1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

071209 Rumänien Stichwahl

7 Dhjetor 2009

Me një rezultat shumë të ngushtë politikani konservator Traian Basescu u rizgjodh në postin e presidentit të Rumanisë. Pas numërimit të më mbi 95 përqind të votave, Basescu rezulton të ketë marrë 50,43 përqind të tyre.

Presidenti aktual Basescu fiton zgjedhjet presidenciale.
Në Rumani presidenti emëron kryeministrin kështu që ka një rol kyç në formimin e qeverisë.Fotografi: AP

Gjithçka duket ndryshe nga parashikimet e djeshme. Tri nga katër institutet demoskopike kishin folur më parë për një avantazh të Geoana-s. Pas mbylljes së qendrave të votimit ato parashikonin humbjen e pushtetmbajëtsit aktual Traian Basescu. Vetëm një institut parashikonte një garë kokë më kokë mes Basescut dhe sfiduesit të tij socialist Mircea Geoana. Por sot në mëngjes Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se pas numërimit të mbi 95 përqind të votave Basescu rezulton të ketë marrë 50,43 përqind të tyre, ndërkohë që Geoana 49,57 përqind.

Kështu përsëriten rezultat e zgjedhjeve të vitit 2004

Edhe atëherë, në zgjedhjen e tij të parë për president në fillim dukej sikur Basescu i kishte humbur zgjedhjet. Ai vetë e paralajmëroi fitoren e tij, ende pa u hedhur votat e fundit. "Ne kemi fituar njëlloj si në vitin 2004. Ju siguroj se rezultatet e anketave treguan qysh në orën 19:00 se e kam mposhtur Mircea Geona-n".

Basescu i cili në kohën e komunizmit ka qenë kapiten anijeje dhe pas kthesës politike kryetar i Partisë Demokratike, ministër i Transportit dhe kryetar i bashkisë së Bukureshtit ka provuar gjatë mandatit të tij pesëvjeçar si president të profilohet si luftëtar kundër terrorizmit, por pa arritur ndonjë rezultat domethënës. Ai është kritikuar shpesh për stilin e tij agresiv dhe autoritar. Në vitin 2007 parlamenti provoi që ta largojë nga posti për shkak të tejkalimit të kompetencave.

Basescu do të vazhdojë me politikën e tij të deritanishme

Në refrendumin e zhvilluar paralelisht me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale Basescu fitoi ndaj parlamentit: pothuajse 90 përqind e elektoratit votuan për zvogëlimin e parlamentit. Dhe siç duket edhe në të ardhmen ai do të vazhdojë me politikën e tij të deritanishme. Këtë ai e bëri të qartë në natën e zgjedhjeve: "Ne nuk kemi variant tjetër nga programi i propozuar nga unë, i cili është miratuar nga rumunët përmes zgjedhjes së tyre. Unë falendëroj të gjithë rumunët të cilët votuan Traian Basescun".

Autor : Jörg Paas / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama