1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Riga - kryeqyteti i kulturës europiane 2014 me një program të posaçëm

Silke Bartlick 1 Janar 2014

Të qenit kryeqytet i kulturës europiane është një rast i mirë për të tërhequr vëmendjen. Riga gëzohet për vizitorët e shumtë që priten, por njëkohësisht ka përgatitur edhe një program për popullsinë vendase.

Riga Kulturhauptstadt 2014
Fotografi: DW/S. Bartlick

Aktivitetet e kryeqytetit të kulturës europiane 2014 Riga do t'i nisë me nxjerrjen e qytetarëve në rrugë, të cilët do të krijojnë një zinxhir me njerëz. Për këtë aktivitet masiv kërkohen mijëra vetë, sepse vargu me njerëz do të vendoset nga Biblioteka Kombëtare në periferi të qytetit të vjetër deri tek godina moderne e Bibliotekës së re Kombëtare në brigjet e lumit Daugava. Njerëzit do t'i pasojnë librat dora - dorës. Ky do të jetë një transferim i fondit të bibliotekës me pjesëmarrjen e popullit, gjë që simbolizon synimin që kanë drejtuesit në Riga në vitin 2014: ata synojnë ndryshimin e për ketë duhet ndërmarrë iniciativa që i vë të gjithë në lëvizje. "Para së gjithash", thotë Aiva Rozenberga, drejtore e programit në Riga për aktivitetet e kryeqytetit kulturor 2014, "ky vit është për banorët e qytetit". Nëse ata janë entuziastë dhe të kënaqur, atëherë qyteti do t'u pëlqejë edhe të tjerëve.

Fotografi: DW/S. Bartlick

Pak para, plane të mëdha

Rigës i duhet tua dalë mbanë me një buxhet modest aktiviteteve me rastin e përzgjedhjes kryeqytet i kulturës europiane 2014. Për pesë vjet përgatitje dhe përgjatë vitit 2014 janë vënë gjithsej vetëm 24 milionë euro në dispozicion. Ndaj, ndryshe nga qytetet e mëparshme të kulturës europiane, nuk ka pasur investime në infrastrukturë. Ndërtimi i Bibliotekës së re Kombëtare, një konstrukt prej qelqi, është planifikuar qysh në vitet 1990 kur Riga përjetonte një hop ekonomik. Deri në krizën financiare në vitin 2008 Letonia dhe kryeqyteti i saj ishin në bum. Pak muaj pas falimentimit të bankës Lehman-Brothers në SHBA edhe një bankë e madhe letoneze pësoi kolaps. Kësisoj gjithçka nisi të marrë teposhten me ulje pgash në rreth 30%, shkurtim të mijëra vendeve të punës, ulje të pensioneve, mbyllje shkollash e spitalesh. Vendi i vogël me vetëm 3.2 milionë banorë ndodhej në prag të humnerës.

Që nga ajo kohë shumë kanë emigruar, të tjerë po vajtojnë për kohën e Bashkimit Sovjetik, kur nuk ka pasur "të tilla gjëra", kur secili kishte një punë dhe shteti kujdesej për gjithçka. Protesta thuajse nuk pati fare, kushdo u përpoq për vete përt ia dalë mbanë krizës. "Letonezët nga natyra janë luftëtarë individualë", thotë sagt Anna Muhka, e cila në Fondacionin Riga 2014 është përgjegjëse për mediet e botës së jashtme. Që mund t'i dilet edhe ndryshe, kjo sërish do t'u bëhet e qartë letonezëve gjatë eventeve të vitit 2014.

Fotografi: DW/S. Bartlick

Një popull që këndon

Kultura në Letoni gjithmonë përmban muzikë. Sepse letonezët kanë kënaqësi të këndojnë. "Ne këndojmë që në djep e deri kur shkojmë në varr", thotë Anna Muhka. Kjo ndodh në çdo stinë dhe prej brezash. "Ne kemi qenë bujq, fillimisht për pronarë gjermanë, e më pas për veten tonë." E siç dihet kënga shpesh të ndihmon gjatë punëve të rënda. Por jo vetëm për këtë, në kohën e pushtimit sovjetik festat, në të cilat këndoheshin kryesisht këngë popullore letoneze, të ashtuquajturat "Dainas", forconin identitetin kombëtar. Prej tyre madje, kujton Anna Muhka, lindi "revolucioni i këngës".

Në verën e vitit 2014, në World Choir Games, 20.000 këngëtarë nga gati 90 vende do të mbushin sheshet dhe rrugët e Rigës. Gjatë gjithë vitit yje botërore të muzikës si Mariss Jansons, Elina Garanca apo Gidon Kremer, të lindur në Riga, do të japin një seri koncertesh. Qysh në fundjavën e hapjes së aktiviteteve në janar Opera Kombëtare e Letonisë do të shfaqë premierën e inskenimit multimedial të operas së Richard Wagnerit "Rienzi". Me kompozimin e kësaj opere gjermani nisi punën askohe (1837 - 1839)si dirigjent në Riga.

Vështrim retrospektivë dhe drejt së ardhmes

Programi Riga 2014 përfshin gjithsej rreth 200 projekte dhe veprimtari kulturore. Jo pak prej tyre hedhin dritë mbi historinë europiane dhe letoneze. Një lidhje të drejtpërdrejtë mes së shkuarës dhe së ardhmes paraqet projekti "rruga e qelibarit" . Në këtë projekt ndriçohet jo vetëm rëndësia kulturore e monedhës së parë të Balltikut, por shtrohet edhe pyetja, se çfarë shkëmbehet sot përgjatë rrugës së vjetër të qelibarit , e cila dikur të çonte deri në Romë e përgjatë Detit të Zi. Por ashtu projektin shtjellon edhe çështjen e së ardhmes. Sepse me fillimin e vitit në Letoni do të hidhet monedha e përbashkët, euro, në qarkullim.

Në janar 2014 hapet në Muzeun Kombëtar të Arteve të Letonisë ekspozita "1914". "Lufta e Parë Botërore duhej të gjente vend në programin tonë", thotë drejtorja e programit Aiva Rozenberga. Ky jubile trajtohet nga një këndvështrim i veçantë, nga pozicionet e artistëve, të cilët vijnë prej njëmbëdhjetë vendeve, që u krijuan pas Luftës së Parë Botërore. Njëri prej tyre ishte edhe Letonia. Që historia e këtyre vendeve në shekullin e 20-të kaloi nëpër periudha të vështira, kjo dihet prej kohësh. 2014 hap tani në kryeqytetin e kulturës europiane Riga një portë të njërit prej kapitujve më të errët të historisë së vendit. Godina e ish-Komitetit të Sigurimit të Shtetit (KGB), një ndër vendet e tmerrit dhe presionit, që nga maji 2014 do të jetë e hapur për publikun.

Fotografi: DW/S.Bartlick

Formësimi i së ardhmes

Aiva Rozenberga, drejtore e programit të kryeqytetit të kulturës europiane 2014 preferon të tregojë për projektetet e vogla, që po realizohen me fonde minimale financire, por që kanë efekt të madh. "Ndonjëherë këto projekte janë aq të vogla, sa ndokush në Perëndim mund të qeshte me to", thotë Anna Muhka. Por për Rigën ato janë shumë të rëndësishme. Ajo tregon më pas, se si banorët me mbështetje profesionale kanë arritur që t'i gjelbërojnë sheshet e blloqeve të thjeshta të banimit. Pikërisht në këto parqe tani fëmijët kanë një shesh lojërash dhe prindërit e tyre një vend për t'u takuar. Në këto hapësira publike po krijohet një bashkësi që tregon interes për të tjerët dhe ku banorët po kuptojnë, se sa shumë ndryshim mund të sjellë vetëm një ditë duke punuar bashkarisht. "Kultura", thotë Aiva Rozenberga, "nis nga vetvetja, në zemrën tënde". Në Riga pritet një vit interesant.