1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformë e Dejtonit apo agoni e pafund?

Rüdiger Rossig
6 Prill 2022

Më 6 prill kujtohet "Dita e Sarajevës”. Separatistët kërcënojnë vazhdimisht se do ta shkatërrojnë Bosnjë-Hercegovinën. Në luftën kundër tyre duhet demokracia, shteti i së drejtës, prosperiteti dhe integrimi në BE.

Bosnien und Herzegowina | Ewige Flamme in Sarajevo
Monumenti "Zjarri i Përjetshëm" në Sarajevë në kujtim të të rënëve në Luftën II BotëroreFotografi: Amel Emric/AP/picture alliance

Çdo vit më 6 prill qytetarët e kryeqytetit boshnjak përkujtojnë "Ditën e Sarajevës”. Në këtë ditë ata përkujtojnë çlirimin nga pushtimi gjerman në vitin 1945 - dhe fillimin e rrethimit të qytetit nga trupat serbe të Bosnjës në vitin 1992.

Një ditë më parë (5 prill 1992) parlamenti boshnjak e shpalli të pavarur Bosnjë-Hercegovinën, e cila më parë i takonte si një nga republikat federative ish-Jugosllavisë komuniste. Po këtë ditë (5 prill 1992) në Sarajevë demonstruan për paqe më shumë se 100,000 vetë - derisa demonstruesit u qëlluan me armë nga selia e Partisë Nacionaliste Serbe. Plumbat vranë dy gra: viktimat e para të luftës në Bosnje. Të nesërmen, ushtria jugosllave, tashmë e kontrolluar nga nacionalistët serbë, filloi rrethimin e Sarajevës. Ky rrethim zgjati 1,425 ditë dhe u kushtoi jetën 11,541 vetëve. 

Fotografi: Sergey Gryizounov/RIA Nowosti/dpa/picture alliance

Në atë kohë shumica e boshnjakëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, nuk besonin se do të kishte luftë. Popullsia e prej rreth 4.4 milionë banorësh përbëhej asokohe nga rreth 44 për qind boshnjakë myslimanë, 17 për qind kroatë katolikë, 31 për qind serbë ortodoksë dhe pakica të shumta kombëtare. Dhe ata kishin arsye për të mos besuar se mund të niste ndonjë luftë, sepse një e treta e të gjitha martesave në vend ishin të përziera. Përzjerja etnike ishte rezultat i industrializimit, sepse në Bosnjë-Hercegovinë kishin emigruar shumë punëtorë migrantë nga pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, në dekadat e mëparshme aty nuk kishte lindur asnjë konflikt.

Fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u shoqërua me mosmarrëveshje se si do të veprohej me Bosnjën. Më 1 mars 1992, 99.4 për qind e votuesve votuan në një referendum për pavarësinë nga Jugosllavia. Por pjesëmarrja në votim ishte vetëm 63.4 përqind, pasi shumica e serbëve të Bosnjës e bojkotuan referendumin.  Në fund të vitit 1991 shumica e deputetëve serbë ishin larguar nga parlamenti i përbashkët boshnjak dhe themeluan më 9 janar 1992 "Republika Srpska".

"Spastrim etnik"

Në fillim të prillit 1992 nacionalistët serbë filluan me "spastrimin etnik" brutal të pjesëve të Bosnjës që kontrolloheshin nga trupat e tyre. Qëllimi nuk ishte vetëm të shkatërroheshin elitat joserbe, por e gjithë opozita dhe shoqëria civile - si edhe bashkimi me Serbinë fqinje. Në vitin 1993 nacionalistë të armatosur të kroatëve të Bosnjës sulmuan gjithashtu ish-aleatët e tyre boshnjakë. Ata kërkonin bashkim me Kroacinë fqinje. Kjo "luftë brenda luftës" do të zgjaste më shumë se një vit.

Fotografi: Armin Durgut/PIXSELL/picture alliance

Kush luftoi kundër kujt në Bosnjë? Ata që luftonin nuk ishin popujt kundër popujve, por ish-funksionarë komunistë, agjentë të shërbimeve sekrete dhe ushtarakë, të cilët u konvertuan në nacionalistë kundër një popullsie, shumica e së cilës, sipas të gjitha sondazheve, kërkonte demokraci, shtet ligjor dhe prosperitet si në Evropën Perëndimore. Por kjo do të nënkuptonte fundin e sundimit të elitave të kohës dhe duhej të parandalohej me çdo kusht.

Përpjekjet ndërkombëtare

Përpjekjet e OKB-së dhe të BE-së për të ndërmjetësuar mes palëve në konflikt nisën që në vitin 1991. Në këtë kuadër u vendos edhe dërgimi i trupave të armatosura lehtë të OKB-së, UNPROFOR për të ruajtur paqen në një zonë ku lufta tashmë ishte ndezur. Sikurse rezultoi më pas ky ishte një vendim i gabuar, sepse helmetkaltërit jo vetëm nuk arritën të siguronin asnjë nga "armëpushimet" e panumërta që u vendosën gjatë tre viteve e gjysmë në vijim; pot ata dështuan gjithashtu edhe në "zonën e sigurisë" në Srebrenicë,ku serbë të armatosur vranë më shumë se 8,000 djem dhe burra boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Fotografi: Apollo Film

Vetëm gjenocidi dhe sulmet serbe ndaj anëtarëve të UNPROFOR-it bënë që bashkësia ndërkombëtare t'i detyronte palët në konflikt të zbatonin në fund të vitit 1995 Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe të pranonin edhe një kushtetutë të re. Sipas marrëveshjes u krijua një shtet i ndarë në dy "entitete" - "Republika Srpska" dhe "Federata e Bosnjë-Hercegovinës", e cila nga ana e saj është e ndarë në dhjetë kantone - dhe një zonë të veçantë administrative. Kjo është një nga strukturat më të ndërlikuara shtetërore në botë me një numër të paqartë ministrish dhe kompetencash.

Një shtet që nuk funksionon

Dejtoniishte një kompromis i keq - por i vetmi që mund t'i jepte fund shpejt luftës gjatë së cilës ishin vrarë më shumë se 100,000 vetë dhe zhvendosur më shumë se dy milionë të tjerë. Në fund të fundit edhe pala serbe gjithashtu kishte interes të madh për t'u dhënë fund luftimeve në vitin 1995, duke pasur parasysh humbjet masive ushtarake të shkaktuara nga ushtria tashmë shumë profesionale boshnjake. Ndërsa ushtarët serbë vrisnin në Srebrenicë, boshnjakët përparuan shumë në Republika Srpska. Pa Dejtonin entiteti serb në Bosnje sot do të ishte shumë më i vogël.

Fotografi: Marinko Sekulić/DW

Por në vend që të ishin mirënjohës për marrëveshjen, udhëheqësit serbë të Bosnjës e interpretuan Dejtonin si fitoren e tyre. Në vitet që pasuan Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, e zgjeroi gjithnjë e më shumë sferën e tij të pushtetit duke krijuar një shtet brenda shtetit boshnjak.

Sot Bosnjë-Hercegovina ka rreth 3.2 milionë banorë. Papunësia është e lartë, pagat janë të ulëta, popullsia po plaket, jetëgjatësia po bie dhe të rinjtë po emigrojnë. Politika vazhdon të dominohet nga ish-nacionalistët komunistë si Dodik dhe politikani boshnjak-kroat Dragan Çoviç, të cilët opozita dhe organizatat e shoqërisë civile si Transparency International i akuzojnë për korrupsion, klientelizëm dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Roli i Rusisë së Putinit

Politika e liderëve nacionalistë karakterizohet nga një retorikë agresive, pengim i vazhdueshëm i procesit politik dhe kërcënime të rregullta për shkëputje nga shteti i përbashkët. Sidomos nacionalistët serbë mbështeten prej vitesh nga Rusia e Putinit, e cila përpiqet të destabilizojë politikën e BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë një shpërbërje e Bosnjës nuk ka gjasa të ndodhë, sepse pushtetarët atje jetojnë prej subvencioneve ndërkombëtare që mbajnë gjallë shtetin e përbashkët. Përveç kësaj është e diskutueshme nëse qeveritë e Serbisë dhe të Kroacisë duan vërtet një bashkim me serbët dhe kroatët e Bosnjës, gjë që do ta ndryshonte rrënjësisht situatën e brendshme politike në këto vende.

Për çfarë ka nevojë Bosnja?

Nëse separatistët verbalë në Bosnje do të përpiqen t'i vënë në jetë me forcë qëllimet e tyre, kryengritja e tyre nuk ka mundësi të zgjasë shumë: kazermat më të afërta ruse janë shumë larg, në Bosnje ka të stacionuar mbi 1000 ushtarë të NATO-s që i përkasin trupës mbrojtjese EUFOR - si dhe mijëra të tjerë në vendet fqinje, përveç Serbisë.

Trupat e misionit EUFORFotografi: Klix.ba

Ajo që vërtet e kërcënon Bosnjen është zgjatja e pafund e agonisë, që mbretëron që nga fundi i luftës. Për ta parandaluar këtë PIC dhe OHR duhet të transformohen në institucione funksionale me mandat për reformën e Dejtonit. Por kjo është e mundur vetëm pa Moskën, e cila padyshim nuk dëshiron një shtet kushtetues demokratik dhe funksional në Bosnje. Përveç kësaj Bosnja ka nevojë për një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE. Si dhe për ndihma ekonomike për të rritur standardin e jetesës së popullsisë.

Demokracia, shteti i së drejtës, prosperiteti dhe integrimi në BE - këto janë instrumentet më efektive që demokracitë mund të përdorin për të pozicionuar veten kundër sundimit të klikave të fuqishme në shtetet postkomuniste. Në Bosnje si dhe në Bjellorusi apo Rusi.

Jeta e qytetarëve në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë

02:21

This browser does not support the video element.