Refugjatët në Greqi dhe biznesi me pasaportat e falsifikuara
3 Mars 2016Lagja "Victoria Square" ka një imazh të dyshimtë dhe konsiderohet si sheshi qendror i Athinës për kriminalitetin e organizuar. Ne kërkojmë kontaktin me falsifikuesit e pasaportave nga Pakistani, të cilët duket se ndërmjetësojnë kontaktet me falsifikuesit e pasaportave dhe kontrollojnë një pjesë të madhe të këtij biznesi. Me një rekomandim nga qarqet e drejtësisë arrijmë në destinacion. Dy anëtarët e bandës së falsifikuesve veprojnë në sytë tanë pa asnjë drojë. Madje ne mund t'i shoqërojmë ata, kur marrin një pasaportë të falsifikuar për një refugjat nga Irani. Duket se ata i kryejnë vëprimet në mënyrë rutinë, kjo e është e përditshmja e tyre. Ata madje duken fare të sigurtë. Shkëmbejnë fotografi dhe të dhëna pasaportash në nivel ndërkombëtar. Kjo veprimtari realizohet fare hapur përmes aplikacionit Viber apo edhe WhatsApp. Më pas falsifikuesit na çojnë në një qendër ndërmjetësimi të tyre. Një apartament me dy dhoma të vogla. Biznesi ecën mirë, mendojnë ata. Deri në 250 pasaporta në javë, që do të thotë, se ata kapin shumën deri në 100.000 Euro.
Pasaporta nga vende të ndryshme të botës
I pyesim edhe për pasaportën e siguruar për iranianin - dhe ata më sqarojnë, se me të ai do të vijë në Gjermani. Eshtë pasaportë siriane, nga Republika Arabe e Sirisë. Eshtë pasaportë e cilësisë së lartë, që ndonjëherë mund të kushtojë edhe mbi 3 mijë Euro.
Shohim aty pasaporta nga Franca, Shqipëria, Portugalia, Greqia, Kanadaja dhe SHBA të gatshme për falsifikim, ose ndërkohë të pastruara për t'u plotësuar me të dhëna të reja. Edhe skedat elektronike të identifikimit janë falsifikuar në Kinë dhe janë sjellë në Athinë. Pyetjes nëse mund të kalojnë dot klientët me këto pasaporta në Europë? Falsifikuesi i përgjigjet: „Sigurisht. - Plus që në zonat kufitare, ku njerëzit kalojnë në këmbë, nuk ka skaner për verifikimin elektronik të të dhënave. Askush nuk i kontrollon atje pasaportat, siç bëhet në aeroprot. E gjatë kontrolleve të thjeshta kufitare ata të gjithë kalojnë në anën tjetër.“
Shteti grek vepron, por jo mjaftueshëm
Por çfarë ndërmerr shteti grek kundër biznesit të falsifikuesve të pasaportave? Ne shoqërojmë një hetues të fshehtë të policisë. Ata arrestojnë një grup iranianësh. Vetëm njëri ka një paspaortë me vete, thonë nëpunësit - me gjasë të falsifikuar. Policia beson, se ata të gjithë presin për pasaporta të falsifikuara.
Mëngjesin tjetër na tregojnë qindra dokumenta të falsifikuara dhe dokumentacion të gatshëm për falsifikim - ky është rezultati i një goditjeje të sukseshme kundër një rrjeti falsifikatorësh vjeshtën e kaluar. Por ku përfundojnë dokumentat e falsifikuara, që kanë kaluar në duart e përdoruesve të tyre? - „Në çdo vend të BE-së, por vetëm jo në Gjermani.“, na thotë një punonjës i policisë.
Refugjatët dhe emigrantët që ne i takojmë në sheshin qendror të Athinës Omonia, përfitojnë nga përndjekja penale disi e rezervuar e shtetit. Djemtë e rinj nga Bangladeshi, Pakistani, Irani dhe Afrika e veriut presin këtu. Se për çfarë presin i pyesim. - „Për një pasaportë“, thonë ata…. Destinacionin ata e dinë. Por në Europë është e vështitë të arrihet statusi i refugjatit apo e drejta e azilit. Ndaj ata i marrin masat paraprakisht. Gjatë udhëtimit për në Greqi ata i zhdukin dokumentat origjinale, për të fshehur identitetin e tyre dhe për të siguruar dokumentacion sikur vijnë nga vende origjine me shanse për të fituar të drejtën e azilit.
Bandat e ndërmjetësuesve i presin refugjatët në vendet e zbarkimit dhe kujdesen për fotografitë, shkëmbimin e të dhënave, transferimin e parave. Mes dyqaneve të telefonëve dhe të argjendarëve ne marrim kontakt me një fasifikues grek, që e bën këtë biznes prej vitesh. Specialiteti i tij janë pasaportat. Pa dashur të identifikohet ai na tregon hollësi. „Disa pasaporta u janë vjedhur njerëzve. Të tjera unë ua kam blerë njerëzve p.sh. për 1000 €, e ata më pas njoftojnë, se u ka humbur pasaporta. Një pasaportë e cilësisë së lartë në paketë që përfshin gjithçka - edhe biletën e fluturimit dhe pagesën për ndërmjetësuesit - kushton deri në 5000€ për person.“
Ashtu si për falsifikuesin pakistanez edhe për atë grek zona qendrore e veprimtarisë është sheshi "Victoria Square", siç na thotë ai vet. Në një adresë fikse, shpjegon ai, është vendi, ku pasaportave u jepet dora e fundit, ku ndodhet letra speciale dhe shaptilografi përkatës.
Refugjatët vazhdojnë të zbarkojnë në shesh nga autobusët. Shumë prej tyre janë nga Siria. Edhe ata kërkojnë shpesh tek falsifikuesit një identitet të ri p.sh. për t'i paraqitur si të tyret fëmijët e të afërmve të tyre, për të fshehur vendin e origjinës apo të kaluarën e tyre. Falsifikuesi grek na shpjegon, se „nëse migrantët vijnë, ata e dinë mirë se çfarë gjejnë këtu. Ata i dinë procedurat dhe kanë edhe paratë e nevojshme për t'i përballuar ato.“ Falsifikuesit qofshin ai grek apo pakistanez sërish janë rrugës, për t'u kujdesur t'i sigurojnë një tjetër identitet refugjatëve, gjë që e sjell të gjithë Europën në vështirësi.