Reagime kontradiktore në Beograd ndaj vendimit të Hagës
12 Qershor 2010Si çdo vendim tjetër i Tribunalit të Hagës, edhe shqiptimi i vendimeve kundër të akuzuarve për gendocid dhe krime në Srebrenicë ka shkaktuar reagime kontradiktore në Beograd. Skena politike është e ndarë, ndërsa analistët mendojnë se vendimi mund të jetë fillimi për mirëpajtimin mes popujve.
Opozita serbe pohon se në Srebrenicë nuk ka pasur ndonjë gjenocid dhe se Tribunali i Hagës është një institucion politik, dorë e zgjatur e Perëndimit, që ka për qëllim denimin e serbëve dhe Serbisë. Partia radikale është e mendimit se vendimi i fundit i Tribunalit paraqet një frut të hidhur të Deklaratës së Parlamentit serb, i cili para ca kohe ka dënuar krimet në Srebrenicë. Sipas tyre, Serbia ka marrë përgjegjësinë për diçka që në fakt nuk ka ndodhur.
E një mendimi krejt tjetër, është Partia Demokratike e presidentit serb Boris Tadiq. Kjo parti pohon se kurrë nuk ka kontestuar vendimet e Tribunalit të Hagës. Partia Demokratike nënvizon se ajo e ka inicuar dhe e ka mbështetur nxjerrejn e Deklaratës për denimin ekrimeve në Srebrenicë.
Tribunali i Hagës edhe në vendimet e mëparshme ka konstatuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve, pohon për Deutsche Wellen, drejtoresha e Inciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut Maja Stojanoviq. Ndërkohë që vendimet e fundit janë një hap tjetër me të cilin dëshmohet se në planifikimin dhe kryerjen e këtij gjenocidi ka qenë i përfshirë një numër më i madhe personash. Maja Stojkanoviq, megjithatë nuk mendon se vendimi i djeshëm i Tribunalit do të ndikojë në ndryshimin e mendimit të atyre që duan të relativizojnë peshën e këtyre krimeve. Prandaj forcat demokratike duhet të fokusohen tek faktet dhe jo vlerësimin e institucioneve ndërkombëtare.
„Duhet të promovohet fakti që me këtë vendim janë konfirmuar të dhënat për ekzistencën e krimeve dhe këtë duhet ta bëjë në radhë të parë Partia Demokratike. Krimi i parë është vrasja e njerëzve, ndërsa i dyti deportimi. Këto fakte duhet të theksojnë partitë për të cilat më të rëndësishme janë faktet se sa demagogjia politike.“
Shoqata "Nënat e Srebrenicës" është e pakënaqur me ashpërsinë e vendimeve. Tribunali i Hagës shikohet në disa qarqe si institucion që mund të ndikojë në pajtimin mes popujve në hapsirat e ish - Jugosllavisë. Por Maja Stojanoviq paralajmëron se ky institucion juridik në radhë të parë e ka për detyrë të dënojë ata që kanë bërë krime: „Institucionet dhe organizatat politike në rajon e kanë për detyrë të punojnë që konfliktet e tilla të mos përsëriten dhe të vazhdojë procesi i pajtimit. Vendimet e Tribunalit të Hagës mund të jenë vetëm bazë për rivendosjen e besimit në rajon dhe përfundimin më të shpjetë të këtij procesi“, thotë Stojanoviq.
Autor: Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama