Rekord vizitorësh! Mbyllet Panairi Ndërkombëtar i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës
24 Janar 2011
Është një ngjarje që zhvillohet çdo dy vjet - Panairi Ndërkombëtar i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Mynih, që njihet me emrin BAU, e ku prezantohen kompanitë më të rëndësishme të degës. Të shtunën (22.01) ai i mbylli portat me një një rekord të ri vizitorësh. Mbi 2000 ekspozues nga 46 vende të botës kishin ardhur për te prezantuar prodhimet dhe shërbimet e tyre.
Entuziazëm tek organizatorët
Në historinë gati 50 vjeçare të panairit nuk kishte pasur një rritje kaq të madhe të vizitorëve: 235 mijë ishte numri i tyre, pra dhjetë për qind më shumë se në edicionin e parafundit në vitin 2009. “Me këtë Bau e dëshmoi se është me të drejtë panairi kryesor i degës dhe platforma e parë e takimit të arkitektëve dhe planifikuesve. Për ne ka rëndësi që klientët tanë, pra ekspozuesit dhe specialistët mbetën më se të kënaqur”, tha në përfundim të aktivitetit gjashtëditor (17-22 janar) drejtori ekzekutiv i panairit Reinhard Pfeiffer.
Të kënaqur kanë mbetur edhe përfaqësuesit e CEO-s, kompanisë që merret me organizimin e panaireve në Prishtinë. Që prej gati dhjetë vjetësh ajo organizon aty ExpoKos-in, panairin e ndërtimtarisë, energjetikës, teknologjisë dhe industrisë, edicioni i sivjetshëm i të cilit do të zhvillohet në Prishtinë në datat 18-21 maj 2011. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur CEO kishte ardhur si vizitor, në BAU-n e sivjetshëm ajo kishte ngritur madje edhe stendën e saj.
ExpoKos-i optimist
Lulzim Krasniqi, që është përgjegjës për marrëdhëniet me publikun thotë: “Prezantimi ynë ka qenë shumë i kënaqshëm. Kemi pasur një takim me kompanitë e interesuara ku e shpalosëm profilin e panairit Expokos si dhe mundësitë që ofron ky panair për firmat evropiane e nga bota që të vijnë të prezantohen në Kosovë.” Krasniqi thekson se me mbi 350 ekspozues, rreth 50 përqind e të cilëve të huaj, ExpoKos-i është një nga panairet kryesorë të degës në rajon. Krasniqi është optimist se ky vit do të sjellë deri në 400 ekspozues.
Njëra nga firmat që ka treguar interes të marrë pjesë në panairin e Prishtinës është Marley. Kompania gjermano-veriore është një nga emrat kryesorë në tregun evropian për tubacione plastike, dyer palosëse dhe aparatura sanitare. Megjithëse me disa mallra kompania mbulon gati gjysmën e tregut evropian, në Kosovë deri tani ajo ka vetëm një klient.
Bojan Tadijanoviç, i cili që nga Kroacia përkujdeset për tregun ish-jugosllav, shpreson që me pjesëmarrjen e sivjetme në ExpoKos ta zgjerojë tregun në hapësirën shqipfolëse. “Ne këtë vit e kemi vendosur të prezantohemi në Prishtinë e kemi marrë shumë seriozisht. Të gjitha prodhimet tona do të prezantohen edhe në shqip dhe shpresojmë që të arrijmë të lidhim kontakte, jo vetëm në tregun kosovar, por edhe në atë të Shqipërisë”, thotë ai.
Luks dhe cilësi
Kompanitë nga Shqipëria nuk janë të përfaqësuara në këtë panair, por shumë prej tyre kanë dërguar inxhinierët e arkitektët për t'u njohur me zhvillimet më të reja teknologjike. Njëra nga temat kryesore në BAU 2011 ishte qëndrueshmëria e ndërtimeve. Altin dhe Valbona Seranaj nga kompania Albstar nga Shqipëria nuk e fshehin adhurimin e tyre për prodhimet e prezantuara: “Ajo që na bën përshtypje është luksi dhe cilësia e materialeve. Ne këto nuk i kemi, sepse shumica e mallrave vijnë nga Kina. Këtu duket që kanë një cilësi të mirë dhe ta kënaqin syrin me një të parë“, thotë inxhinieri Seranaj. Por ky luks e ka një çmim, shton: “Eh, i pyesim nga njëherë, por duke e ditur që nuk i blejmë dot, nuk na dhimbset shumë.”
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Lindita Arapi