Referendumi për kushtetutën në Serbi
27 Tetor 2006
Për herë të parë në këtë vend të Ballkanit zhvillohen zgjedhje apo referendum i shtrirë në dy ditë. Më shumë se një milionë shqiptarët me të drejtë vote janë përjashtuar nga votimi, sepse zhvillimi i referendumit do të ishte i pamundur në Kosovën që kërkon shkëputje.
Gjashtë vjet më parë presidenti Vojislav Kostunica, që atëhere sapo ishte zgjedhur në detyrë, mori përsipër përpunimin e një kushtetute të re. Midis të tjerash ai donte të pengonte që Mali i Zi dhe Kosova të munndin të shkëputeshin nga shteti i përbashkët me Serbinë. Ndërkohë Mali i Zi është shtet i pavarur prej gjashtë muajsh, kurse Kosova pritet të bëhet e pavarur brenda gjashtë muajsh.
Kushtetuta për të harruar korrupsionin
Kostunicës, i cili tani është kryeministër i Serbisë qysh prej tre vitesh i ka mbetur kushtetuta vetëm për mbrojte imazhi. Sondazhet flasin për përkrahje shumë të vogël ndaj qeverisë së tij të pakicës nga populli që e akuzon atë për korrupsion dhe për bllokimin e bisedimeve të marrëveshjes së asociimit me BE-në. Kur njëri nga partnerët e koalicionit donte të shkëputej, kryeministri bëri një hap të vrullshëm përpara duke iu kërkuar të gjitha forcave politike të përfaqësuara në parlament të përpunojnë sa më shpejt një kushtetutë të re.
Dhe çdo gjë rrodhi aq shpejt sa parlamentarët e morën projektin e kushtetutës vetëm disa orë para votimit në parlament. Megjithatë të gjithë ishin dakort, pasi që në preambel thuhet se Kosova është një pjesë e pandarë e Serbisë. Ministri jashtëm Vuk Draskovic tha: "Ky është një mesazh i rëndësishëm për botën, për shtetet e fuqishme të kohës sonë që duhet ta marrin parasysh kur të marrin vendimin për statusin e ardhshëm të Kosovës."
Kosova pjesë e pandarë e Serbisë?
SHBA-të dhe BE-ja kanë bërë të ditur se deri në fund të vitit do të merret një vendim për të zgjidhur statusin e Kosovës, që ndodhet nën administrimin e OKB-së. Pikërisht këtë Beogradi nuk do ta pranojë.
Kostunica përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi për t´i bërë reklamë kushtetutës dhe për të forcuar pozitat e tij brenda dhe jashtë vendit. Kështu në hapjen e panairit të librit në Beograd ai tha: "Kushtetuta është libri më i rëndësishëm me anë të të cilit përcaktohet Serbia, se si organizohet shteti dhe se Kosova ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Serbisë."
Presidenti preferon zgjedhje të parakohshme
Presidenti Boris Tadiç, partia e të cilit është në opozitë si dhe koalicioni qeveritar kanë frikë se me humbjen e një të shtatës së territorit do të ketë një forcim të forcave radikale në Serbi. Prandaj Tadiç preferon më shumë zgjedhje të parakohshme. "Të gjithë ishin për zgjedhje të reja pas pranimit të kushtetutës së re. Tani disa prej tyre e kanë harruar këtë. Një kushtetutë do të thotë një epokë ligjore-politike dhe jep një legjitimitet të ri."
Një legjitimitet për postin e tij të presidentit. Tadiç kërkon ta shfrytëzojë popullaritetin që gëzon për të siguruar një mandat të ri. Nga ana tjetër Kostunica dhe radikalët në opozitë synojnë frenimin e Tadiçit duke kërkuar të zhvillojnë vetëm zgjedhje parlamentare të parakohshme.
Debati ka marrë përmasa të tilla sa ka hedhur hije edhe mbi fushatën për kushtetutën. Kritikët e kushtetutës së re bëjnë thirrje për bojkot pasi gjejnë mungesë transparence dhe akuzojnë se në përpilimin e saj kanë marrë pjesë edhe partitë e kohës së regjimit autoritar të Slobodan Miloseviçit.
Kushtetuta e re europiane?
Nga ana tjetër mbështetësit e kushtetutës thonë se ajo është e domosdoshme pasi aktualja është e kohës së Miloseviçit dhe se në të renë sanksionohen edhe të drejtat e minoriteteve dhe ka një përputhje me vlerat evropiane.
Pritet që populli ta pranojë tekstin edhe si pasojë e presionit të politikës me anë të medieve. Sondazhet e para do të jepen të djelën, 29 tetor, në mbrëmje. Vendimi për zgjedhje të reja pritet të merret në fillim të dhjetorit.