjeçarit gjerman që ndodhet në burgjet e Turqisë si edhe tek propozimi i socialdemokratëve gjermanë, për krijimin e fondit shtetëror të kursimeve në favor të punëmarrësve

Gazeta «Kölner Stadt-Anzeiger» fokusohet tek rasti i adoleshentit gjerman, Marko:

"Tani ka filluar një stuhi e vërtetë. Politikanët gjermanë përfitojnë nga rasti se ndodhemi në mes të pushimeve të verës, për t´u profiluar sërish përpara mediave, ndonëse dëshmojnë se nuk e kanë idenë e asaj që bëjnë. Një gjykatës gjerman do të ishte mirënjohës në rast se një kryeministër turk apo një politikan i lartë, do t´i propozonte që të lironte një të burgosur turk. Kur zyrat përkatëse turke insistojnë se nuk mund të bëjnë përjashtime për një të burgosur gjerman, atëherë duhet ta pranojmë këtë vendim. Por duhet të ngulet këmbë që djaloshi të dalë të paktën në këmbim të një shume që do të garantojë se ai nuk do të zhduket pa lënë gjurmë. Gjithashtu duhet ndërmarrë çdo hap që ky djalosh ta kalojë dënimin në Gjermani."

Gazeta «Neue Westfälische» shkruan:

"Rasti i adoleshentit dëshmon se ç´imazh të keq gëzon Turqia në Gjermani: Një djalosh gjerman si viktimë e krenarisë orientale ndodhet tani në një burg të errët. Por edhe në anën turke shfaqen paragjykimet e vjetra: Politikanët e Ankarasë nënkuptojnë urdhërat e fuqisë së dikurshme koloniale tek kërkesa e Berlinit për lirimin e nxënësit. Kjo përshtatet për mrekulli me imazhin e nacionalistëve turq. Perëndimi ka vetëm si synim ta ulë poshtë Turqinë si dikur në Luftën e Parë Botërore, kur superfuqitë donin ta ndanin vendin mes njëri-tjetrit. Ja pra se ç´mund të ndodhë pas një historie në një dhomë hoteli gjatë ditëve të sotme."


Gazeta «Frankfurter Rundschau» shkruan:

"Ngjarja është kthyer me të drejtë në një skandal. Situata në burgjet turke është e papranueshme, për çdo njeri. Markos dhe drejtësisë do t´u ndihmohet më mirë sikur të bërtitet më pak e të punohet më shumë për të arritur një marrëveshje. Ai duhet të dalë menjëherë nga burgu. Ai meriton një proces të drejtë gjyqësor. Për këtë është e nevojshme që Turqia të veprojë në bazë të drejtësisë."


Ndryshojmë temë.


Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan mbi idenë e partisë social demokrate SPD për krijimin e të ashtuquajturit "Fondi i Gjermanisë":

"Kryetari partisë social demokrate, Kurt Beck ka propozuar një fond për Gjermaninë. Punëdhënësit dhe punëmarrësit duhet të paguajnë tek këto fonde, të cilat do të mbështeten edhe nga shteti dhe që do të jenë të siguruara ndaj humbjeve të bursës. Ky fond shtetëror do t´ua kthejë paratë sërish firmave që paguajnë në të, në rast nevoje. Me fondin e Gjermanisë të propozuar nga Kurt Beck, punëmarrësit nuk bëhen dot aksionerë të firmave në të cilat punojnë, por kursimet e tyre do të rriten falë mbështetjes financiare nga shteti. Unioni ndërkohë flet për pjesëmarrjen direkte të punëmarrësve në fitim. Por kur pronarët e firmave u ofrojnë punëmarrësve mundësine e investimit në firmat e tyre, atëherë punëmarrësit duhet të mbajë edhe përgjegjësitë dhe të llogarisin rreziqet që mund të sjellë ky investim."

Gazeta «General-Anzeiger» nga Boni shkruan:

"Iniciativa e kryetarit të SPD-së Kurt Beck, për të krijuar një formë të re të ndarjes së fitimit me punëmarrësit, është një ide pozitive. Krahasuar me vende të tjera të Evropës, involvimi i punëmarrësve në fitimet e firmës ka qënë gjithmonë si marrëdhënia mes fëmijës dhe njerkës. Ndonëse firmat gjermane kanë mundësi nga më të ndryshmet për t´i involvuar punonjësit e tyre në fitim. Sidoqoftë ka ende shumë qëndrime skeptike në ldihje me fondin e propozuar. Por është një sinjal i rëndësishëm që në propozimin e Kurt Beck po hyjnë tani edhe sindikatat. kjo do të thotë se këtë rradhë, sindikatat nuk do të ndërhyjnë në mënyrë negative."