Rezultate të papritura për pasurinë në vendet evropiane
11 Prill 2013Qeveria gjermane e ndjen veten të justifikuar në kursin e saj që klientët e pasur të bankave në Qipro të marrin pjesë në shpëtimin e vendit të tyre. Kjo sepse sipas një studimi të Bankës Qendrore Evropiane qipriotët janë tri herë më të pasur se gjermanët. Banka Qendrore Evropiane zhvilloi përmes bankave qendrore kombëtare një anketë me 62.000 familje nga 15 vende të eurozonës duke i pyetur në lidhje me të ardhurat dhe pasuritë e tyre. Nga 17 vendet anëtare të eurozonës në anketë nuk u përfshinë vetëm Irlanda dhe Estonia. Pyetjet e anketës kishin të bënin me kursimet, pasuritë e patundshme dhe makinat që kishin këto familje në pronësi. Prej shumës që rezultonte nga kjo mbledhje u zbritën shumat e borxheve.
Rezultate të papritura
Rezultatet janë të papritura: familjet në vendet e Evropës Jugore të përfshira nga kriza kanë mesatarisht më shumë pasuri se familjet në vendet veriore që konsiderohen si solide dhe që po vënë në rrezik bonitetin e tyre të mirë për kreditë për fondet e shpëtimit të euros.
Sipas anketës vlera mesatare neto e pasurisë së një familjeje në Qipro është 670.900 euro. Qiproja renditet e dyta në zonën e euros, vetëm luksemburgasit janë edhe më të pasur. Në Spanjë dhe Itali, kjo mesatare është pak më pak se 300.000 euro. Kurse në Gjermani vlera mesatare neto e pasurisë së një familjeje është 195.200 euro. Gjermania renditet e nënta, pas Austrisë dhe Francës, kurse Spanja dhe Italia zënë përkatësisht vendin e 5-të dhe të 6-të. Më keq se Gjermania janë Holanda dhe Finlanda.
Në vështrim të dytë ...
Sipas autorëve arsyeja kryesore e këtyre dallimeve lidhet me faktin se në pjesën jugore të Evropës është shumë më e zakonshme që njerëzit i blejnë banesat apo shtëpitë dhe nuk jetojnë me qira. Kështu p.sh. 82 për qind e banorëve të Spanjës e kanë të blerë shtëpinë. Kjo shifër është dy herë më e lartë si në Gjermani (44%). Kjo lidhet edhe me faktin se bankat gjermane janë edhe më të kujdesshme në dhënien e kredive dhe e kontrollojnë më me rreptësi bonitetin e klientit para so t'i japin një kredi. Po ashtu në Gjermani po shtohet numri i familjeve që duan të jetojnë në qytet, pra në banesa me qira, dhe nuk duan të shkojnë në periferi ku mund të ngrenë ndonjë shtëpi. Gjithashtu të dhënat nga Spanja i takojnë vitit 2008, pra para se të shpërthente flluska me pasuritë e pantundshme.
Përveç kësaj në këto shifra nuk janë përfshirë paratë e sigurimeve shoqërore, të cilat në Gjermani janë më të larta sesa në Evropën Jugore. Pikërisht fakti që pensionet në Gjermani janë më të larta, i bën gjermanët që të mos mendojnë për t'u siguruar me rrugë të tjera, p.sh. duke blerë një shtëpi.
Pasuritë e patundshme jo patjetër tregues pasurie
Ndërkohë që banimi në banesë me qira në Gjermani nuk është patjetër një shenjë varfërie, në vende të tilla si Spanja, pronësia e një shtëpie nuk do të thotë pasuri. Kjo për shkak se në disa vende të eurozonës, dhënia e kredive për pasuritë e patundshme qe një flluskë e cila ndërkohë ka plasur. Çdokush që ka blerë me kredi një pronë në kohën e bumit të kredive, tani ndodhet para rrezikut se nuk mund ta shlyejë dot borxhin. Në Spanjë psh. sot vlera dhe çmimet e pasurive të patundeshme kanë rënë me 40 për qind.
Por edhe nëse disa nga të dhënat janë vjetëruar dhe nuk mund të jenë gjithëpërfshirëse, kjo nuk e ndryshon esencën e studimit, që në Europën Jugore ekziston një pasuri e madhe private , ndërkohë që disa prej shteteve evropianojugore janë zhytur në borxhe.
E pra mund të supozohet që strategjia e qeverisë gjermane që ndihmat të lidhen me kushte të forta edhe në të ardhmen do të vazhdojë.