Edhe Vuçiqi i pranishëm në raundin "vendimtar" të dialogut
2 Prill 2013"Situata është e vështirë dhe shumë dramatike", u tha në Beograd pas konsulmtimeve të krerëve të Serbisë të zhvilluara ditën e premte (29.03.2013). Ndërsa pas konsultimeve të hënën (01.04.2013), presidenti Tomisllav Nikoliq tha se delegacioni i Beogradit në Bruksel do të shkojë për të dëshmuar unitet. "Ky është një rast shumë i mirë, ku duhet të dëshmojmë unitetin shtetëror. Ndaj kemi vendosur që në këtë takim të shkojë së bashku me kryeministrin Ivica Daçiq edhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq", deklaroi Nikoliq pas konsultimeve në Beograd, ku merrnin pjesë krerët më të lartë të Serbisë.
Palët u përmbahen qëndrimeve të kundërta
Pala serbe i është përgjigjur në këtë mënyrë pozitivisht kërkesës së Prishtinës dhe Brukselit që në raundin vendimtar për situatën në veri të marrë pjesë edhe Vuçiqi, si personi me influencën aktualisht më të madhe në Serbi. Megjithatë qëndrimet mbeten të kundërta. Nikoliqi tha se "aspak nuk e inkurajojnë deklarimet e Prishtinës" se nuk do të lëshojnë pe sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë pranuar që të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, por kanë refuzuar kërkesën e Serbisë që ai të ketë edhe përgjegjësi dhe kompetenca ekzekutive në polici, gjykata, sistemin shkollor, shëndetësi dhe në lëmitë e tjera. Pala serbe ka kërkuar poashtu që në veri të mos shkojnë forcat e armatosura kosovare të sigurisë. Kërkesa të tilla të Beogradit janë hedhur poshtë edhe prej autoriteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni i kanë kundështuar këto kërkesa, sepse nuk duan të krijohet një Republikë e dytë Serpska në Ballkan.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se raundi i tetë i negociatave mes kryeministrave do të jetë edhe shansi i fundit për marrëveshje. Pas këtij raundi, ndërmjetësuesja në dialog, e ngarkuara e BE për Politikë të Jashtme Chaterine Ashton, do të hartojë një raport për ecurinë e dialogut. Nga ky raport varet nëse Serbia më 16 prill do të marrë dritën jeshile për datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.
Dështimi eventual i dialogut mund të jetë shkas për shkallëzimin e situatës në veri
Analistët thonë se para dy javësh është besuar më shumë në arritjen e një marrëveshjeje, sesa tani. Në rast dështimi të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, pritet që të shpallet edhe përfundimi i formës së tanishme të dialogut mes kryeminsitrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Diplomatët perëndimore paralajmërojnë se dështimi eventual i dialogut mund të sjellë deri tek përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës. Serbët e atjeshëm kanë protustuar ditën e hënë (01.04.2013) kundër marrëveshjeve me Prishtinën dhe kanë bërë të ditur se së shpejti do të mund të krijonin një kuvend paralel të katër komunave të veriut, i cili do të merrte vendim për ndarjen e kësaj pjese nga Kosova dhe me këtë kërkesë do t'i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Derejtësisë në Hagë.
Ndërsa analistët në Beograd thonë se dështimi i marrëveshjes me palën kosovare mund të sjellë edhe deri tek përçarjet shumë serioze brenda koalicionit qeveritar në Serbi. Sipas tyre edhe tani mosmarrëveshjet janë të mëdha, sepse presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq ka kërkuar nga delegacioni serb në dialog që të mos thotë jo, por as të mos pranojë ndonjë marrëveshje serioze. Burimet tona në delegacionin serb thonë se ai ka kërkaur që të mos thuhet "as po e as jo".
Sidoqoftë analistët thonë se nga raundi i ardhshëm i dialogut varet nëse raportet mes Beogradit dhe Prishtinës do të shkojnë drejt normalizimit, apo do të ketë tendosje të reja, në veçanërisht në veri.