1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të përfundosh si refugjat në Greqi

Ratbil Shamel/ Aida Cama19 Qershor 2012

Disa mijëra afganë largohen çdo vit nga vendi për të gjetur një jetë më të mirë në BE. Pjesa më e madhe e kërkesave për të marrë azilin refuzohen. Për shumë nga ata Greqia është stacioni i pritjes, vendi ku mbeten.

Të përfundosh si refugjat në Greqi
Të përfundosh si refugjat në GreqiFotografi: DW

Mesnatë diku në Detin Egje midis Turqisë dhe Greqisë. Pesë të rinj afganë ndodhen të ulur në një barkë të thjeshtë dhe luftojnë për të shpëtuar jetën. Pas gjashtë orësh, u pati thënë njeriu që i solli deri këtu, do të ndodheni në parajsë, pra në Greqi dhe kështu në Bashkimin Evropian. Kur barka mbërrin në bregdetin grek, ata qëllohen me armë. Ahmad Karim (emri i ndryshuar) kujton: „Policët e kufirit na arrestuan dhe na dërguan në një anije. Pak më vonë na hodhën sërish në ujë në afërsi të një ishulli turk të pabanuar.“

Karim, atë kohë 23 vjeç, dhe bashkëudhëtarët e tjerë u shpëtuan nga peshkatarët turq. Ata u kthyen në Stamboll, për tu përgatitur sërish për të vajtur në perëndim.

Çdo vit mijëra afganë përpiqen si Karimi të largohen nga dhuna, pasiguria dhe mungesa e perspektivës në vendin e tyre. Ata bien në duar të bandave, që u premtojnë një jetë pa probleme në një vend perëndimor.

Refugjatë afganë në GreqiFotografi: DW

Stefan Telöken, zëdhënës i sektorit gjerman të Komisariatit të Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara (UNHCR): „Ne nuk kemi të bëjmë këtu me njerëz që duan të ndihmojnë refugjatët, por me njerëz që paguhen nga refugjatët. Ndodh shumë shpesh që refugjatët vdesin sepse lihen në baltë nga kontrabandistët, duke i lëshuar në det të hapur.“

Refugjatët afganë, që duan të kërkojnë azil në Australi, shkojnë aty nëpërmjet Pakistanit, Malajzisë dhe Indonezisë. Kush do të shkojë në Bashkimin Evropian, siç bëri Ahmad Karim, ai zgjedh rrugën nëpërmjet Iranit, Turqisë, Greqisë. Për shkak të mungesës së parave, shumë afganë udhëtojnë në disa etapa. Futja ilegale në Evropë kushton deri në 10 mijë euro pro person. Karimi kishte para vetëm sa për tu futur ilegalisht në Iran. Atje punoi për të fituara paratë për vazhdimin e rrugës.

„Si refugjatë afgan t'i shfrytëzohesh keq në Iran - nuk të trajtojnë kurrë si njeri."

Në Iran jetojnë rreth një milionë refugjatë afganë, shumë prej tyre ndodhen në rrugë për në Evropë. Karim u fsheh tre vjet me radhë tek të njohurit dhe të afërmit. Ai pranoi çdo punë, pjesën më të madhe në minierë, deri sa kurseu paratë që të paguante bandat kontrabandiste ta çonin në Turqi. Pas një viti punë në të zezë në qytete të ndryshme të Turqisë, ai mori rrugën për në Greqi. Përpjekja e parë për t'u futur në Greqi dështoi. Herën e dytë pati fat. Policët, që e arrestuan nuk e hodhën sërish në ujë, por e dërguan në Athinë, ku ia dorëzuan autoriteteve.

Refugjatë afganë në GreqiFotografi: DW

Stefan Telöken, zëdhënës i UNHCR-së, për Gjermaninë: „Greqia është në një situatë shumë të vështirë ekonomike dhe politike. Përveç kësaj Greqia nuk ka sistem funksionues azili. Sistemi i azilit u shkatërrua i ngarkuar nga disa mijëra kërkesa për azil. Në Greqi mungojnë kapacitetet. Shumë azilkërkues jetojnë në gjendje të vështirë. Shteti nuk është në gjendje t`i ndihmojë ata diqysh."

Karimi takohet në Athinë me bashkatdhetarë, të rinj meshkuj por edhe familje me fëmijë. Të gjithë përpiqen të largohen nga Greqia duke ikur në drejtim të perëndimit. Kontrabandistët kërkojnë 5 mijë euro për person. Asnjë nga të njohurit e Karimit nuk ka kaq para. Refugjatët duhet të organizojnë mbijetesën e përditshme, pa marrë ndihma nga shteti, dhe të mbledhin para për të vazhduar rrugën më tej. Disa afganë kanë krijuar në Athinë banda kriminele që vjedhin bashkatdhetarët e tyre. Karim tregon: „Ata hiqen sikur janë kontrabandistë dhe mbledhin paratë nga refugjatët, të cilëve u premtojnë t`i çojnë së shpejti në Evropë. Ose kur nuhasin se dikush ka para, e kërcënojnë dhe e rrahin derisa ia marrin kursimet."

Refugjatë afganë në GreqiFotografi: DW

Karim është duke u përpjekur prej pesë vjetësh që të largohet nga Greqia, por nuk ia ka dalë mbanë. Herë i mungojnë paratë, herë arrestohet nga policia kufitare. Të kthehet në Afganistan nuk do. "Cili është ndryshimi nëse do të vdes këtu, apo në Afganistan“?