1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultatet e zgjedhjeve rajonale në Itali - një goditje e rëndë për Silvio Berlusconin

Jörg Seisselberg6 Prill 2005

Më 3 dhe 4 prill u zhvilluan në 13 rrethe të Italisë zgjedhjet rajonale. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve shkaktuan një shije të hidhur për kryeministrin Silvio Berlusconi dhe kabinetin e tij qeveritar.

Kryeministri italian Silvio Berlusconi
Kryeministri italian Silvio BerlusconiFotografi: AP

Këto zgjedhje ishin pak a shumë si zgjedhje parlamentare. Dy të tretat e italianëve morrën pjesë në to dhe votat e tyre sollën një rezultat të qartë: Qeveria e Silvio Berlusconit nuk gëzon më shumicën e votave në vend. Në 11 nga 13 rrethet ku u zhvilluan zgjedhjet fitoi partia opozitare e ish presidentit të Komisionit Evropian Romano Prodi. Koalicioni qeveritar mundi ta mbajë shumicën e votave vetëm në veri të Italisë, konkretisht në Lombardi dhe Venecia. Opozita u shpreh shumë e kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve, sepse ato konsiderohen si prova e parë e duelit Prodi kundër Berlusconit. Pas numërimit të votave dhe publikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Prodi u shpreh se ka ardhur koha që Italia të reagojë ndaj partisë së tij dhe të ndihmojë kështu për rritjen e vendit.

Koalicioni qeveritar është prekur rëndë nga këto rezultate. Kjo është një goditje e rëndë për ne, u shpreh zëvendëskryeministri italian Marco Follini i partisë kristian demokrate. Edhe ministri i jashtëm Gianfranco Fini u shpreh se qeveria ka pësuar një goditje të papritur. Por kjo nuk do të thotë se qeveria do të japë dorëheqjen, shtoi ai. Sipas Finit, qeveria ka një mandat pesëvjeçar, të cilin do ta kryejë deri në fund.

Kryeministri Berlusconi nuk është shprehur ende përpara opinionit publik mbi rezultatin zgjedhjeve rajonale. Por ai u shpreh që përpara zhvillimit të këtyre zgjedhjeve se, sido që të jenë rezultatet e tyre, ai nuk do të japë dorëheqjen nga posti i tij.

Gazeta të ndryshme italiane kanë informuar ndërkohë se Berlusconi i ka kritikuar ashpër partnerët e tij të koalicionit, duke i bërë ata përgjegjës për rezultatin e zgjedhjeve rajonale. Berlusconi ka sulmuar rëndë sidomos kristian demokratët dhe konservativët e djathtë duke i akuzuar ata se mbështetja e tyre për neofashisten Alessandra Mussolini kushtoi humbjen e zgjedhjeve në disa rajone të rëndësishme të Italisë.

Ndërkohë partitë e majta shënuan fitore të dukshme në të gjithë vendin. Madje ato mundën të fitojnë edhe në rrethin italiano verior Piemont si edhe në jug të Italisë, në Kalabri.