1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Recetat e Gjermanisë kundër krizës ekonomike vlerësohen si shembullore

25 Dhjetor 2010

Para rreth 10 vjetësh Gjermania konsiderohej si e sëmura e Evropës, si një vend i paaftë për të konkuruar në ekonominë botërore. Por gjatë vitit 2010 ky imazh ndryshoi. Por si ia dolën mbanë gjermanët?

DAZ Finanzmarkt Reportage
Fotografi: DW / von der Au

Gjermanët nuk mbahen si ndonjë popull krenar dhe optimist. Në të kundërt, arritjet ata i shikojnë gjithmonë me një lloj skepticizmi dhe shtrojnë gjithmonë pyetjen nëse ato do të jenë të qëndrueshme. Në këtë pikë nuk ndryshojnë as politikanët. Por për momentin gjithçka tingëllon ndryshe. Si kancelarja, si politikanët e opozitës apo ministri i ekonomisë – të gjithë janë të gëzuar.

Politikani Rainer Brüderle: "Gjermania është bërë shembull në ekonomi". Edhe kancelarja Angela Merkel shprehet pozitive: "Do të kemi një rritje ekonomike prej ndoshta 3,4 % dhe në vitin 2011 sërish prej thuajse 2%." Ndërsa politikani social-demokrat Frank-Walter Steinmeier thotë: "Dhe unë gëzohem që ne dolëm nga kriza më mirë se të tjerët."

Gjermania shembull në ekonomi

Krenare për përballimin e krizës ekonomike - Kancelarja Angela MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

Por gjermanët nuk do të ishin gjermanë në rast se duke lënë më një anë mesazhet e lumtura nuk do të analizonin me saktësi, se si vendi ia doli ta përballonte kaq mirë krizën. Kësaj pyetje kancelarja Merkel i përgjigjet: "Kemi një ekonomi inovative me një bërthamë të fortë industriale. Kemi një shtresë të mesme dinamike. Kemi punonjës me rendiment të lartë, gjë që përbën një partneritet social mbi të cilin mund të mbështetesh. Kjo është ajo që ne e quajmë ekonomi tregu të gjallë, një ekonomi sociale tregu, e cila shpesh është përqeshur disi prej botës. Por tani aps krizës ne na kanë zili shumë vende të botës pikërisht për këtë ekonomi sociale tregu."

Dhe vërtet në kohën e krizës ekonomike si punëdhënësit edhe punëmarrësit treguan një partneritet të dukshëm me njëri-tjetrin. Kjo u bë e mundur, sepse qeveria gjermane e shtriu në maksimalisht 24 muaj të drejtën e punësimit me orar të shkurtuar. Ky sistem do të thotë që për një farë kohe të punësuarit nuk punojnë me orar të plotë, ose nuk punojnë fare, por nuk pushohen nga puna. Ndërkohë që rroga e tyre në këto raste paguhet një pjesë nga Agjencia federale e Punës dhe një pjesë nga vetë sipërmarrjet. Punësimi me orar të shkurtuar është një alternativë e mirë ndaj pushimeve nga puna dhe përdoret në ato degë ku është e qartë se kriza është e përkohshme dhe dalja prej saj e dukshme. Pagesa prej 7 eurosh për orë punë në degët e industrisë metalike dhe asaj elektrike ka çuar në shpenzime të përgjithshme prej tre miliardë eurosh për këto degë. Por këto konsiderohen prej tyre si një investim për të kapërcyer periudhën e vështirë të krizës.

Sipërmarrësit gjermanë mbeten optimistë

Zona e bankave - Frankfurt SkylineFotografi: picture alliance/dpa

Po ku e gjeti burimin ky opotimizëm i sipërmarrësve gjermanë? Burimi ishte dija se ekonomia popullore gjermane kishte arritur që vitetet e fundit të bëhej sërisht tepër e aftë për të konkuruar. Reformat themelore të parashikuara nga Agenda 2010 për tregun e punës dhe të sistemeve sociale i kishin treguar frytet e tyre që përpara krizës. Kësaj i shtohet fakti që prodhimet gjermane vazhdojnë të jenë të kërkuara në të gjithë botën. Orientimi nga eksporti thotë Wolfgang Franz, kryetar i këshillit të ekspertëve për vlerësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, mbetet një element i rëndësishëm si përpara edhe gjatë dhe madje edhe tani pas krizës: "Orientimi nga eksporti i shpjegon të dyja si rënien e thellë edhe rritjen e madhe të zhvillimit koniunkturor në Gjermani. Po ashtu numri i madh i specialistëve në sektorët që prodhojnë për eksport, shpjegon edhe pse nuk patëm ndonjë valë të madhe pushimesh nga pune."

Po a është në gjendje orientimi nga eksporti që të vazhdojë ta mbajë rritjen e koniukturës edhe në të ardhmen? Apo mos vallë prej problemeve të vendeve të tjera, madje edhe vendeve evropiane fqinjë –që janë edhe klientët më të mirë të firmave gjermane – do të kemi sërish ndonjë rënie tjetër ekonomike? Edhe pse ekspertët e parashikojnë një skenar të tillë, edhe në këtë pikë Gjermania duket se është në rrugë të drejtë. Muajt e fundit është shtuar shumë kërkesa në tregun e brendshëm. Gjermanët kanë sërish dëshirë të konsumojnë, kjo lidhet edhe me faktin se shumë prej tyre kanë punë dhe edhe më tepër para. Në muajin tetor Agjencia federale e Punës shpalli se numri i të papunëve ka rënë nën tre milionë vetë.

Autore: Sabine Kinkartz/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Sonila Sand

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW