1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultat i trishtuar i paradës së parë LGBT në Malin e Zi

Nemanja Rujević/Pandeli Pani30 Korrik 2013

Qeveria malazeze ishte angazhuar për paradën e LGBT-ve në Budva, por ka mendime se këtë gjë ata e bëjnë vetëm për të treguar se Mali i Zi e ka arritur pjekurinë poltike për t'u anëtarësuar në BE.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Shumë të plagosur dhe më shumë se 20 arrestime: ky është rezultati i trishtuar i paradës së parë LGBT (Pride Parade) në historinë e Malit të Zi. Më shumë se 1.000 kundërprotestues të zemëruar i sulmuan rreth 30 homoseksualë protestues në Budva me gurë, shishe dhe vezë. Disa orë më vonë një prift ortodoks erdhi për të shpëlarë me ujë të bekuar  vendin e "përdhosur" prej takimit të homoseksualëve dhe të lezbikeve dhe për të "larguar të keqen".

Gay Pride Budva. 24.07.2013Fotografi: picture alliance/AP Photo

Diskriminimi ndaj homoseksualëve është një gjë e përditshme

Këto trazira priteshin, thotë Jelena Daçiç, Drejtore për të Drejtat e Njeriut pranë organizatës jo-qeveritare malazeze Juventas. Duhej të bëhet më shumë për barazinë dhe të drejtat e homoseksualëve në Mal të Zi, paralajmëron Franziska Brantner eurodeputete e të Gjelbërve në një intervistë me DW. "Kjo nuk ka lidhje vetëm me këtë demonstratë. Këta njerëz jetojnë çdo ditë me diskriminimin."

Në Mal të Zi ka një ligj kundër diskriminimit të homoseksualëve dhe ligje për mbrojtjen e tyre, por një barazi ligjore e çifteve homoseksuale nuk ekziston. Dhe sulmet kundër homoseksualëve dhe lezbikeve janë shtuar vitet e fundit.

Aktivistja Daçiç beson se frika nga stigma është arsyeja kryesore, pse në paradën e parë në Budva u shfaqën vetëm dy duzina homoseksualësh dhe lezbikesh. Shumë prej tyre madje e kishin fshehur fytyrën pas maskave. "Frika e refuzimit është e lartë, madje edhe në familje. Shumë homoseksualë nuk janë të gatshëm të dalin në publik," tha Daçiç.

Gay Pride Budva. 24.07.2013Fotografi: picture alliance/AP Photo

Qëndrimi i politikanëve

Qeveria malazeze ishte angazhuar për paradën e LGBT-ve në Budva, por ka mendime se këtë gjë ata e bëjnë vetëm për të treguar se Mali i Zi e ka arritur pjekurinë poltike për t'u anëtarësuar në BE. "Presioni vjen nga Brukseli dhe kjo është një gjë e mirë", thotë eurodeputetja Franziska Brantner. Por Mali i Zi nuk duhet t'i zbatojë reformat në këtë fushë për shkak të BE-së, por për hir vetës, paralajmëron aktivistja Jelena Daçiq:."Nëse ne e bëjmë të tërën vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, atëherë unë jam shumë pesimiste."

Gay Pride Budva. 24.07.2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Daçiç beson se problemi qëndron më thellë dhe është tipik edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Ka njerëz, që "mendojnë se homoseksualiteti është një sëmundje, apo është një lloj  bastardimi." Prandaj rruga për pranimin e LGBT-ve në shoqëri është mjaft e gjatë.