1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reforma zgjedhore sfidohet nga Gjykata Kushtetuese gjermane

Rina Goldenberg-Huang
30 Korrik 2024

Gjykata Kushtetuese gjermane i ka dhënë një goditje të re qeverisë. Ajo tha se një pjesë e ligjit të saj që synonte kufizimin e madhësisë së parlamentit federal, Bundestagut, është jokushtetuese.

Gjyqtarët me rroba të kuqe dhe kapele të kuqe qëndrojnë në një rresht.
Fotografi: Uli Deck/dpa/picture alliance

Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë vendosi se pjesë të reformës së fundit zgjedhore të qeverisë janë "të papajtueshme me Ligjin Themelor", duke i dhënë fitoren dy partive të vogla: Partisë e Majta dhe Bashkimit Kristian Social (CSU) nga Bavaria.

Në mars 2023, qeveria federale e qendrës së majtë miratoi një ligj të ri zgjedhor, që synonte të kufizonte madhësinë e dhomës së poshtme të parlamentit gjerman, Bundestagut, në 630 vende. Deri në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2021, numri i vendeve kishte arritur në 736, duke e bërë Bundestagun parlamentin më të madh të zgjedhur në mënyrë demokratike në botë - dhe duke e bërë shumë të shtrenjtë.

Të martën, Gjykata Kushtetuese Federale në Karlsruhe anuloi një nga pikat e kësaj reforme të ligjit zgjedhor. "Klauzola prej 5% në formën e saj aktuale nuk është në përputhje me Ligjin Themelor”, shkroi Gjykata, duke iu referuar pragut që një parti duhet të kalojë për të siguruar përfaqësim në Bundestag.

Fotografi: Uli Deck/dpa/picture alliance

Kjo klauzolë ka qenë prej kohësh pjesë e ligjit zgjedhor gjerman. Megjithatë, partitë në pushtet kishin modifikuar një pjesë të tij, duke hequr "Grundmandatsklausel" (klauzola bazë e mandatit), e cila lejonte një parti që kishte fituar të paktën tre zona zgjedhore ("mandate të drejtpërdrejta") të hynte në Bundestag me një grup të plotë parlamentar, edhe nëse ajo nuk arrin të kapërcejë pragun 5% të nevojshëm për të hyrë në parlament.

Partia e Majtë përfitoi nga kjo klauzolë në zgjedhjet e vitit 2021-shit, por pasi tre nga kandidatët e saj fituan zonat e tyre përkatëse, partia fitoi 4,9% të vendeve të Bundestagut, gjë që e lejoi atë të formonte një grup parlamentar prej 39 anëtarësh.

Bashkëkryetarja e Partisë së Majtë, Janine Wissler, u shpreh e gëzuar në reagimin e saj të parë ndaj vendimit. Ajo shkroi në platformën X, dikur në Twitter, se kjo ishte shuplakë për qeverinë, "e cila donte të dobësonte opozitën përmes ligjit zgjedhor".

Shumica e dispozitave të ligjit të ri zgjedhor nuk paraqesin probleme

Sistemi zgjedhor gjerman është i famshëm për kompleksitetin e tij. Votuesit votojnë dy herë: një herë për deputetin që do të përfaqësojë zonën e tyre zgjedhore dhe një herë për partinë që preferojnë. Ky votim i fundit përcakton numrin e ligjvënësve që përfaqësojnë partitë.

Vendet në Bundestag zihen nga deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt në zonat zgjedhore dhe nga deputetë të regjistruar në lista, sipas proporcionit të votave të fituara nga partitë në nivel kombëtar.

Deri tani, çdo përfaqësues i zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë kishte të drejtën e një vendi në parlament. Kur një parti fitoi më shumë zona zgjedhore sesa numri i vendeve për të cilat ajo kishte të drejtë bazuar në përqindjen e votave kombëtare, përfaqësuesit e zgjedhur drejtpërdrejt fitonin një vend në parlament, duke rezultuar në "ulëse shtesë" apo "mandate shtesë" (Überhangmandate).

Më pas "mandatet e kompensimit” (Ausgleichsmandate) u jepen partive të tjera në mënyrë që të gjitha të marrin përqindjen e vendeve të përcaktuara nga vota e partisë. Në zgjedhjet e fundit të Bundestagut në vitin 2021, kjo rezultoi me gjithsej 138 vende shtesë.

Bashkimi Kristian Social i qendrës së djathtë (CSU), i cili kandidon vetëm në landin e Bavarisë, ka përfituar nga sistemi aktual zgjedhor dhe ka frikë se do të humbasë përfaqësimin e tij. Megjithëse fiton vetëm rreth 5% të votave në nivel kombëtar, kandidatët e saj në përgjithësi dalin në krye në shumicën e zonave zgjedhore bavareze, duke garantuar një bllok të rëndësishëm CSU në Bundestag.

Reforma e fundit synon të shfuqizojë këtë procedurë: kur një parti fiton më shumë zona sesa meriton sipas votës kombëtare, kandidatëve të zgjedhur drejtpërdrejt nuk do t'u garantohet më një vend në Parlament.

Gjykata Kushtetuese nuk gjeti gabim në këtë pjesë të reformës.

Hapat e mëtejshëm

Ka mbetur pak kohë deri në zgjedhjet e ardhshme të Bundestagut, të cilat do të zhvillohen pas pak më shumë se një viti, në shtator 2025. Prandaj, Gjykata urdhëroi një rregull tranzitor, për të ruajtur pragun e 5% të kombinuar me mandatin bazë.

Për më shumë se dhjetë vjet, janë bërë përpjekje për të zvogëluar madhësinë e Parlamentit, por të gjitha kanë dështuar. 

Ky vendim shihet si një goditje tjetër për qeverinë federale. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e shpalli një pjesë të buxhetit federal jokushtetues. Ajo kundërshtoi rialokimin e fondeve emergjente të planifikuara fillimisht për të zbutur ndikimin e pandemisë COVID-19. Prandaj, qeveria u detyrua të plotësonte një deficit prej 60 miliardë eurosh në financat publike.