1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet e Shkupit për “Jo”-në e Bullgarisë

18 Nëntor 2020

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev reagoi pas vetos bullgare që bllokoi hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE.

Bulgarien Nordmazedonien  Boyko Borissov Zoran Zaev
Fotografi: Regierung Nordmazedonien

Bullgaria vuri veton në konferencën e parë ndërqeveritare dhe shtyu integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar asaj të bëjë lëshime të mëdha në lidhje me identitetin e saj, gjuhën dhe të fshijë një pjesë të historisë së saj. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva theksoi se drafti i propozuar i Komisionit Evropian për kornizën e negociatave për korrikun "nuk pasqyron kërkesat e Bullgarisë”, e argumentoi Zaharieva qëndrimin e Bullgarisë dhe paraqiti tre kushtet kryesore që Sofja t'i japë dritën jeshile negociatave: "E para është respektimi i formulës gjuhësore nga viti 1999, një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017 dhe një tekst shumë i qartë se nuk do të ketë pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Këto kushte nuk janë përmbushur ende.”

Zaev: Maqedonia e Veriut nuk do të dorëzohet

Qeveria vepron në mënyrë racionale, pa konflikte për të arritur deri në një vendim deri në dhjetor. Kjo është mënyra evropiane. Kjo është mënyra maqedonase e veprimit, kështu është shprehur kryeministri i Maqedonisë së Veriut në reagimin pas vetos bullgare. "Mos sjellja e vendimit në mbledhjen në Bruksel është një disfatë për idenë e BE-së, por njëkohësisht është konfirmuar në deklaratën e kryesuesit ministrit gjerman të shtetit për Evropën Michael Roth, se deri në dhjetor ekzistojnë ende mundësi dhe duhet të vazhdojmë në frymën e dialogut dhe jo përmes konflikteve, të arrijmë deri në zgjidhje”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Fotografi: Regierung R. Nordmazedonien

Është detyrim i imi që të mos dorëzohemi dhe të arrijmë deri te zgjidhja sepse populli ynë pret që të gjej zgjidhje, ka thënë  Zaev. "Ne alternativë tjetër nuk kemi përveç rrugës sonë evropiane, integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë. Duhet të vazhdojmë të bëjmë përpjekje në frymën e ndërtimit të shoqërisë, dialogut, jo konflikteve. Mua më vjen shumë rëndë, sepse besoj se kjo nuk është dëshira e popullit bullgar, e as e Kryeministrit Borisov. Besoj se këto janë politika në prag të zgjedhjeve, ndoshta të inkurajuara në një dritë të tillë, por të japim mundësi që edhe në ditët e ardhshme që kemi para sepse ekzistojnë ende mundësi”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka thënë se Maqedonia e Veriut këto tre vite ka punuar për ta mbajtur konferencën ndërqeveritare. Jemi të vetëdijshëm dhe ishim dëshmitarë të rëndësisë së procesit, po asnjëherë nuk duhet të heqim dorë, ne s'kemi alternativë tjetër. "Bisedimet vazhdojnë që sot me qëllim që të gjejmë mënyrë për t'i tejkaluar dallimet. Për ne e rëndësishme është që të kemi konferencë ndërqeveritare në dhjetor”, vlerëson Bujar Osmani.

VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e Zaevit

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE në reagimin e parë për veton e Bullgarisë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare ka fajësuar qeverinë e Shkupit. "Mashtruesi Zoran Zaev premtoi dhe gënjeu se do të japë dorëheqje nëse nuk ka datë për negociatat. Zoran Zaev është i paaftë për ta përmbushur premtimin se do të largohet, nëse nuk ka sukses në planin e integrimeve evropiane”, vlerëson VMRO-DPMNE. Nga kjo parti thonë, se Zaevi e mori pushtetin me dy premtime të rrejshme: jetë për të gjithë dhe negociata me BE-në. "Shteti është zhytur në krizë të rëndë ekonomike, politike dhe shëndetësore. Nuk ka asnjë arsye që Zoran Zaevi të jetë kryeministër pasi shteti me atë ka vetëm humbje dhe mossukses”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Bujar Osmani në takim me komisionerin e BE për zgjerimin, Olivér VárhelyiFotografi: EU/Lukasz Kobus

Fërçkovski: Me maturi t'i përgjigjemi absurditetit të Bullgarisë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lubomir Fërçkovski vlerëson se Maqedonia nuk duhet menjëherë të fillojë të bëj strategji alternative, por duhet të veprojë me një politikë të vendosur për të theksuar absurditetin e kërkesave të vendosura nga Bullgaria. Ne nuk jemi në pozitë të barabartë dhe nuk ka drejtësi në atë situatë. "Është normale që po zhvillohen ndjenja anti-bullgare në Maqedoni, kur sot Bullgaria, me të cilën kemi zhvilluar marrëdhënie të mira dhe kemi qenë miq, tha që Maqedonia nuk mund të fillojë negociatat”, vlerëson Frçkovski.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut