1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas përleshjeve fizike në parlamentin e Kosovës

13 Korrik 2023

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, duke dënuar përleshjet në parlament, thanë se dallimet politike nuk mund të zgjidhen përmes dhunës.

Nje grup burrash ne moshë të mesme duke u përleshur në parlament. Shumica e tyre janë drejtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ligjvënës në parlamentin e Kosovës, më 14 korrik 2023 duke u përleshur fizikisht. Përleshja shpërtheu të enjten pasi një ligjvënës i opozitës hodhi ujë mbi kryeministrin Albin Kurti, ndërsa ky po fliste rreth masave qeveritare për të shtensionimin e gjendjes në veri të vendit. Fotografi: Ridvan Silvova/AP Photo/picture alliance

Reagime të shumta pasuan pas përleshjeve fizike që ndodhën të enjten pasdite ndërmjet deputetëve në Kuvendin e Kosovës, me ҫ'rast u ndërpre edhe fjalimi i kryeministrit të Kosovës. Përleshjet shpërthyen mes deputetëve të PDK-së në opozitë dhe kabinetit qeveritar, derisa kryeministri Albin Kurti po fliste në kuvend për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë brenda dy javësh drejt uljes së tensioneve në katër komunat e banuara me shumicë serbe. Fjalimi i kryeministrit disa herë u ndërpre nga thirrjet e opozitës, të cilët kryeministrin e cilësuan “gënjeshtar”. U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa, kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, kërkoi ndërhyrjen e policisë brenda seancës së Kuvendit.

Debatet e ashpra pas publikimit të bisedave të Mimoza Kusari-Lilës

Tensionet në Kuvendin e Kosovës dhe debatet e ashpra disa ditë më parë, nisën pasi portali kosovar Nacionale, publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiq, i cili ka urdhër arrest nga Kosova dhe është në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.

Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Kosovës, pamje nga arkivi. Fotografi: Ludovic Marin/AFP/Getty Images

Vetëvendosja dhe PDK akuzojnë njëra-tjetrën

Lëvizja Vetëvendosje pas përleshjeve fizike në kuvend, akuzoi PDK-në në opozitë për sulm ndaj kabinetit qeveritar. “Deputetë të PDK-së sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës, e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, tha se ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi “i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku nga PDK. “Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet në reagim të PDK-së.

Vjosa Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempulllin e demokracisë

Përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të kuvendit të Kosovës, u dënuan nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se “përdorimi i dhunës si mjet për të trajtuar pakënaqësitë e mospajtimet politike, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”. “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t'i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shkroi në reagimin e saj, presidentja Osmani.

Reagon ambasdaori amerikan Jeff Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke dënuar përleshjet e së enjtes në parlament, tha se “dallimet nuk mund të zgjidhen përmes dhunës”. “Është për keqardhje çfarë ndodhi sot në parlamentin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë. Dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta, por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskutimit, një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, shkroi ambasadori amerikan Hovenier.

Sidoqoftë, pas përleshjeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se ka nisur hetimet për këtë rast. Sipas njoftimit, “prokurori i shtetit ka iniciuar hetime për veprën penale të “sulmit” dhe ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.