1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët në Troisdorf

Andrea Grunau22 Qershor 2015

Sa më shumë refugjatë vijnë aktualisht në Gjermani aq më shumë shtohen ankesat për shpenzime të larta e probleme të tjera. Por aty ku angazhohen vullnetarisht qytetarët, integrimi ka sukses si në Troisdorf, Bonn.

Flüchtlinge in Troisdorf
Fatima me nënën dhe dy mësueset e gjermanishtesFotografi: DW/A. Grunau

Ato shtrëngojnë duart dhe përqafohen, kjo jo vetëm sa për të dalë në fotografi. Kuptohet se mes 16 vjeçares Fatima e nënës së saj nga Republika e Ingushetisë një republikë autonome në jug të Rusisë dhe dy mësueseve nga Troisdorfi është krijuar mirëbesim. Si shumë të tjera edhe ato japin mësimin e gjuhës gjermane vullnetarisht. "Ato na kanë ndihmuar shumë, kemi gjetur këtu edhe shumë miq", thotë Fatima, nëna e saj buzëqesh dhe miraton me kokë.

Fatima, nëna e saj dhe dy mësueset janë ulur në kopshtin e "Haus Oberlar" në Troisdorf, një qytezë mes Kölnit dhe Bonnit. Ato presin përgjigjen pas kërkesës për njohjen e azilit. Cilat janë ëndrrat e Fatimes? Ajo dëshiron që prindërit të gjejnë punë në Gjermani. Nëna është mjeke laborante, babai inxhinier ndërtimi, vetë Fatimja dëshiron të mësojë gjuhë të huaja, pas gjermanishtes, edhe anglisht dhe frëngjisht. "Dua të bëhem përkthyese", thotë ajo.

Ulrike Hanke nga zyra sociale me dy nëna dhe fëmijë shqiptarëFotografi: DW/A. Grunau

Arrati në Mesdhe

Prej disa ditësh edhe Maan A. jeton në Troisdorf. 34 vjeçari ka ikur Siria për shkak të luftës dhe islamistëve. Shtëpia në Alepo u shkatërrua. "Gjendja atje është shumë e keqe", thotë ai duke mbajtur me zor lotët. Fillimisht me prindërit ai kaloi kufirin turk, pastaj me një varkë të vogël, me 13, 14 refugjatë të tjera, mori rrugën përmes Mesdheut në Greqi. "Ka qenë shumë, shumë e rrezikshme, por nuk kisha alternativë tjetër." Qindra metra para bregut ai duhej të hidhej në ujin e ftohtë dhe të notonte. Më në fund ai ia doli të hynte në Gjermani në vendin e ëndërruar. "E vlerësoj shumë Gjermaninë", thotë Maan.

Tani ai jeton bashkë me tre sirianë të tjerë në një dhomë 40 metra katrorë. "Çdo gjë është mirë", konkludon i ri që e njeh gjermanishten dhe shpesh u vjen në ndihmë sirianëve të tjera. Planet e tij janë përforcimi i njohurive të gjermanishtes dhe plotësimi i studimeve me master, me qëllim që të punojë. Por mungesa e dokumenteve e pengon.

Pritje e gjatë

Për shkak të rritjes së numrit të refugjatëve në Gjermani, Zyra Federale për Migracionin (BAMF) nuk arrin të përpunojë shpejt kërkesat. Më shumë se 200.000 kërkesa janë ende në përpunim, gjë që do të thotë se bashkitë duhet t'i strehojnë më gjatë refugjatët. Shumë bashki ndjehen të mbingarkuara. Ulrike Hanke, e cila drejton zyrën sociale dhe të banimit në Troisdorf flet për një përvojë pozitive me qytezën e vogël, krahasuar me qytetet e mëdha, ku ka më shumë refugjatë dhe koordinimi i punës me autoritetet është më i komplikuar.

Një familje shqiptare azilkërkuese në Troisdorf nuk e di vërtet gjermanishten, por njeh mikpritjen shqiptareFotografi: DW/A. Grunau

Megjithatë edhe në Troisdorf numri i azilkërkuesve është më se dyfishuar brenda një kohe të shkurtër. Nëse vitin e kaluar ishin 160, vetë, këtë vit janë regjistruar 360 vetë. "Deri më tani e kemi menaxhuar relativisht mirë situatën." Troisdorfi përpiqet t'i shpërndajë refugjatët në lagje të ndryshme të qytetit. Deri më tani nuk jetojnë 50-60 azilkërkues në një lagje, kjo ndihmon për të lehtësuar integrimin. Për shkak të rritjes së numrit të tyre, bashkia po rikonstrukton një shkollë, në të cilën do të mund të akomodohen 160 vetë.

Sferë private për familjet

Vëmendje e veçantë tregohet për familjet. Në një shtëpi të vjetër të përdorur dikur për rojtarët e pyllit është vendosur edhe një familje shqiptare. Njëra nga nënat thotë se me "fëmijët këtu është shumë bukur." Familja e saj ka më shumë se një vit që pret përgjigjen për azilin. Ndërkohë njëra nga nënat mund të punojë si pastruese.

Ndërsa në Altenrath u rikonstruktua një kopsht, u pajis me banjo, dush, kuzhinë dhe lavanteri për të strehuar disa familja të ardhura nga Shqipëria, si edhe një familje serbe më gjashtë fëmijë. Familjes serbe i janë ofruar tre dhoma dhe një kuzhinë. Djali më i madh rrëfen se në Serbi ata janë fyer si "jevgj". Nëna është e sëmurë dhe duhet të marrë rregullisht ilaçe, ndërsa babai ushtron gjermanisht çdo ditë me ndihmësit vullnetarë. #bbbig#

Cila është receta e suksesit për një bashkëjetessë në harmoni më "fqinjët e rinj"? "Respekti", përgjigjet Ulrike Hanke. Këtë e kanë për zemër shumë banorë të Troisdorfit. Në lagjen Bergheim disa vullnetarë ka disa muaj që po përgatiten për ardhjen e kontigjentit të ri të refugjatëve. Bashkia vendosi kontenierë, brenda disa ditësh duhet të futen azilkërkuesit e parë. Një rrjet i ri "Rrjeti i integrimit" ka pasur brenda disa ditësh një duzinë vullnetarësh të regjistruar e të gatshëm për ndihmë.

Sinjal mirëseardhjeje

"Duam të japim një sinjal mirëseardhjeje", tha Ursula Rieger në takimin me vullnetarët dhe autoritetet nga bashkia. Ndihma konsiston në përditshmëri -që nga blerjet, vizitat tek mjeku, klube sporti e deri tek mësimi i gjermanishtes. Për këtë është regjistruar edhe Johanna Raetz, një 18-vjeçare maturante që është kurioze për kontaktet e reja multikulturore: "Për mua është e rëndësishme që ata të kuptojnë - ne gëzohemi për ardhjen e tyre. Edhe mësuesja Renate Lauterbach nuk ka drojë nga ardhja e refugjatëve. "Kemi një histori 2000 vjeçare të emigrimit dhe kjo na ka pasuruar të gjithëve."