Republikanët francezë zgjedhin E.Ciotti kryetar të partisë
12 Dhjetor 2022Eric Ciotti mori 53.7 për qind të votave, njoftoi kryetarja e komanduar e partisë Annie Genevard. Presidenti në largim i partisë së ish-presidentit Nicolas Sarkozy, Christian Jacob, dha dorëheqjen në fund të qershorit. Ciotti i përket krahut shumë konservator të partisë dhe ndjek një linjë të ashpër në politikën e emigracionit. Ky politikan 57-vjeçar nga juglindja e Francës njihet edhe si "Monsieur Sécurité”. Kundërshtarët e akuzojnë atë se në të kaluarën ka zbutur dallimet mes të djathtës dhe të djathtës kombëtare.
Ciotti doli në krye në raundin e parë të zgjedhjeve të dielën e kaluar. Kundërshtari i tij, senatori 62-vjeçar liberal-konservator Bruno Retailleau, fitoi 46.3% të votave në raundin e dytë. Rreth 91.000 anëtarë partie u thirrën për të votuar.
Kërkohet një profil i qartë
Ciotti tani përballet me sfidën e nxjerrjes së partisë konservatore menjëherë nga kriza pas rezultatit të saj zhgënjyes në zgjedhjet presidenciale dhe duke përcaktuar një vijë të qartë përmbajtësore. Kandidatja republikane në këto zgjedhje, Valérie Pécresse, mori vetëm 4.8 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve në prill. Partia më e fortë e opozitës në Francë është aktualisht partia kombëtare e krahut të djathtë Rally National (RN) rreth Marine Le Pen-it.
Për qeverinë e Presidentit Emmanuel Macron, çështja vendimtare është nëse është i mundur bashkëpunimi me udhëheqjen e re të partisë Les Republicains. Liberalët e Macron-it pasi kanë humbur shumicën absolute në Asamblenë Kombëtare në zgjedhjet legjislative të qershorit, varen tani nga votat e opozitës. Grupi parlamentar republikan është i ndarë për këtë çështje.
Aleanca me Wauquiez
Gjatë fushatës elektorale, Ciotti ishte përpjekur të bindte anëtarët e partisë për një aleancë të dyfishtë: me të në krye të partisë, ata do të merrnin në të njëjtën kohë Laurent Wauquiez, kreun e rajonit Auvergne-Rhône-Alpes, si kandidati i ardhshëm për president. "Ju jeni shpresa e natyrshme e së djathtës (...), unë do t'ju ndihmoj që kjo të ndodhë," tha Ciotti në një paraqitje të përbashkët.
Gjatë karrierës së tij të gjatë si deputet, Ciotti arriti një herë të miratonte një ligj që mbante emrin e tij. Ky ligj parashikonte uljen e ndihmës sociale për prindërit e nxënësve që mungonin dhe u shfuqizua pas tre vjetësh. Ndër të tjera, Ciotti rekomandon futjen e rrënjëve të krishtera të Francës në Kushtetutë. Ai gjithashtu e konsideron me kuptim rikthimin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, megjithëse gazeta investigative "Canard Enchaîné" zbuloi se vetë Ciotti kishte përdorur ndihmën e miqve politikanë për të mos shkuar në ushtri.
Gjatë legjislaturës aktuale, Ciotti bëri bujë duke kërkuar që kravata të jetë e detyrueshme në Asamblenë Kombëtare. Kjo thirrje u ndoq menjëherë nga pothuajse të gjitha deputetet femra të aleancës së majtë Nupes.
aud/kle/ack (afp, dpa)