1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime nga Prishtina: Bisedimet e drejtpërdrejta për statusin vetëm në prani të palës së tretë

Bekim Shehu24 Maj 2006

Kërkesës së fundit të Beogradit që krahas procesit të decentralizimit të nisin edhe bisedimet e drejpërdrejta për zgjidhjen e statusit, politikanët në Kosovë i përgjigjen negativisht

Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Udhëheqësit politikë në Kosovë janë shprehur se, bisedimet e drejpërdrejta me Beogradin për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës janë të pamundura, ndërsa me autoritet serbe mund të bisedohet vetëm për çështje teknike, siç po veprohet deri tani.

Këto komente, përfaqësuesit politik shqiptar të Kosovës i bënë pas kërkesës së fundit të Beogradit që krahas procesit të decentralizimit të nisin edhe bisedimet e drejpërdrejta për zgjidhjen e statusit.

Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së shprehet: "Ne që prej fillimit kemi thënë se me Beogradin direkt jo, por me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, pra me prezencën e bashkësisë ndërkombëtare si faktor i tretë, mund të ndodhin kontakte, bisedime me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe statusin përfundimtar të saj."

Përfaqësues të serbëve të Kosovës, nga ana e tyre thonë se, bisedimet për statusin nuk mund të përshpejtohen por dinamika e tyre do të përcaktohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Oliver Ivanoviç është njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës: "është e pakuptimtë të shprehen dëshira dhe qëndrime të tilla. Mendoj se bisedimet për statusin do të jenë të vështira dhe nuk do të përfundojnë shpejt, ndërsa, deklarata të tilla vetëm sa shkojnë në dëm të një atmosfere eventuale për gjetjen e ndonjë kompromisi",

Ivanoviç thotë se, është e sigurt se bisedimet për statusin me një rol aktiv të serbëve të Kosovës do të kishin shanse më shumë për të çuar kah kompromisi. Megjithatë, ai shpreh dyshimin se në këtë mënyrë si po shkojnë punët deri tani, palët mund të jenë afër ndonjë zgjidhjeje që do të ishte e pranueshme për njërën dhe për palën tjetër.

Sidoqoftë, analistët politikë në Kosovë thonë, se është me shumë rëndësi propozimi i Beogradit për nisjen e bisedave të drejpërdrejta për statusin. Ata këtë propozim e shohin si një presion të qendrave të vendosjes se përcaktimi i statusit politik duhet përmbyllet brenda këtij viti.