Republika Srpska ndihmon të akuzuarit për krime lufte
23 Prill 2013Kryeministrja Zheljka Cvijanoviq ka lejuar pagesën e parave të qeverisë se Republikës Srpska. Në seancën e mbajtur të hënën (22.4.2013) në mbrëmje, u vendos që t'u ndahet një ndihmë në vlerën prej 100.000 markave personave nga Republika Srpska, të cilët gjenden në Tribunalin e Hagës. Mënyra e ndarjes së këtyre parave do të vendoset më vonë nga qendra e RS për hulumtimin e krimeve të luftës.
Nedelko Mitroviq, kryetar i Shoqatës së të vrarëve dhe zhdukurve në RS, e ka përshëndetur vendimin e qeverisë: "Mendoj se këtu s'ka asgjë jomorale dhe të paligjshme, në veçanti nëse marrim parasysh të gjitha denimet e deritanishme. Mendojmë se vendimi është pozitiv, sepse duhet të ndihmojmë një gjykim sa më të drejtë."
"Vendimet e këtilla shkaktojnë dhimbje"
Mjetet financiare do të sigurohen nga buxheti i RS. Ndërsa në reagimet e para të organizatave joserbe thuhet se qeveria e RS ende nuk është distancuar nga krimet e luftës. "Ndaj nuk befason minimizimi dhe mohimi i krimeve dhe gjenocidit. Fakti që kriminelët e luftës shpallen madje edhe heronj dhe u jepet ndihmë financiare, u sjell edhe më shumë dhimbje personave, që i kanë mbijetuar krimet dhe tani kërkojnë drejtësi dhe satisfaksion", pohon Fadila Memisheviq nga Shoqata për popuj të rrezikuar në Bosnjë e Hercegovinë.
Ndihma e personave të akuzuar për krime nuk është ndonjë risi as për Serbinë dhe Kroacinë. Serbia për shembull ende ndan para për biletat e anëtarëve të familjeve, që shkojnë të vizitojnë të akuzuarit e tyre në Hagë. Ndërsa Kroacia ka ndihmuar në mënyrë aktive mbrojtjen e gjeneralëve Ante Gotovina i Mladen Markaç.
Një pjesë e rrogës për të akuzurit në Hagë?
Një pjesë e opinionit mendon se vendimi i qeverisë së RS nuk është i befasueshëm, kur dihet fakti se presidenti i RS Millorad Dodik ka dëshmuar në Hagë si dëshmitar i Radovan Karaxhiqit. Por në këtë kohë krize vendimi i qeverisë është absurd, mendon gazetarja e Oslobodjenjes, Gordana Katana.
"Për mua vendimi i qeverisë së RS është pasojë e dëshmisë së Dodikut dhe gjithë ngarkesave nacionale, që po mbretërojnë këtu", pohon Katana. Qeveria e RS i ka ndihmuar edhe më parë të akuzuarit për krime lufte. Pranë organizatës së luftëtarëve ekziston sot edhe fondacioni "Pomoć" (Ndihma), i cili i ndihmon të akuzuarve për krime dhe familjet e tyre, por vetëm nga donacione. Ministri i RS për çështjet e luftëtarëve dhe invaliditetit Petar Gjokiq ka deklaruar se në sektorin publik së shpejti do të ketë një ofertë për pagesa vullnetare mujore për këtë fondacion.