1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformat kushti themelor për anëtarësim në NATO

Arben Muka7 Korrik 2006

Jaap de Hoop Scheffer pas vizitës së para disa ditëve në Shkup e qëndrimit të enjten në Kroaci e Tiranë ka plotësuar misionin e tij në terren për tu informuar në të tre vendet e rajonit që aspirojnë së bashku të jenë anëtare të NATO-s brenda vitit 2008, në kuadër të Kartës së Adriatikut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop SchefferFotografi: AP

Në takimet me autoritetet e larta zyrtare, si dhe fjalën që mbajti para deputetëve në parlamentin ë Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike përsëriti disa herë shprehjen se "NATO e ka deren e hapur, por është në dorën e çdo vendi aspirant nëse do të arrijë të plotësojë standartet e kërkuara në nivelin e 26 vendeve aktuale anëtare. Nëse ju jeni gati dhe ne gati do të jemi për vendimet tona", u shpreh në Tiranë Scheffer.

Ai kujtoi se në fund të nëntorit të ketij viti NATO do të mbajë në Letoni, samitin e rradhës ku do të dikskutojë gjerësisht dhe mbi çështjen e zgjerimit të organizatës me anetarë te rinj. Scheffer tha se ecuria e cdo vendi aspirant do të gjykohet mbi angazhimin konkret dhe performancën në reforma.

"Ky nuk është nje veprim mekanik dhe nuk do të gjykohet vetëm në aspektin ushtarak, por në tërësinë e zhvillimeve demokratike të vendeve që kërkojnë të afrohen, në treguesit për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, respektimin e minoriteteve, zbatimin e ligjeve etj.", tha shefi i kuartierit qëndror të NATO-s në Bruksel, i cili pasi vlerësoi hapat e deritanishëm deklaroi se ka dhe shumë për të bërë, veçanërisht në sektorin e gjyqësorit, por dhe nevojën e shtimit të buxhetit për ushtrinë etj.

Scheffer bëri një ekspoze të aktivitetit dhe synimeve të Aleancës në botë, nisur nga parimet njëjta të 26 vendeve anëtare, të dimensionit transatlantik, për vlerat e përbashkëta të shoqërive të zhvilluara e civilizuara, si pluralizmi, liria, demokracia dhe toleranca.

Kryeministri Sali Berisha u angazhua se procesi i reformave do të vazhdojë për të përmbushur çdo kërkesë, duke lënë të nenkuptohet se kontributi paqeruajtës i ushtrise shqiptare mund të jetë edhe në vende të tjera, veç Bosnjes, Afganistanit dhe Irakut.

Jaap de Hoop Scheffer u shpreh në kontaktet me autoritetet shqiptare se mbështetja logjistike dhe strategjike e NATO-s për ushtrinë shqiptare do të vazhdojë dhe në të ardhmen.

Anëtarësimi në NATO është një nga pikat e vetme ku të gjitha krahët e politikës shqiptare në 15 vitet e fundit nuk kanë patur asnjë dallim në qendrime, një opcion që mbështetet në shkallë të gjerë në opinionin publik. Shqipëria ishte vend i parë në bllokun ish komunist që nënshkroi dokumentin e Partneritetit për Paqe në vitin 1994 dhe që kërkoi zyrtarisht anëtarësimin në NATO.