1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Realitetet e ndryshme të Kosovës

1 Shkurt 2013

KFOR-i vazhdon të kujdeset për sigurinë në Kosovë. Ndonëse gjendja e sigurisë ka ndryshuar rrënjësisht ka ende potencial konflikti. Komandanti i KFOR-it Halbauer flet për DW rreth gjendjes aktuale.

Volker Halbauer, deutsche Kommandeur der Nato-geführten Schutztruppe Kfor im Kosovo; Copyright: Nato***Pressebild nur für die aktuelle, themengebundene Berichterstattung
Volker HalbauerFotografi: Nato

DW: Së fundi në Kosovë pati incidente me dëmtimet e varrezave të qytetarëve serbë. Ky reagim erdhi menjëherë pas tensioneve në Preshevë për shkak të largimit të monumentit të pakicës shqiptare atje. Si i vlerësoni ju këto zhvillime?

Halbauer: Ngjarjet e fundit me dëmtimin e varrezave të qytetarëve serbë në Kosovë, treguan, se potenciali i konfliktit ende ekziston. Këto zhvillime natyrisht që paraqesin rrezik për sigurinë. Ndaj unë vetëm dua t'u apeloj të gjithëve, veçanërisht atyre që mbajnë përgjegjësi politike, që të tregojnë kujdesin e duhur me deklaratat e tyre dhe me veprimet e tyre, për të mos i trazuar zhvillimet shumë të dukshme pozitive të muajve të fundit.“

DW: A mund ta vinin tensionet eventuale në luginën e Preshevës KFOR-in përballë sfidash të reja?

Halbauer: KFOR-i është mjaft i kujdesshëm që të vëzhgojë zhvillimet jo vetëm në Kosovë, por edhe përreth Kosovës dhe në të gjithë rajonin. Nuk mund të përjashtohet asnjëherë influenca e veprimeve, aksioneve dhe proceseve në rajonet fqinjë ndaj Kosovës. Këtë e pamë edhe ditët e fundit. Ne si KFOR përgatitemi për të gjitha ngjarjet e mundshme, që mund të mendohen, dhe jemi të angazhuar të kujdesemi në rast nevoje për krijimin e një mjedisi të sigurtë jo vetëm në veri të Kosovës, por ne e shohim këtë përgjegjësi në të gjithë sektorin e kësisoj edhe në jug.

DW: Që nga vjeshta e vitit të kaluar Kosova ka marrë sovranitetin e plotë prej Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Rezoluta e OKB-së 1244, në bazë të së cilës është administruar Kosova qysh pas luftës, është ende në fuqi. Sipas kësaj rezolute Kosova nuk mund të ketë ushtrinë e vet. Çfarë perspektive shihet në këtë drejtim dhe kur mund të ketë Kosova një ushtri të sajën? 

Halbauer: Ndonëse me fundin e së ashtuquajturës pavarësi e mbikqyrur nga perspektiva e Kosovës ka ndryshuar diçka vendimtare, për mua si komandant i KFOR-it gjendja nuk ka ndryshuar, sepse ne jetojmë të gjithë në botë të ndryshme, ka të paktën dy botë: Njëra është bota e rezolutës 1244, në të cilën jeton KFOR-i duke përmbushur detyrën e tij, me qëllim që të vazhdojë të mëbshtesë pozitiv me paanësi zhvillimet e mëtejshme në Kosovë. Bota tjetër është realiteti, që nuk mund të injorohet, pra është pavarësia e Kosovës.

Prej shumë vitesh KFOR-i mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës mbi bazën e statusit ligjor të saj si një organizatë, e cila kujdeset për sigurinë dhe rendin në Kosovës si dhe ndihmon në aksionet humanitare, si p.sh. për çminimin apo në raste katastrofash.

DW: A do të kthehet kjo organizatë në një ushtri?

Halbauer: Çështja nëse kjo organizatë do të shndërrohet një herë në ushtri, do të vendoset me siguri gjatë këtij viti. Ndërkohë në Kosovë po bëhet një hulumtim dhe në fund do të prezantohet rezultati. Angazhimi i KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë për aq kohë sa kjo do të jetë e nevojshme.

DW: Veriu i Kosovës konsiderohet si një hapësirë, ku ligji nuk funksionon, sa ndikon kjo në punën e KFOR-it?

Halbauer: Eshtë padyshim një rrezik, kur grupe apo elemente të caktuara, që kanë interesa të tjera, veprojnë në një hapësirë, ku ne jemi të angazhuar. E kjo vlen për veriun e Kosovës. Unë besoj, se shumica e njerëzve edhe në veri janë të interesuar fort, që të jetojnë në një mjedis paqësor. Interesi i njerëzve është, që jetën paqësore ta jetojnë në një mjedis, që sjell përparimin ekonomik. Këtë interes nuk e kanë të gjitha grupet. Natyrisht edhe në veri ka elemnte dhe organizata, që nuk janë të interesuara për ndryshimin e gjendjes. Kriminaliteti i organizuar është aktiv. Unë besoj, se pikërisht këto elementë nuk do të sprapseshin, që në interesin e tyre të ndërmerrnin masa, të cilat mund ta rrezikonin edhe gjendjen e sigurisë së KFOR-it.

DW: A shihni mundësi që veriu i Kosovës të integrohet brenda një periudhe të parashikueshme në strukturat e shtetit të Kosovës?

Halbauer: Ne do të shohim se si do të vazhdojë dialogu politik, se si palët Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë një marrëveshje midis tyre. Prej kësaj do të varet, nëse kjo do të realizohet. Nuk varet prej mese të vlerësoj se në ç'masë do të ndodhë kjo. Unë vetëm mund t'u bëj thirrje të dyja palëve, që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për problemin e Kosovës duke u garantuar në këtë mënyrë një të ardhme më të mirë të gjithë njerëzve në Kosovë.

Intervistoi: Vilma Filaj-Ballvora