1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republikani Donald Trump fitues i zgjedhjeve në SHBA

6 Nëntor 2024

Rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë u duk që të mërkurën herët. "Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm", tha ai para përkrahësve.

Donald Trump në Palm Beach duke folur para përkrahësve
Trump duke folur në FloridaFotografi: Brendan McDermid/REUTERS

(E akt.) Kandidati për president i republikanëve dhe presidenti i ardhshëm i SHBA, Donald Trump, doli para përkrahësve në Florida, i pritur me thirrje "SHBA", "SHBA". Falënderoj popullin amerikan për nderin e dhënies së votës, tha 78 vjeçari në Palm Beach të mërkurën. "Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm", tha Trump para përkrahësve.

Në zgjedhjet presidenciale në SHBA, kandidati republikan Donald Trump arriti fitoren edhe në shtetet "swing" duke marrë për vete Viskonsin, Pensilvani. Më parë Trump arriti fitoren edhe në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut duke siguruar mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Me fitoren në Viskonsin, Pensilvani, Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, Trump arriti në 277 zgjedhës të Kolegjit Zgjedhor. Kufiri i kërkuar është 270 zgjedhës.

Ekipi zgjedhor i kandidates demokrate, Kamala Harris u shpreh që në natën zgjedhore, se kandidatja Harris nuk do të shprehej më. Deri në orët e paradites, Harris arriti 224 zgjedhës të Kolegjit Zgjedhor.

Urimet e para për Donald Trump

Ndërkohë televizioni konservator, Fox News dhe disa media e shpallën Trump fitues. Pas tij edhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson shpall Trump si fituesin e zgjedhjeve presidenciale. “Donald Trump kandidati ynë është tani President", tha ai. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve do të jenë gati të zbatojnë axhendën e Trump "Amerika e para".

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka uruar Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA të mërkurën, duke thënë se të dy vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve. “Gjermania dhe SHBA-ja kanë pasur sukses për një kohë të gjatë duke punuar së bashku për të promovuar prosperitetin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Scholz në median sociale X.

Donald Trump dhe Olaf ScholzFotografi: Evan Vucci/AP/ - und Ben Kriemann/PIC ONE/picture-alliance

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dërgoi urime për Trump e u shpreh pozitivisht për perspektivën e bashkëpunimit. Udhëheqja e Trump do të jetë edhe një herë vendimtare, tha ai në X. “Unë gëzohem të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes fuqisë së NATO-s”. Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron uroi Trump. "Urime të përzemërta, president Donald Trump", shkroi Macron në X.

Fitorja e afërt nga Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA shkaktoi reagime në Gjermani. Sipas  bashkëkryetarit të SPD, Lars Klingbeil, kjo fitore ka pasoja të mëdha në pjesën tjetër të botës. “Ky rezultat i zgjedhjeve nga SHBA do të ndryshojë botën”, tha Klingbeil në Deutschlandfunk të mërkurën. “Gjermania tani duhet të marrë më shumë përgjegjësi në Evropë dhe gjithashtu në botë. Do të ketë një debat për Gjermaninë nëse duhet të marrë më shumë përgjegjësi për Ukrainën. “Unë mendoj se duhet ta bëjmë këtë si Gjermani”, tha kreu i SPD.

Dita e zgjedhjeve 

Pas një gare intensive me rivalëve ish-presidentit republikan Donald Trump dhe nënpresidentes aktuale demokrate Kamala Harris nëSHBA u mbyllën qendrat votimit të martën. Votimet kaluan qetësisht, votuesit prisnin në radhë të gjata të jepnin votën. 

Republikani Donald Trump me bashkëshorten Melania në qendrën e votimit në FloridaFotografi: Evan Vucci/AP/picture alliance

 

Donald Trump dukej i lodhur i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Melania pasi votoi në Palm Beach në shtetin federal të Floridës. Ai deklaroi të martën, se në rast të humbjes së zgjedhjeve, ai do ta pranojë rezultatin me kusht që zgjedhjet të jenë korrekte: "Nëse i humbas zgjedhjet, nëse ato janë zgjedhje korrekte, do të jem unë i pari, që do ta pranoj rezultatin", tha Trump pasi hodhi votën në kutinë e votimit. "Deri tani mendoj, që zgjedhjet janë korrekte", shtoi ai duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale dhe atyre për kongresinnë SHBA.

Grafiku i numërimit të votave në kohë reale (nga 5 nëntori)

Trump gjithashtu nuk mendon, se do të ketë trazira prej mbështetësve të tij, sikurse theksoi: "Natyrisht nuk do të ketë dhunë." SIpas tij, mbështetësit e tij e kanë të qartë, e nuk është e nevojshme ai t'ua thotë këtë. "Përkrahësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm", tha ish-presidenti. As ai vet nuk do dhunë.
78 vjeçari u shpreh njëkohësisht i bindur për fitoren. "Jam shumë i sigurt. Ne kemi hyrë në garë me një avantazh të madh." Rezultati i zgjedhjeve nuk do të jetë me diferencë të ngushtë, parashikoi Trump. Ndërkohë që sondazhet flasin për një garë të ngushtë mes tij dhe demokrates Kamala Harris.

Qendër votimi në Nju JorkFotografi: Yuki Iwamura/AP Photo/picture alliance


Trump u bëri thirrje zgjedhëseve dhe zgjedhësve të tij në SHBA që të kenë durim gjatë votimeve. "Ju duhet të jepni votën, pavarësisht se sa kohë zgjat pritja. Qendroni në radhë!", shkruan ai në platformën X. Entuziazmi i zgjedhësve është "në kulm". Para shumë qendrave të votimit që në orët e para të mëngjesit zgjedhësit presin në radhë të japin votën.


Harris votoi para pak ditësh me postë në Kaliforni

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris e ndjek procesin e votimit për zgjedhjet presidenciale nga Korpusi i Universiteti, ku ajo ka studiuar.

Kandidatja demokrate për presidente Kamala HarrisFotografi: Andrew Harnik/Getty Images

Universiteti Howard është për Harris një vend i përshtatshëm për të kaluar natën e zgjedhjeve, që mund të jetë nata më e rëndësishme e jetës së saj. Kjo shkollë e lartë në Uashington që njihet si "Harvardi i zi", luan një rol të rëndësishëm në biografinë e kandidates demokrate.
Qëkurse ka mbaruar studimet më 1986 nënpresidentja aktuale e SHBA-së është kthyer vazhdimisht aty në çastet më vendimtare të jetës së saj. "Universiteti Howard është një ndër pjesët më të rëndësishme të jetës sime", tha ajo më 2019, kur kandidoi në zgjedhjet paraprake presidenciale për demokratët. "Atje unë për herë të parë kam kandiduar për një post" - si përfaqësuese e këshillit të studentëve. "Këtu ka nisur gjithçka."


sti/apo (afp, ap, dpa, rtr, DW)