Referendumi i Serbisë - protesta në veri të Kosovës
16 Janar 2022Referendumi i Serbisë për ndryshime kushtetuese në këtë vend nuk po mbahet edhe në Kosovë, por serbët e Kosovës mund të votojnë në disa qytete në jug të Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar majtjen e referendumit të Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dielën u shpreh i ashpër me bashkësinë ndërkombëtare që nuk arritën ta bindin Prishtinën zyrtare që të lejojë hapjen e vendvotimeve nëpër lokalitetet e banuara me shumë serbe në Kosovë. Vuҫiq serish paralajmëroi siҫ tha “pasoja afatgjata” lidhur me këtë çështje.
Disa grupe të serbëve të veriut të Mitrovicës protestuan të dielën kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, që është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, tha se qytetarët serbë nuk do të "lejojnë që Prishtina t'i trajtojë ata si qytetarë të dorës së dytë”. Ai tha në protestë se serbët do të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga Serbia më 3 prill dhe paralajmëroi vendosjen e reciprocitetit me Prishtinën.
Rakiq paralajmëron Prishtinën
"E drejta e votës është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me të gjitha normat dhe rregulloret ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Rakiq.
Parlamenti i Kosovës të shtunën me anë të një rezolute mbështeti vendimin e qeverisë, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë, me gjithë thirrjet e vendeve të QUINT-tit që të lejohet votimi. Sipas rezolutës së kuvendit, "mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare".
Serbia po mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen "a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të Serbisë për t'u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.