1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

RDGJ jeton - në letërsi

17 Mars 2012

"Duhet t'i tregojmë njëri-tjetrit historitë tona, që të njihemi më mirë", këto fjalë dëgjoheshin shpesh pas kthesës në Gjermani, kur takoheshin gjermanolindorë me gjermanoperëndimorë. Libra të rinj japin tani ndihmë.

Libri "Këtej e tutje qetësi" nga Marion Brasch
Libri "Këtej e tutje qetësi" nga Marion BraschFotografi: S.Fischer Verlag

"Një ditë do t'i tregojmë njëri-tjetrit gjithçka" - thuajse programatik tingëllon titulli i romanit debutues të autores Daniela Krien, për një familje në zonën kufitare gjermano-gjermane, pak pas kthesës. Kjo "ditë" duket se ka ardhur tani. Më shumë se 20 vjet pas shëmbjes së saj, RDGJ është më e gjallë se kurrë në tregun e librit. Para së gjithash e përditshmja është në fokus, e përditshmja e një shteti, pushteti i të cilit arrinte deri në thellësi të familjeve.

Dr. Meike Albath, kryetare e jurisë të Çmimit gjerman të LibritFotografi: Harald Schröder

Këto janë "baticat e historisë së letërsisë" mendon kritikja Meike Albath, e cila e ka konstatuar këtë tendencë që vjeshtën e kaluar. Si kryetare e jurisë të Çmimit gjerman të Librit, ajo ka marrë në duar disa qindra tituj. Në fund ishte historia autobiografike e Eugen Ruges për një familje gjermanolindore me titull "Në kohërat e dritës në venitje", që fitoi çmimin. Tema të caktuara, thotë Albath, duket se kanë nevojë për distancë historikë për t'u transformuar në letërsi.

Një familje zhduket

Edhe Marion Brasch kishte nevojë për këtë distancë për biografinë e saj familjare "Këtej e tutje qetësi". Ajo është e mbijetuara e fundit e një familjeje "plot thyerje ekzistenciale", siç thotë ajo vetë, "një familje ku kishte shumë zënka dhe e cila në fund zhduket". Tre vëllezërit e saj, ndër ta dramaturgu i njohur Thomas Brasch, u thyen në fund përballë shtetit të cilit i ishin kundërvënë. Dhe pikërisht përballë atij brenda familjes, të përfaqësuar nga babai, një funksionar i lartë. Një familje e privilegjuar me siguri, por edhe tipike për RDGJ-në, mendon Marion Brasch. Detyrat në shërbim të shtetit kishin përparësi ndaj familjes.

Marion Brasch e përshkruan gjithë dramacitetin e kësaj përplasjeje nga perspektiva e fëmijës - nga e perspektiva e saj si vajza më e vogël - dhe përshkrimi i saj është i lehtë, thuajse gazmor. Një mjet artistik pa të cilin gazetarja nuk do të kishte qenë në gjendje të shkruante: "Për kohë të gjatë jam stepur pasi nuk e dija si duhej ta shkruaja këtë histori. Të shkruaja një biografi më dukej diçka tejet e madhe, shumë e vështirë, shumë e rëndësishme, me një pretendim të madh për vërtetësi, autenticitet."

Autorja Marion BraschFotografi: Jürgen Bauer

Fëmijëri të dëmtuara

Ashtu si në romanin e Marion Brasch, edhe në shumë botime të reja janë fëmijëritë në RDGJ që përshkruhen. Fëmijëri të dëmtuara si në ramonin e Julia Franck "Shpinë më shpinë". Subjekti është biografia e gjyshes, një artiste besnike ndaj sistemit, e cila kishte vënë shërbimin për shtetin përpara përkujdesjes për fëmijët e saj. Në librin e Ruth Hoffman "Fëmijët e Stasit" bijtë dhe bijat e punonjësve të shërbimit të fshehtë në RDGJ tregojnë për klimën mbytëse në familjet e tyre.

Inspektim i një sistemi

Valë të përpunimit të historisë së RDGJ-së ka pasur vazhdimisht edhe në të kaluarën. E veçanta në valën aktuale është se tani në plan të parë del një brez i ri, i cili e ka njohur RDGJ vetëm në fëmijëri. Brezi i rinj i shkrimtarëve përpiqet të gërmojë historinë në aspektin e mentalitetit. Ajo që e bën RDGJ kaq interesante për shkrimtarët është unikaliteti i saj historik. "Bëhej fjalë për dy sisteme politike krejt të kundërt, thuajse diamentralisht të kundërt, të cilët më pas u bashkuan në një formacion të ri" - thotë kritikja e letërsisë Albath. "Mendoj se një histori si ajo e RDGJ-së duhet treguar. Madje nga perspektiva të ndryshme me të gjitha ngjyrimet që ekzistonin", shprehet shkrimtarja Marion Brasch.

Autor: Gabriela Schaaf / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama