1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformë apo vazhdimësi? - Kisha ortodokse rumune pas vdekjes së Patriarkut Teoctist

Robert Schwartz2 Gusht 2007

Pas vdekjes së kreut të kishës ortodokse rumune, Patriarkut Teoctist kisha ortodokse e Rumanisë, së cilës i takon më shumë se 80% e popullsisë ndodhet përpara dilemës të lejojë reformat apo t'i përmbahet kontinuitetit.

Teoctist, Patriarku i pestë i kishës ortodokse rumune, e cila është shpallur autoqefale qysh nga viti 1885.Fotografi: AP

Pas vdekjes së kreut të kishës ortodokse rumune, Patriarkut Teoctist, kisha ortodokse e Rumanisë ndodhet në udhëkryq: a duhet që pasardhësi i Teoctistit të vazhdojë politikën e tij kishtare, apo kisha ka nevojë për ripërtëritjen nga brenda? Për këtë do të vendosë 41 ditë pas vdekjes së tij përmes një votimi të fshehtë kolegji i përbërë nga antarët e Sinodit (Këshilli i Peshkopëve) të Kishës si dhe përfaqësues fetarë dhe laikë nga kishat lokale të vendit.

Kreu i kishës ortodokse rumune, patriarku Teoctist, ndërroi jetë të hënën (30.07) në moshën 92 vjeçare. Ceremonia e përmortshme për varrimin e Patriarkut, që ka drejtuar fatet e kishës ortodokse rumune qysh nga viti 1986, zhvillohet të premten (30.08) në katedralen e Patrikanës në Bukuresht. Kryeministri Calin Popescu Taricenau e ka shpallur të premten si ditë zie kombëtare: "Ne do ta ruajmë me nderim kujtimin e jetës shembullore të Patriarkut. Në emër të qeverisë rumune dua të shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e madhe për kishën ortodokse të Rumanisë, për miliona besimtarë të krishterë-ortodoksë. Në ditën e varrimit, ditë zie kombëtare, ne të gjithë do ta kujtojmë atë me nderim."

Presidenti Traian Basescu e nderoi kreun e kishës post mortum me medaljen më të lartë të shtetit: yllin e Rumanisë.

Por vepra e kreut të kishës ortodokse në Rumani është e diskutueshme: Në kohën që diktatori komunist, Nicolae Ceausescu, në valën e projkteve të marra të ndërtimit shkatërroi dhjetra kisha, nuk u dëgjua asnjë fjalë rezistence prej kreut të kishës. Në dhjetorin e vitit 1989, kur zhvilloheshin demonstrata kundër Ceausescu-t, Teoctist-i i dërgoi edhe një telegram solidariteti diktatorit. Për shkak të qëndrimit të tij ndaj regjimit komunist Sinodi i shenjtë e shkarkoi Patriarkun pas rëzimit të Ceausesc-ut, ndonëse tre muaj më vonë ai u rikthye në post.

Pas kthimit Teoctist shumë shpejt fitoi rolin e një figure integrimi si brenda edhe jashtë vendit. Ai ndërmjetësonte mes rymave të ndryshme në kishën e tij dhe mundi të parandalojë ndarjen e ortodoksisë rumune pas 1989-ës, dukuri këto që ndodhën në Bullgari dhe në Ukrainë, Ai iu përkushtua intensivisht ndërtimit të kishave dhe deri në ditën e vdekjes kishte një dëshirë të vetme, që nuk iu realizua: Ndërtimin e "një katedraleje të madhe ortodokse për shpëtimin e popullit" në Bukuresht. "Unë në asnjëherë në jetën time nuk i jam trembuar asnjë mundimi për t'i shërbyer Zotit, për të biseduar me besimtarët dhe për t'u kujdesur për kishën. Këtu unë ndjej ripërtëritjen e forcës sime. Mua më mban shpresa që një ditë do të bëhet realitet ëndrra për "katedralen për shpëtimin e popullit". Ky është për mua një qëllim, që më nxit për ta vënë në jetë atë me arësyen dhe me veprimet e mia."

Do të jetë detyra e pasardhësit të tij që ta realizojë këtë
ëndërr.

Ikumenisë Teoctist-i i ka dhënë një profil të ri dhe e ka hapur kishën e vet. Ai hodhi një hap historik në vitin 1999 duke ftuar në Bukuresht si i pari udhëheqës i kishës ortodokse Papa Gjon Palin e II-të. Ndërsa në vitin 2002 ai ia ktheu vizitën Papës në Vatikan.

Vdekja e Patriarkut jo vetëm që ka ngjallur spekulimet në Rumani mbi pasardhësin e tij, por ka ndezur edhe një diskutim të zjarrtë brenda kishës për reformat. Kryesisht afërsia e kishës me shtetin ka nxitur një debat me pozicione diametralisht të kundërta. Edhe fakti, që kisha rumune ka kontribuuar shumë pak në zbardhjen e së shkuarës, hedh një hije dyshimi ndaj saj.

Deri më sot kisha ortodokse nën Patriarkun Teoctist i është kundërvënë me sukses planeve të autoriteteve përkatëse për hapjen dhe zbardhjen e dosjeve të sigurimit, securitate. Kjo rrethanë mund të ndryshojë me zgjedhjen e një Patriarku reformator. Shumë besimtarë ortodoksë shohin tani një shans për hapjen e mëtejshme të kishës së tyre, mendon gazetari Horatiu Pepine: "Brenda kishës ortodokse ka një rrymë, që kërkon një distancë më të madhe ndaj shtetit. Ka mundësi, që krahas qëndrimit të hapur ndaj ikumenisë edhe kjo rrymë të ndikojë në vendimin për zgjedhjen e kreut të ardhshëm të kishës ortodokse të Rumanisë."

Në fillim të shtatorit do të zgjidhet Patriarku i ri, kjo përkon me "Asamblenë e tretë të ikumenisë Evropiane", që zhvillohet po në shtator në Sibiu të Rumanisë.