1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reshjet e fundit në qarkun e Shkodrës kanë rënduar situatën

7 Janar 2010

Niveli i ujit në zonat e përmbytura të Nënshkodrës është ngritur sërish për shkak të reshjeve të fundit, që kanë rënduar edhe më shumë situatën. Evakuimi ka vazhduar edhe gjatë natës së kaluar dhe sot.

Një grua qendron para shtëpisë së saj në fshatin Obot të Shkodrës
Një grua qendron para shtëpisë së saj në fshatin Obot të ShkodrësFotografi: picture alliance / dpa

Vazhdon evakuimi i banorëve të zonave të përmbytura në rrethin e Shkodrës. Mbi 230 familje të komunave të prekura dhe 40 të tjera të komunitetit rom të qytetit, janë evakuaar sot për në vendstrehimet e përcaktuara nga shtabi i emergjencave. Për t'u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, u krijua edhe Komiteti i Emergjencave Civile, i cili po e ndjek nga afër gjëndjen në terren, ndërkohë që 2 prej komunave, ajo e Anës së Malit dhe e Dajçit, janë shpallur sot zona të evakuimit. Banorët shprehen të kënaqur nga menaxhimi i situatës dhe në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, po punojnë intensivisht për largimin e njerëzve dhe gjësë së gjallë nga vatrat e tyre.

Për të parë dhe vlerësuar situatën e krijuar në rajonin e nënshkodrës, kishte ardhur edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili bëri thirrje për evakuimin e popullatës në kohë, në mënyrë që mos të ketë pasoja në njerëz, nëse kjo gjëndje do të vazhdojë më tej.

Forcat e ushtrisë dhe të policisë janë në gatishmëri të plotë, duke marrë pjesë në evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë, të zonave të përmbytura, por edhe në përforcimin ne argjinaturave të dëmtuara nga përmbytjet.

Ndërkaq, Karitasi Shqiptar në bashkëpunim me Famullinë e Dajçit të Bregut të Bunës, po shpërndajnë ndihma ushqimore, medikamente e veshmbathje dhe po japin asistencë shëndetësore për banorët e këtyre fshatrave.


Autor: Leka Plani/ Shkodër

Redaktoi: Auron Dodi