1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rekord papunësie te emigrantët në Greqi

30 Mars 2010

Papunësia në Greqi arriti në dhjetor 10.2%, nga 7.5 % që ishte një vit më parë. Për herë të parë ajo rezulton më e lartë në radhët e imigrantëve me 11. 7%. Recesioni thellë u hoqi imigrantëve avantazhin e fleksibilitetit

Fotografi: picture-alliance/dpa

I vrenjtur në fytyrë, që boforët e detit nuk e lanë të shkonte në ishull për ditën e punës me punëtorët e tij shqiptarë, Dhimitër Caliqi zbriti duke shtyrë pas tij derën e furgonit me reklamën e ndritshme të biznesit të tij, që ngjante si kujtim i një kohe të largët. “Unë ndërtoj kalldreme të stampuara në zonën e Korinthit. Tani me krizën, që ka zënë vendin, punojmë vetëm 2-3 herë në javë, shkojmë 100-200 km larg për të zënë ndonjë punë”. Ndërtimi në Korinth pas “bumit” të viteve të fundit tani ka rënë 60%, pothuajse është paralizuar, por Dhimitrin e ndihmon disi emri i mirë, që ka krijuar në saj sigurisht edhe të mjeshtërisë së 8 ustallarëve shqiptarë, që ka në ekipin e tij. Ai tani duhet të mendojë edhe për ata. “Puna ka rënë kaq shumë, që punëtorët vijnë e kërkojnë borxhe e i shkruajmë në një listë” thotë në vijim me të vetmin merak, kur do të kalojë ky “dimër”.

Për herë të parë papunësia më e lartë në radhët e imigrantëve

Papunësia po rritet me hapa galopante dhe kurrsesi nuk përbën një “teprim televiziv”, siç mendonte fillimisht edhe Dhimitri. Ministri i Punës, Andreas Lloverdhos, që jo pak herë është kritikuar se po “terrorizon” opinionin, parashikoi se në fund të vitit se papunësia do të arrijë në 12% të fuqisë punëtore, ose 1 milionë vetë. Shifrat e publikuara nga Shërbimi Statitikor Kombëtar i japin të drejtë ministrit. Sipas tij gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 papunësia u rrit në 10.3 % nga 7.9 % i së njejtës periudhë të një viti më parë. Ndryshe nga ç' ndodhte deri më sot, papunësia shënon kuota më të larta në radhët e imigrantëve. Për të njejtën periudhë, sipas statistikës në fjalë ndër imigrantët papunësia arriti në 11.7 %, një diferencë aspak e papërfillshme në krahasim me vendasit.

Emigrantë shqiptarë në GreqiFotografi: DW

Recesioni i thellë u heq imigrantëve avantazhin e fleksibilitetit

“Ky zhvillim i papunësisë në mesin e imigrantëve i dedikohet kryesisht rënies serioze në dy degët bazë, ku punojnë, që janë ndërtimi edhe turizmi”, i thotë Deutsche Welles profesori i universitetit të Athinës dhe drejtori shkencor i Institutit të Punës, Savas Robolis. “Në qoftë se vazhdon recesioni në këto dy degë konkrete dhe për vitin 2010 dhe 2011 do kemi patjetër shtim të metejshëm të papunësisë në këtë kategori, ashtu siç do të ndodhë dhe me fuqinë punëtore vendase”, përgjigjet Robolis i pyetur, nëse do të vazhdojnë ta kenë imigrantët këtë “privilegj”. Sipas parashikimit të institutit, që drejton, edhe sikur të fillojë rimëkëmbja e ekonomisë nga viti që vjen, papunësia “vetëm në vitin 2015 do të kthehet sërish në nivelin e vitit 2008, 8%, që konsiderohet indeks i lartë”. Recesioni i thellë duket se u shfuqizon imigrantëve edhe avantazhin e fleksiblitetit gjeografik dhe profesional, aftësinë e tyre për të lëvizur nga një zonë në zonën tjetër dhe për të ndërruar objektin e punës, që sipas Robolit tani “thjesht ndihmon disi për punësimin e tyre”.

Tendencë apo fakt largimi i imigrantëve nga Greqia?

Emigrantë shqiptarë në Greqi, duke u kthyer në shtëpiFotografi: DW

Sipas Robolis ende kriza nuk ka krijuar ndonjë tendencë të dukshme për largimin masiv të imigrantëve nga vendi. “Them aktualisht se me zgjatjen e krizës nuk e di se çdo të bëhet”, shton profesori grek. Ajo që për ekspertin grek të punës është thjesht një pikëpyetje, për imigrantët shqiptarë të sheshit Omonia, ku shumë prej tyre bëjnë përditë apelin e papunësisë, është diçka më tepër se një eventualitet. Astrit Korpa: “T'i themi gjërat siç janë. Ata që kanë ndonjë biznes, ose ndonjë punë më të sigurtö apo që kanë gratë, të cilat aktualisht janë prekur përgjithësisht më pak nga kriza, edhe mund të qëndrojnë në Greqi. Ndërsa pjesa tjetër, që kanë dalë nga tregu i punës, në sektorin e ndërtimit, në sektorin e shërbimit, apo në sektorë të tjerë nuk është tendencë, por fakt i përditshëm. Në këtë kuptim në qoftë se kjo punë do të vazhdojë gjatë, gjithë ai mundim dhe djersë e emigrantëve do të kthehet në dëm të tyre. Emigrantët do të largohen”.

Pa ndërtimin dhe turizmin imigrantët nuk shohin perspektivë në Greqi

Një gjë e tillë pritet të ndodhë me mbarimin së shpejti të asistencës njëvjeçare për masën e madhe të imigrantëve të papunë. “Me këtë krizë, që ra, emigracioni është në një pozitë shumë të vështirë. Greqia nuk është se ka industri, varet vetëm nga bujqësia dhe turizmi. Të dyja kanë rënë përtokë. Po s'pati ekonomi s'ka si zhvillon turizmin. Kjo është që ne kemi rënë në një situatë shumë të vështirë, nuk jemi në shtete të tjera, ku ka fabrika”, thotë Kujtim Veliu për të shtuar se pa ndërtimin dhe turizmin “emigrantin nuk e mban vendi” në Greqi. “Mirë brezi ynë, që e kalon shumë keq këtë situatë. Po mendojmë tani se edhe fëmijët tanë do ta kalojnë shumë keq”, shton pa e fshehur shqetësimin e tij të dyfishtë, që duket se në rastin e migrantëve ka diçka dhe nga atmosfera e javës së vuajtjeve të Krishtit në pritje të ringjalljes së tij.

Redaktoi: Angjelina Verbica

Niko Anagnosti/Athinë