1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Bild" - Gjigandi mediatik gjerman Axel Springer nën presion

Christine Lehnen | Sarah Hucal | Maria John Sanchez
21 Tetor 2021

Afera me ish-kryeredaktorin e gazetës më të madhe bulevardeske në Gjermani „Bild“ Julian Reichelt shkakton valë ndërkombëtare reagimi. Shefi i koncernit Mathias Döpfner është pozicionuar lidhur me akuzat.

Julian Reichelt Chefredakteur Bild Digital
Julian Reichelt, kryeredaktor i Bild pushohet nga punaFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Gjigandi mediatik gjerman Axel Springer shkarkoi kryeredaktorin e "Bild" Julian Reichelt pasi "New York Times" informoi mbi akuzat që ngriheshin ndaj tij: punonjëset gra e akuzonin atë për ngacmim seksual dhe se ai shfrytëzonte pozicionin për të shkuar në shtrat me koleget.

Së fundi u prononcua edhe kryetari i kryesisë së kompanisë Axel Springer, Mathias Döpfner: Në YouTube ai flet për gjashtë minuta lidhur me akuzat dhe e argumenton shkarkimin e Reichelt-it me faktin, se ai në mënyrë të përsëritur ka vepruar gabim, duke krijuar marrëdhënie me punonjëset e reja të redaksisë së gazetës "Bild".

Döpfner thekson në deklarimin e tij, se në këtë rast kemi të bëjmë me një problem të "Bild" dhe jo të të gjithë koncernit Axel-Springer. Ai  ndër të tjera thotë në fund të video-mesazhit, se tani do të shkojë edhe në Uashington, ku së fundi Axel Springer ka blerë në vlerën një miliard dollarë portalin amerikan të lajmeve me seli në SHBA "Politico".

Fotografi: picture-alliance/dpa/Thalia Engel

Por çfarë roli luajnë në fakt „Bild", gazeta më e fuqishme bulevardeske në Europë dhe shtëpia botuese Springer, që qendron pas saj në peizazhin mediatik ndërkombëtar? Çfarë lidhje ka çështja Reichelt me SHBA-në dhe udhëtimin tani të Mathias Döpfner në Uashington?

Springer dhe Bild: Gjigandët e opinionit

Gazeta "Bild", kryeredaktor i së cilës që nga viti 2017 ka qenë Julian Reichelt, është me 1,24 milionë ekzemplarë gazeta e përditshme me tirazhin më të fuqishëm në Gjermani dhe që prej themelimit të saj më 1952 ajo i jep tonin peizazhit mediatik gjerman si asnjë gazetë tjetër. Kjo gazetë si asnjë tjetër shpesh është edhe e diskutueshme dhe objekti qortimi i Këshillit gjerman të Shtypit.

Koncerni mediatik gjerman Axel Springer me xhiro miliardëshe u themelua pas Luftës së Dytë Botërore dhe fillimisht botonte kryesisht gazeta të përditshme e revista. Themeluesi i tij Axel Springer ishte një personalitet i diskutueshëm: Nga protesta kundër anti-komunizmit të shpallur prej tij, në vitin 1972 Fraksioni terrorist i Ushtrisë së Kuqe (RAF) hodhi bombë në zyrat e Springer në Hamburg. Pak para  kësaj gazeta Bild ishte shprehur me tone agresive kundër protestave të studentëve në vitet 1960 duke u pozicionuar kundër kërkesave të tyre për ripërtëritjen shoqërore në Gjermani. Kjo gazetë përdorte tone nxitëse vëçanërisht kundër Rudi Dutschke-s, figura drejtuese e lëvizjes së ashtuquajtur "1968-shat" në Gjermani. Rudi Dutschke ra viktimë e një atentati.

Aktivisti i lëvizjes 1968 Rudi DutschkeFotografi: AP

Sot Axel Springer pothuajse nuk është aspak një shtëpi klasike botuese, thotë studiuesi i medias Christopher Buschow në intervistë për DW. Springer, sipas tij, është sot më shumë së shtëpi mediatike ose një koncern digjital, që të ardhurat kryesore nuk i gjeneron me gazetari, por ndër të tjera edhe me investime të tjera si në tregjet e rubrikave digjitale apo portalin e punësimit "Stepstone". Lidhur me kryetarin e kryesisë së koncernit Mathias Döpfner, Buschow thotë: "Mathias Döpfner me siguri që e ka kuptuar shumë më herët se të tjerë menaxherë mediash, që duhet investuar edhe në tregje të tjera përtej gazetarisë – e megjithatë mund të mbahen biznese të përzgjedhura gazetash." Me shitjen e gazetave lokale si "Hamburger Abendblatt" dhe "Berliner Morgenpost" në vitin 2014 koncerni mundi të sigurojë të ardhura, që u përdorën për të investuar në ripërtëritjen digjitale, thotë Buschow. 

Koncerni mediatik nuk ka kaluar tashmë vetëm reformën e transformimit digjital, por është pozicionuar edhe më gjerë në nivel ndërkombëtar. Springer në vitin 2010 bleu media në Europën Lindore, por më pas i shiti ato në verën e këtij viti, me përjashtim të aksioneve polake, kjo ndoshta edhe për faktin, se situata për gazetarinë e lirë e të pavarur në këtë rajon është vështirësuar, sipas  Buschow. 

Springer do të bashkëveprojë në skenën e madhe

Tani koncerni bashkë me investitorin financiar në SHBA KKR, sipas Buschow synon: „Qëllimi i qartë i sipërmarrjes është që të bashkëveprojë në skenën e madhe. Tashmë koncerni e ka kuptuar, që nëse dëshiron që si sipërmarrje mediatike të shpalosë efektin në nivel global, kyçi është SHBA-ja, ku gjigandët e teknologjisë në shumë aspekte japin drejtimin në një botë mediatike të bazuar tek platformat."

Studiuesi i medias Christopher BuschowFotografi: Matthias Eckert

Vetëm në kontesktin e këtij ekspansioni mund të kuptohet, se përse akuzat ndaj ish-kryeredaktorit të „Bild" Julian Reichelt shkaktuan një valë të tillë ndërkombëtare reagimi duke u bërë së pari publike në SHBA. Akuzat e përfolura në Gjermani në pranverën 2021 nxitën brenda koncernit një hetim të brendshëm përmes një kancelarie avokatie. Në këtë periudhë Julian Reichelt u lirua nga detyra përkohësisht, por pas dymbëdhjetë ditësh u rikthye në të njëjtin pozicion.

"Në shtrat, ngjitje në karrierë, e më pas flakje nga puna"

Revista "Der Spiegel" në mars 2021 njoftoi për hetimet e brendshme dhe nën titullin "Në shtrat, ngjitje në karrierë, e më pas flakje nga puna" arrinte në artikullin e saj në konkluzionin, se Julian Reichelt në redaksinë e "Bild" kishte krijuar një mjedis armiqësor pune ndaj grave. Sikurse njofton tani "New York Times", edhe gazetare e gazetarë investigativë të medieve të tjera gjermane janë marrë me rastin e Julian Reichelt dhe akuzat ndaj tij. Ndër to ka qenë edhe gazetarja Juliane Löffler nga shtëpia botuese „Ippen-Verlag" si dhe kolege e kolegë të gazetës "Handelsblatt". Ippen-Verlag është një grup konkurrues botimesh, të cilit ndër të tjera i përkasin kryesisht gazeta të rëndësishme rajonale në Gjermani ndër to edhe "Frankfurter Rundschau" dhe "Münchner Merkur".

Sipas "New York Times" të gjitha këto investigime në Gjermani u ndaluan, tek "Handelsblatt", sikurse thuhet, në rastin e investigimit të Juliane Löffler, botimi u pengua vetëm pak ditë para planifikimit nga aksioneri më i madh i Ippen-Verlag, Dirk Ippen, kështu shkruan të paktën tani gazeta "New York Times". Ndërsa "Handelsblatt" nuk i është përgjigjur një kërkese me e-mail nga "New York Times" për t'u pozicionuar lidhur me çështjen, Ippen-Verlag është përgjigjur, se u vendos për të mos e botuar artikullin. Në deklarimin e tij në YouTube Mathias Döpfner e hedh poshtë, që të ketë pasur përpjekje nga ana e koncernit për ta ndaluar këtë botim.

Selia e Axel Springer në HamburgFotografi: AP

Pra edhe në Gjermani mjaft gazetare e gazetarë kanë pasur dijeni për akuzat kundër Julian Reichelt e duket se nuk kanë dashur t'i bëjnë ato publike. E u desh në fund që të ishte gazeta amerikane "New York Times" ajo që i paraqiti në detaje akuzat e grave. Vetëm pasi u tërhoq vëmendje ndërkombëtare nga SHBA, koncerni u vu në lëvizje duke e larguar nga detyra kryeredaktorin e „Bild". Mathias Döpfner i pyetur, nëse koncerni do të duhej të kishte reaguar qysh më parë, në dekalrimin e tij thekson: „Pas ndodhisë bëhesh gjithmonë më i mençur".

Burra që shfrytëzojnë pozicionin e tyre të pushtetit

Hulumtimet e "New York Times" skicojnë një imazh të redaksive gjermane, në të cilat shpesh gratë konfrontohen me burra në pozicione drejtuese, që ndonjëherë nuk stepen ta shfrytëzojnë postin. Po ashtu artikulli i „New York Times" përshkruan një peizazh mediatik, në të cilin jo zyrtarisht burrat krijojnë rrjete që mbështesin njëri-tjetrin edhe kur janë në konkurrencë ekonomike mes tyre. Mathias Döpfner nuk është vetëm kryetar i kryesisë së koncernit Springer, por edhe kryetar i Shoqatës Federale të Botuesve të Gazetave gjermane.