1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Republika Ilindenase e Maqedonisë” opsion për emrin e ri

20 Maj 2018

Kryeministri i Maqedonisë Zaev ka njoftuar se “Republika Ilindenase e Maqedonisë” është opsioni për të cilin janë marrë vesh me kryeministrin e Greqisë, Cipras, si zgjidhje e mundshme e kontestit për emrin.

Der mazedonische Ministerpräsident Zoran Zaev mit seinem griechischen Kollegen, Alexis Tsipras in Sofia
Fotografi: DW/B. Georgievski

Sipas kryeministrit Zaev, të dyja qeveritë kanë ndarë mendimin se ky opsion është vendimi për zgjidhjen, që ruan dinjitetin maqedonas dhe raportet ndëretnike.

"Informova se qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë biseduan për opsionet dhe vendimin që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Republika Ilindenase e Maqedonisë është emër me të cilin mund të arrihet kompromis me Greqinë. Republika Ilindenase e Maqedonisë është emër me të cilin e përforcojmë themelin e Republikës, kontinuitetin e historisë, shtetësisë dhe krenarisë dhe të së ardhmes sonë të ndrritur”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Zaevi tha se zgjidhja një emri të tillë do të ishte për përdorim të përgjithshëm, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. "Jemi të gatshëm të pranojmë emrin "Republika Ilindenska Makedonija”, në maqedonisht apo "Republic Ilinden of Macedonia” në anglisht dhe "Republika Ilindenase e Maqedonisë”, në shqip".

Besoj se kjo është një zgjidhje që mund t'ia shtrijmë dorën. Ilindeni është e ardhmja jonë e ndritshme. Me këtë forcojmë identitetin, dhe Ilindeni maqedonas është garanci edhe për Maqedoninë multietnike, ka deklaruar Zaev duke u ndalur në kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903 kundër pushtimit osman që kishte rezultuar edhe me krijimin e Republikës së Krushevës, apo Republikës së parë të Maqedonisë. Në këtë kryengritje kishin marrë pjesë shqiptarët, por edhe etnitetet e tjera që sipas kryeministrit dëshmon se emri i ri është gjithpërfshirës.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të pranojnë këtë propozim, që sipas tij, ruan gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas.

Zaevi tha se nëse kjo zgjidhje merr mbështetje, atëherë Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, në samitin e radhës së Aleancës si edhe datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

VMRO-DPMNE nuk pranon ndryshimin e kushtetutës

Kundër propozimit të emrit të ri të Maqedonisë doli kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, i cili tha se sidomos është kundër ndryshimeve kushtetuese. Madje, ai akuzoi se gjithçka ka vajtuar në mënyrë tinzare, pa konsultime dhe sugjerime nga faktorët e tjerë të brendshëm politikë.

"Ajo që ishte spekulim në publik dhe spekulimi i Zaevit doli e vërtetë. Vendim për të cilën u njoftuam për herë të parë. VMRO mbetet në qëndrimin se nuk do ta mbështesë ndryshimin e kushtetutës dhe më të ndryshimin e emrit”, ka thënë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Lideri i opoziotës maqedonase Hristian Mickovski ka paralajmëruar se më 2 qershor opozita do të mbajë protesta.Sipas Mickovskit do të protestohet kundër politikave destruktive të qeverisë.

"Projektet tona do të prezantohen para tubimit popullor më 2 qershor para Qeverisë. Nga ajo ditë do të fillojë beteja jonë në terren", ka deklaruar Mickoski. Ai akuzoi Qeverinë për dështim në zbatimin e reformave, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike.

"Kjo e keqe që po i ndodh Maqedonisë ka emër dhe mbiemër, ai quhet Zoran Zaev. Njeri pa vizion, pa kulturë politike dhe pa platformë",është shpreh Mickoski.

Ivanov, presim propozim konkret në letër

Edhe për kryetarin e shtetit Gjorge Ivnov mënyra deri te ardhja e opsionit të mundshëm të pranueshëm për palët, ishte jotransparente dhe me informacione partikulare. Presidenti Ivanov nuk bëri komente, duke thënë se nuk ka qëndrim deri sa nuk ka dokument përpara, që normalisht kalon edhe në duart e ndërkombëtarëve.

"Deri sa nuk marrim dokument me shkrim nuk kemi qëndrim. Ka qenë gjithçka informacion gojor”, është shpreh kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.

Në takim me kryeministrin Zaev kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, lideri i VMRO DPMNE-së, opozitare, Hristijan Mickovski, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti si dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani si dhe ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, Nikolla Dimitrov dhe Radmilla Sheqerinska.
 

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut